Kater histori per kater kandidate

Katër histori për katër kandidatë
Për këtë duhet edhe një histori e mirë. Duhet të rrëfehet jeta si një roman, të shndërrohet në një seri episodesh simbolike, që të jenë të fortë, prekës, të drejtpërdrejtë, të kapshëm menjëherë, por mbi të gjitha unikë. Duhet të ekzistojnë ngjarje që përfaqësojnë në mënyrë të qartë heroizmin, vuajtjen, kurajën, mençurinë, grintën dhe bujarinë. Një karizëm e dukshme është bileta më e mirë për të hyrë në ekipin presidencial dhe për të fituar zgjedhjet. Ndaj, gjatë zgjedhjeve paraprake janë shfaqur menjëherë dhe kanë mbetur në garë deri në fund tre karakteret më të spikatura, me një histori personale më të fortë dhe me kapacitetin për t‘u bërë simbole: "heroi i luftës", Xhon MekKejn; "gruaja e parë", Hillari Klinton; "afro-amerikani i parë", Barak Obama. Tri histori aq të forta saqë pushtuan shtypin e të gjithë botës.

E nuk ka asgjë për t‘u çuditur që nuk ia doli mbanë ai që mund të cilësohej maksimalisht si "miliarderi mormon", Mit Romnei, apo "predikuesi" (Hakëbi), "avokati i jugut" (Eduards) apo "kryebashkiaku i Amerikës" (Xhuliani), karaktere që nuk janë fort tërheqëse, apo në të cilët mund të identifikojë veten një pjesë e qenësishme e popullatës. Për të krijuar një kandidat fitues, biografitë duhet të jenë të reduktuara te gjërat thelbësore, të transformohen në një sekuencë fotogramash-simbol. Barak Obama është biri i një vajze nga Kansasi dhe një studenti të ardhur nga Afrika (ëndrra multikulturore amerikane), ka lindur në Havai (një apel ekzotik që tërheq), është rritur nga gjyshërit (detaj prekës), ka pasur një moment humbjeje me hashash e kokainë. Një hetim gazetaresk ka ngritur dyshime mbi këtë histori, duke aluduar se ndoshta gjithçka është ekzagjeruar për të bërë më efikase përhumbjen dhe ringritjen që pasoi. Sepse kjo është një temë që mund të krijojë një valë me motive të pabesueshme, në një vend që e cilëson "mundësinë e dytë" si një dogmë fetare, duke parë se shoqërohet gjithnjë me ringritjen. Xhorxh Bush e ka shfrytëzuar këtë pasi ishte në gjendje të prezantonte njollën më të dukshme të së shkuarës së tij, alkoolizmin, si zbritjen drejt ferrit nga ku ai doli dhe rigjeti besimin te Zoti, i cili më pas e ktheu në rrugën e drejtë.

Veç të tjerash, Obama është ylli i Harvardit, që preferon angazhimin civil në një karrierë të sigurt suksesi si avokat dhe një i ri që kalon çdo parashikim. Xhon MekKejn ka një histori të vetme, por aq të fortë saqë deri më tani ka funksionuar më së miri me dhjetëra herë: burgosja prej pesë vitesh dhe torturat në një qeli vietnameze. Flasin vetë edhe shenjat që ai ka në trup. Dhe motivi i tij është kurajoja për të refuzuar privilegjin e të liruarit të parë, për shkak të faktit se ishte biri i admiralit amerikan që komandonte forcat në Paqësor. Një zgjedhje që e ka lejuar atë të përdorë një slogan fitues: "Kam vënë gjithnjë Amerikën para gjithçkaje tjetër". Edhe në zgjedhjen e zëvendëspresidentëve, stafi është frymëzuar nga e njëjta logjikë dhe dy të përzgjedhurit janë prezantuar me histori plot me pasazhe, të aftë të krijojnë simpati te zgjedhësit: republikania Sara Palin ka dalë e dyta në një konkurs për Mis Alaskën (kuriozitet), dilte për gjah me të atin dhe ha hamburger (vendosmëri dhe thjeshtësi), ka pesë fëmijë, por ka mundur të bëhet guvernatore e një shteti (admirim), ka zgjedhur të mos abortojë, edhe pse e dinte se fëmija i fundit ishte i prekur nga sindroma Daun (kurajë dhe dhembshuri). Historia e demokratit Xhozef Bajden është rrëfyer me përsosmëri nga Barak Obama: babai i tij ishte i pasur, por humbi gjithçka, sepse rriti vetë fëmijët dhe nuk pati turp të pranonte edhe punët më të rëndomta (këtu bashkohet retorika e etikës së punës me nderin dhe durimin), bashkëshortja e tij dhe e bija, që ishte vetëm një vjeç, vdiqën në një aksident rrugor në 1972-shin, ndërsa shkonin të blinin pemën e Krishtlindjeve (këtu ndonjë zgjedhës, qoftë demokrat apo republikan, mbetet pa frymë dhe më pas admiron kurajën e kandidatit).

Bajden u ka mbijetuar edhe dy operacioneve në tru. Por, edhe historitë më të përditshme dhe banale mund të bëhen domethënëse dhe plot kuptim, nëse skenaristi politik është i aftë. Kështu, edhe thjesht udhëtimi me tren mund të ketë karakter heroik: "Xho Bajden, i mbetur i ve, vendosi të rriste dy fëmijët e tjerë pa i lënë kurrë vetëm. Çdo mëngjes shkonte në Uashington me tren dhe çdo darkë kthehej në shtëpi për t‘u dhënë darkë të bijve. Tre orë me tren, çdo ditë, për 35 vjet". E gjitha kjo i ka pëlqyer shumë stafit të Obamës, sepse flet për binarë, punë, lodhje të përditshme, por mbi të gjitha sepse sjell një njeri të thjeshtë dhe zbeh imazhin elitar të senatorit me ngjyrë. Madje, një ditë para Konventës, Bajden ka shkuar në stacionin e Uilmingtonit për të përshëndetur punonjësit e hekurudhës dhe shefin e stacionit, të cilët i prezantoi edhe si "shokë të një jete". E pakënaqësitë e tyre e bënë që të thoshte në fjalimin e tij në Denver: "Ndonjë natë treni ecte kaq ngadalë saqë arrija të shikoja kuzhinat e shtëpive përgjatë hekurudhës dhe familjet që diskutonin mbi vështirësitë e jetës". Një filozofi e sintetizuar në frazën që ai përdor gjithnjë: "Babai im më ka mësuar se nuk ka rëndësi sa herë rrëzohesh. E rëndësishme është sa shpejt ngrihesh sërish". Një sintezë perfekte e karakterit amerikan që ndez ovacione në sallë. Natyrisht, fëmijët janë një mjet komunikimi i mrekullueshëm nëse janë të vegjël dhe ekspozohen për të ndikuar në opinion. E nëse shkojnë në front, kjo është një super-plus. Djali i MekKejnit është kthyer prej pak muajsh nga Iraku, por babai nuk ka dashur të flasë, duke e bërë të gjithë këtë akoma më stoike dhe më kurajoze.

Të mërkurën e shkuar, në Denver ka folur edhe Bo Bajden (38 vjeç), djali i madh i zëvendëspresidentit, që në tetor do të niset drejt Bagdadit. Por, të enjten historia u la në hije nga lajmi se djali i Sara Palin, që është vetëm 20 vjeç, do të niset po ashtu drejt Irakut më 11 shtator. Çdo kandidat dhe çdo parti ka skenaristët e saj, rrëfyesit e ngjarjeve, lexuesit e tyre, njerëz në gjendje të "kapin" episode të vërteta dhe t‘i zmadhojnë, të gjejnë sintezën perfekte. Obama, ndërkohë, e bën këtë vetë. Kishte filluar me autobiografinë e tij që e kish shkruar kur ishte vetëm 33 vjeç. MekKejn ka takuar Mark Salter, që quhet ndryshe edhe "poeti", me të cilin ka shkruar pesë libra: është ai krijuesi i mitit, apo siç e ka quajtur revista "Time", "predikuesi i kishës së Xhonit". Atij i atribuohet merita e krijimit të një personazhi, por ai natyrisht nuk e pranon këtë: "Xhon ishte një qenie njerëzore e formuar kur unë e takova. Thjesht kam rrëfyer historinë e tij, nuk është një gjë që e kam shpikur unë". Por, gjithsesi, ai dhe të tjerë njerëz kalojnë ditë dhe net të tëra duke krijuar rrëfimin e përkryer.



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama