Shqipëria renditet si një ndër vendet me konsumin më të lartë
Vendi ynë po përballet me rritje të vrullshme të konsumatorëve të duhanit. Fatkeqësisht, këto tendenca në shtimin e radhëve të duhanpirësve po vërehen në masë te nxënësit e shkollave të mesme. Mungesa e informacioneve dhe e ndërgjegjësimit të nxënësve për rreziqet që kanosen nga produktet e duhanit, kanë bërë që lufta antiduhan të mos jetë në ritmet e duhura. Sipas të dhënave të raportuara nga institucionet shëndetësore në vend, rezulton se çdo vit regjistrohen më shumë se 3300 vdekje të shkaktuara prej pirjes masive të produkteve të duhanit. Po sipas këtyre të dhënave, rezulton se një tjetër kontingjent që po u shtohet radhëve të duhanpirësve janë edhe gjimnazistët 16-vjeçarë. Pavarësisht se ka kaluar shumë kohë nga hyrja në fuqi e ligjit antiduhan në vendin tonë, situata e konsumit vijon të jetë në raporte problematike, çka i referohet shtimit të konsumatorëve. Përkundrejt kësaj situate, është menduar që përveç shtimit të fushatave të kontrollit të duhanpirjes në ambientet publike nga inspektorët e higjienës, të zhvillohen edhe fushata të tjera, të cilat kanë në thelb ndërgjegjësimin e kategorive më të rriskuara, siç janë nxënësit e shkollave të mesme.
Në kuadër të kësaj fushate, nën moton “Rinia pa duhan”, rreth 900 nxënës të shkollave të mesme të Durrësit janë aktivizuar për të sensibilizuar bashkëmoshatarët e tyre për të mos pirë duhan, si dhe për rrezikun që i kanoset moshës nga duhani. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, i cili është shprehur: “Ndërgjegjësimi i qytetarëve është hapi kryesor për funksionimin e ligjit antiduhan”. Gjatë këtij aktiviteti është kërkuar që t’i kushtohet vëmendje e madhe edukimit të të rinjve, kryesisht të minorenëve dhe adoleshentëve, të cilët janë “viktimat” e para të pirjes së duhanit. Mesatarisht një i ri fëmijë pi deri në 7 cigare në ditë, shifër kjo shumë e lartë, krahasuar me shtetet e tjera evropiane. Shqipëria konsiderohet si një nga vendet që konsumon më shumë duhan ndër vendet e rajonit.
Nga : Gazeta Metropol