Hap siparin sot në Muzeun Historik Kombëtar Festivali i Librit dhe i Artit/ Shtëpia botuese “Saras” prezantohet me autorët Jason Goodwin, Shekspir, Roberto Ciai, Cesaro Romiti, Grazmend Krasniqi etj.
Festivali i Librit dhe i Artit, i pari event kulturor ku ndërthuret libri me artet pamore, do të hapë siparin sot, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, në orën 17:00, për të vijuar deri në datën 27 prill në Muzeun Historik Kombëtar. Për katër ditë me radhë, qendra e kryeqytetit do të shndërrohet në një aktivitet, ku do të flitet aq shumë për librat dhe artin pamor. Më shumë se 45 botues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia do të ekspozojnë përpara vizitorëve titujt e rinj të pranverës dhe botimet më të mira ndër vite. Dy sallat e promovimit në Muzeun Historik Kombëtar do të jenë të zëna pothuajse çdo ditë me promovime titujsh të rinj. Të ftuar specialë në këtë event do të jenë dy autorë: Daria Bignardi, autore e “Akustikë e përkryer” dhe malazezi Andrej Nikolaidis. Panairi organizohet nga Shoqëria e Librit Shqip, shoqëri që nisi të ekzistojë dy vite më parë, nën drejtimin e të ndjerit dhe mirënjohurit Ardian Klosi dhe pjesëmarrjen e disa prej botuesve, si shtëpia botuese “Toena”, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, “Skanderbeg Books”, OMSCA, “Kuteli”, botimet “Dudaj”, “Botart”. Shtëpia botuese “Saras” do të prezantohet në këtë panair me tri botime të reja. Pas romanit “Pema e Jeniçerëve”, një histori fiction me personazh detektivin osman Jashim, vjen për lexuesin pjesa e dytë e trilogjisë, e cila në çon larg në Perandorinë e hershme Osmane. “Guri i Gjarprit” ka vetëm pak kohë që ka dalë në librari dhe është një vazhdim i rrugëtimit të Jashimit për të zbardhur misteret që flenë rrugëve të Stambollit. Një histori ku ndërthuren bukur bota e konspiracionit me të vërtetat historike, dhënë me një stil mjeshtëror nga Goodwin. Ajo çfarë e bën interesant botimin në gjuhën shqipe të këtij libri, është fakti se pjesa më e madhe e personazheve të tij janë shqiptarë. Fabula e librit është bazuar mbi dokumentet e gjetura në arkivat osmane, të cilat tregojnë se shqiptarët kanë qenë administruesit e sistemit të ujësjellësit në fillim të shekullit XIX në Turqi. Personazhi kryesor në këtë libër është një shqiptar. Ai quhet Enver Xani dhe vritet teksa përpiqet të mbrojë deri në fund ujësjellësin. Kupa e Krishtit përmendet në këtë rrëfim dhe ajo ruhet me fanatizëm nga shqiptarët, të cilët ishin të vetmit besnikë të perandorisë, të cilëve mund t’u besoje jetën.
I përkthyer në 40 gjuhë të botës, në shqip ky roman është përkthyer nga Fari Laçka. Në stendën e botimeve “Saras”, lexuesi do të gjejë dhe një roman të ri nga letërsia shqipe, me autor Gazmend Krasniqin. “Fytyra e Simurgut” është një prozë bashkëkohore, e cila tematikën e ka marrë nga humbja e terrenit gjithnjë e më shumë për poezinë. Autori është frymëzuar për të shkruar këtë libër nga jeta e poetit të ndjerë, Frederik Reshpja.
“E papërsëritshmja Vaçe”, është një tjetër titull i ri i botimeve “Saras” me autore profesoren e letërsisë, Violeta Librazhdi. Libri është një homazh me rastin e 75-vjetorit të lindjes së ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela, e cila u nda nga jeta pak muaj më parë. Autorja është mike fëmijërie me këngëtaren dhe sjell në këtë libër kujtime të një kohe të largët, të mbushura plot mall. Lexuesi do të gjejë këtu detaje domethënëse nga një jetë e jetuar plot pasion dhe përkushtim, në një kohë të trishtë, siç ishte komunizmi. Në stendën e autorëve të botimeve “Saras”, lexuesi do të gjejë dhe autorë të vlefshëm të botuar më parë, si librin e analistit dhe historianit italian Roberto Ciai, “Njeriu që i shpëtoi jetën Duçes”, një rrëfim i mrekullueshëm për Italinë e pas viteve ‘30 apo autorë si Shekspiri, Roberto Ciai, Cesaro Romiti apo libri “Një ditë si Sofia” me autore gazetaren Monika Stafa.
Nesër, në stendën e “Saras”, do të jetë dhe promovimi i librit “Fytyra e Simurgut” me autor Gazmend Krasniqin. Ditët e Panairit do të jenë të mbushura me promovime. Letërsia e angazhuar do të vijë në një konferencë organizuar nga shtëpia botuese “Dudaj”, për të cilën do të flasin ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, gazetarja Rudina Xhunga, Daria Bignardi, Eda Derhemi dhe Ardian Vehbiu. Shkrimtari spanjoll, Kirmen Uribe, do të promovojë librin “Bilbao, Nju Jork Bilbao”. Ministria e Kulturës do të shpallë gjatë ditëve të panairit dhe nismën kafenetë letrare në kryeqytet. Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit do të prezantojë autorin Andrej Nikolaidhis, fitues i Çmimit Europian për Letërsinë për vitin 2011. “Arbëria në hartat e vjetra të Bibliotekës” do të vijë përmes një rrëfimi nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari. Libri “Hermetizmi në letërsinë shqipe” do të vijë përmes një analize nga shkrimtarët Moikom Zeqo, Faslli Haliti, Visar Zhiti, Thanas Dino dhe piktori Maks Velo. Pjesa e arteve pamore e pagëzuar me emrin artistik paMur, kurohet nga profesori Vladimir Myrtezaj. Tema e arteve pamore është “Një galeri, një autor”. Pra të gjithë korrentet artistike në vendin tonë dhe Kosovë do të kenë mundësi të shfaqen në Tiranë. Kjo do të thotë se brenda në hollin qendror të Muzeut Kombëtar do të jetë një bërthamë ku do të prezantohen shtatë punë të shtatë galerive të artit, të cilat kanë zgjedhur nga një artist që i përfaqëson. Janë parashikuar gjithashtu disa pjesë të tjera artistike në aktivitet, që do të gjejnë vend brenda hapësirave ku do të zhvillohet ngjarja, si p.sh. grupe muzikore të rinjsh liceistë apo edhe një festival i poezisë. Pjesë e panairit janë edhe dy juri, respektivisht për dy çmimet që do të shpallen në Festivalin e Artit dhe Librit, çmimi “Ardian Klosi” për autorin e vitit në publicistikë, i financuar nga rrjeti Traduki dhe “Puna më e mirë në artet pamore”, për çmimin “Danish Jukniu”. Sipas organizatorëve, emrat e jurive do të jenë konfidencialë deri në momentin e dhënies së çmimeve.
Jason Goodwin
“Pema e Jeniçerëve”
“I jashtëzakonshëm… paraqet një tablo të gjallë të Stambollit të shekullit XIX dhe duket sikur vetë ai (Goodwin) e shpie lexuesin nëpër qytet, ndërkohë që përshkrimet e tij mbi qytetin të ofrojnë një kënaqësi të pafund. E gjitha kjo e kombinuar me një protagonist, të cilit rrethanat e vështira i japin mundësinë që me mendjemprehtësi të zhbirojë natyrën komplekse të pushtetit dhe seksualitetit dhe në mënyrë të pashmangshme detektivi osman Goodwin del ngadhënjimtar”.
Joan Smith, Sunday Times
Guri i Gjarprit
Stamboll, viti 1838. Maksimilian Lëfevrë, një arkeolog francez, mbërrin në qytet i vendosur të zbulojë një thesar të humbur, bizantin dhe menjëherë fillojnë të qarkullojnë thashetheme për ato që mendohet se janë motivet e tij të vërteta. Eunuku Jashim ngarkohet të bëjë hetime mbi Lëfevrin, por befas zbulohet trupi i gjymtuar i tij dhe del se ka vetëm një të dyshuar: vetë Jashimi. Libri i dytë i Jason Goodwin me personazhin misterioz, eunukun Jashim, e vendos atë në pararojë të prozës me tema të krimeve historike.
Monika Stafa
Një ditë si Sofia
Një udhëtim plot të papritura i një gazetareje nga Budapesti drejt Vjenës, e bën autoren të ndihet të paktën një herë gjatë jetës si Sofia, perëndesha e mençurisë. Një novelë e frymëzuar nga një histori reale, rrëfyer me një stil që të bën ta duash. Libri përmban dhe shkrime të autores botuar në gazetën Shqip.
Cesare Romiti, Paolo Madron
Historia e fshehtë e kapitalizmit italian
Në këtë libër Romiti i bën Paolo Madronit një rrëfim të kthjellët dhe herë pas here të pamëshirshëm, që duke ripërshkuar fillin e kujtimeve na lejon t’i lexojmë nën një dritë të re 50 vitet e fundit të kapitalizmit italian në mënyrë që të rimarrim hovet pozitive duke shmangur gabimet e bëra gjatë rrugës.
Gazmend Krasniqi
Fytyra e Simurgut
Libri është një homazh për një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe pas viteve ‘90, Frederik Rreshpja. Një prozë e cila e çon letërsinë bashkëkohore shqipe në një tjetër dimension.
Shitësi i Apokalipsit
Libri sjell një rrëfim origjinal për fenomenin historik të apokalipsit. Aty takojmë hyjnitë antike, shenjtë, por takojmë dhe Umberto Eco-n, lexojmë për ish-diktatorin Hoxha dhe kryeministra e presidentë.
William Shekspir
Përktheu: Kristaq Traja
Në këtë vëllim janë paraqitur tri drama të Shekspirit: “Timoni nga Athina”, “Simbelini” dhe “Masë për masë”. Edhe pas 400 vjetësh, Shekspiri vazhdon të jetë një autor ku do vazhdojmë të ndalemi…
Roberto Ciai
Njeriu që i shpëtoi jetën Duçes
Me këtë roman, Roberto Ciai paraqet me qartësi vitet e ethshme dhe jo të qeta që nga shkëlqimi i përfaqtë i regjimit fashist të viteve tridhjetë të shpien te vorbulla e luftës dhe e shkatërrimit të fundit. Një mozaik i pasur me personazhe historike dhe të trilluara në letër ndizet me një dritë jashtëzakonisht të fortë, disa gjallërohen nga një mister i kobshëm apo nga njëfarë furie shkatërrimtare, kurse të tjerë të zotëruar nga demoni që pikon melankoli, kurajë apo thjesht një nevojë ulëritëse për hakmarrje.
Francesca Petrizzo
Kujtimet e një bushtre
Një anije ndodhet në afërsi të brigjeve greke. Në bord, një grua përpiqet të dallojë profilin e Peleponezit në dritën e vagullt të muzgut. Është Helena e Trojës, e rikthyer në atdhe nga i shoqi, Menelau, pas shkatërrimit të qytetit krenar. Erës dhe dallgëve, ajo u beson historinë e vet. Dhe zëri i saj rrëfen një të vërtetë të ndryshme nga ajo që njohin të gjithë: melankolike dhe vibruese, flet për një krijesë të etur për dashuri, të mbushur me pasion dhe sensualitet, por të shtrënguar t’i bindet ligjit të të atit – mbret dhe të martohet me një burrë që nuk e kishte zgjedhur dhe as dëshiruar.
Flamuri i Kombit Shqiptar
Jaho Brahaj
Tezat e lashtësisë së shqiponjës dykrenare, emblemë dhe simbol i Flamurit të kombit tonë, ka më shumë se dy shekuj që është vënë në qendër të vëmendjes së dijetarëve të huaj dhe shqiptarë. Kësaj teme i kushtohet studimi i autorit Jaho Brahaj, i njohur në fushën e heraldikës dhe të studimeve të historisë dhe kulturës të Mesjetës shqiptare.
Publikja shqiptare, ese
Janë plot 12 ese kritike, të shkruara nga 12 personalitete të kulturës dhe të mendimit shqiptar, të cilët duke marrë në shqyrtim elementet filozofike, politike, nacionaliste e gjuhësore, na sjellin në vëmendje çështjen kombëtare. Çështja shqiptare dhe shqiptarët 100 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.
Violeta Librazhdi
E papërsëritshmja Vaçe
Libri vjen në 75-vjetorin e lindjes së këngëtares së madhe shqiptare, Vaçe Zela. Kujtime të vyera të shkruara nga mikesha e fëmijërisë, duke na sjellë detaje nga jeta e ikonës së muzikës sonë..
“Një shikim të shkurtër një libri dhe ju keni dëgjuar zërin e një personi tjetër, ndoshta të dikujt që ka vdekur para 1000 vjetësh. Të lexosh do të thotë të udhëtosh në kohë”.
~Carl Sagan
Ose shkruaj diçka që ia vlen ta lexosh ose bëj diçka që ia vlen ta shkruash!
(Benjamin Franklin)
- Lexo dhe bëhu i pasur! (Donald Trump)
Libri i mirë në kohën e mirë mund të ndryshojë jetën! (Burke Hedges)
- Ndoshta kanë pasur të drejtë që e kanë vënë dashurinë nëpër libra, ngase ajo nuk mund të jetojë askund tjetër! (William Faulkner)