Kater Perralla nga Zullulandi


Faik Konica u mor edhe me tregime, prej të cilëve vlen të përmendet cikli "Katër përralla nga Zullulandi". Tema që ai trajton në të, është origjinale me një subjekt disi të veçantë dhënë në një plan, kryesisht satirik. Ngjarjet dhe personazhet e çojnë lexuesin në Afrikë, por disa nga problemet dhe shqetësimet nuk janë të huaja për shoqërinë shqiptare të kohës. Ai tregon për Zullutë, për një popull të prapambetur të Afrikës, të shtypur nga kolonizatorët e huaj, që ndodhet në një nga udhëkryqet e historisë së tij. Bijt e tij më të mirë aspirojnë e përpiqen për një jetë të lirë dhe shtet të pavarur. Por rruga drejt lirisë së vërtetë nuk është aq e lehtë, aq më tepër për popullin e Zullulandit që, ndonëse plot energji dhe kulturë origjinale, nuk e ka fituar plotësisht ndërgjegjjen kombëtare. Ai është në kërkim të udhëheqësve të vet, që do t'i prijnë në luftë, dhe kjo përbën boshtin e veprës. Lëvizja e zulluve ka nxjerrë dy udhëheqës të mundshëm, të cilët qëndrojnë në pozita krejt, të kundërta. Deni-Zulla-Sepia dhe Plugu. I pari është një politikan aventurier, mashtrues e demagog, përfaqësues i interesave të ngushta të tribuve, që bën lojën e të huajve dhe përpiqet për një lëvizje të ngushtë mbi baza fisnore që e mban popullin në skllavëri. I dyti Plugu është udhëheqësi i vërtetë i popullit; që pa bujë, me një mençuri të heshtur synon e punon të krijojë një lëvizje të vërtetë kombëtare në Zulluland. Ai përpiqet t'i kthejë "zullutë nga një turmë e përgjakur në një komb me dinjitet dhe atdheun në një vend të bashkuar, të lirë, të qytetëruar e me nder". Vetë emri Plug i heroit të veprës është kuptimplotë, përderisa kërkon e lufton të plugojë mendjen e popullit të paditur, të zgjojë e ta drejtojë atë në rrugëë të mbarë. Mirëpo njerëzit e vendit të tij nuk e kuptojnë, nuk e besojnë, madje e fyejnë dhe e kërcënojnë, janë gati ta ndëshkojnë. Autori vë në dukje dramën e këtij idealisti të pastër dhe besnikërinë e tij ndaj ineresave të atdheut. Skenat masive, debatet në kuvendet e krerëve, manifestmet plot zhurmë e bujë të turmave theksojnë pozitën dhe gjendjen e rëndë shpirtërore të Plugut. Konica si njohës i historisë së popujve dhe psikologjisë së njerëzve ka kapur me mprehtësi dhe e ka kthyxer në objekt trajtimi artistik një dukuri historiko-sociale: ekzistencën e turmës si një masë e pavetëdijshme e zhveshur nga aspirata kombëtare, e pushtuar nga instikte shkatërruese. Një masë e tillë, në jetën e popujve të pazhvilluar siç paraqiten zullutë, bëhet lehtë pre dhe viktimë e demagogëve dhe sharlatanëve politikë, e njerëzve si Sepia që i shfrytëzon për qëllime të mbrapshta. Turma e ndërsyer, përshkruhet nga shkrimtari nëpërmjet situatave tragjikomike, që arrijnë kulmin, kur Plugu tregon të vërtetën dhe masa ngrihet kundër tij. Tregimi mbyllet me një mendim skeptik, kur Plugu, i dëshpëruar, pohon: Desha të lëroj shkëmbin. Dhe prej këtij çasti ai braktis atdheun dhe merr rugën e mërgimit.
Mesazhi i veprës është ky: të punohet për ta ngritur popullin, për ta ndërgjegjësuar, për ta pluguar mendjen dhe vetëdijen e tij, në mënyrë që të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja. Në këtë vështrim, rol të veçantë i jepet punës, si faktor zhvillimi dhe emancipimi në jetën e njeriut dhe të shoqërisë.
"Katër përralla nga Zullulandi" është një vepër me vlera të spikatuara ideoartistike. Falë mjeshtërisë narrative dhe sensit të masës autori arrin të krijojë atmosferën e jetës politike, të zbulojë mekanizmin e luftës që zhvillohet, të japë patosin e saj, veçanërisht të vizatojë me penelata të sigurta figurat e udhëheqësve dhe të turmës. Nga ana tjetër, të derdhë humorin e tij të hidhur, të stigmatizojë hidhur të keqen me satirë dhe sarkazmë, të rrëfejë e të përshkruajë me një gjuhë të shkathët karakterizuese dhe lakonike.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama