Kavafis Kodi 154

Kavafis, Kodi 154
Aristotel Spiro e mbajti për njëzet vjet në dorë veprën e plotë poetike të Kostandin Kavafit. Jo pak përkthyes po e sillnin në shqipe prej mënge e pothuaj asnjë nuk e futi në prag. Përkthimi i Spiros pretendon të korrigjojë variantet e mëparshme.

Prej vitit 1985 e deri më sot, poeti grek i Aleksandrisë Konstandin Kavafis (Constantine Cavafy, 1863-1933) është kapur prej mënge dhe është sjellë në shqipe në disa versione. Kapërcimin e pragut me veprën e plotë poetike e bëri Aristotel Spiro (Botimet Pegi, 2010). Kemi prej tij përkthimin e vëllimit me 154 poezi, që përbën Kodin poetik të Kavafit, i botuar postum në Aleksandri, dhe për herë të parë në Greqi më 1948. Spiro ka bërë përkthimin nga origjinali greqisht, shkruar parathënien, pajisur me shënime dhe komentuar këtë vëllim për të cilin ishte kandidat për Çmimin "Fan Noli" mbi përkthimin, në edicionin e fundit të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë që jepen nga Ministria TKRS-së. Me Kavafin është provuar përkthimi nga greqishtja, nga gjuhë të dyta e të treta, nga autorë si Kadare, Rudolf Marku, përkthyes si Perikli Jorgoni e Llambro Ruci, apo nga Luan Zyka. Ndonjë variant tjetër përkthimi është në ardhje.

E njohur relativisht vonë, në mesin e shekullit të kaluar, poezia e Kavafit ruan pasuri për lexues të ardhshëm, që ndoshta nuk janë lindur ende. Nga kjo pasuri, përkthimi i Aristotel Spiros ka nxjerrë të papritura që Kafavi i lejon dhe shqipja e vjetër e Buzukut, Matrëngës, Bardhit, Bogdanit dhe me konsulencën e prof. dr. Anila Omarit, i përmbush.

Botimi i veprës së plotë poetike të Kavafit nga origjinali greqisht, çfarë rregullash i përmbahet?

Është botim i veprës së plotë që ka pranuar Kavafi. Veç këtyre janë edhe disa poezi që ai nuk arriti t'i botonte dhe një pjesë që i mohoi. Shumë shtëpi botuese kanë botuar pjesë nga kjo krijimtari.

Me çfarë pretendimesh ka të bëjë kjo pjesë e mohuar?

I mohoi sepse besonte se nuk e përfaqësojnë besimin që ai kishte për poezinë. I takojnë një periudhe romantike, ndërsa poezitë që ka pranuar, 154 gjithsej, janë hapi i parë i madh drejt realizmit në poezinë greke, megjithëse Kavafi e zhvilloi gjithë aktivitetin e tij poetik e letrar jashtë Greqisë, sepse quhet poet i diasporës dhe nuk është se ka jetuar në Greqi. Ky detaj i jetës së tij i ka dhënë atij mundësinë që të shprehet në një kontekst më të gjerë universal, pra është një poet grek i përmasave ndërkombëtare.

Ka disa përkthime dhe botime të poetit në gjuhën shqipe.

Tregon që ka një interes, që lexuesi shqiptar është një lexues i kualifikuar, gjithmonë kërkon, dhe ky përkthim pretendon të ketë një karakter korrigjues ndaj përkthimeve të mëparshme.

Deri ku kanë arritur gabimet?

E vërteta është që këto përkthime i kam kryer para njëzet vjetësh. Pra para përkthimeve që kanë qarkulluar deri më tani. Doja të shkëputesha nga ajo ndjesi subjektive që ka çdo njeri që përkthen dhe krijon.

Në fund të viteve '80, poeti prezantohej shqip me pak poezi të përkthyera nga Ismail Kadare. Kishte dalë atëherë një antologji e poezisë greke dhe poezitë e tij të përkthyera nga Ismail Kadare dhe një nga Llabro Ruci, "Qyteti". Kadare ishte një autoritet që vepronte me fuqinë e talentit të vet të padiskutueshëm, por nuk besoj se ishte i pacensuruar edhe ai. Po të shikoni te përkthimi i "Itakës", ka një varg i cili nuk ekziston në origjinal. Ekzistonte rreziku i keqinterpretimit të Kavafit nga populli.

Çfarë ka ndodhur me këtë poezi?

I është shtuar një varg, fundi: "do të kuptosh se ç'do të thotë Itaka/ do të kuptosh se ç'është atdheu". Pra është manipuluar një përkthim. Gjithë konteksti i kësaj poezie është që nuk ka rëndësi destinacioni, nuk ka rëndësi të vesh tek atdheu siç u mundua ta orientonte censura e kohës. Por ka rëndësi të mësosh nga jeta filozofinë e saj, ka rëndësi udhëtimi jo destinacioni. Kurse për censurën ka rëndësi atdheu.

Në një sistem të mbyllur kjo ishte heretike, të shikoje në një drejtim që nuk ishte atdheu. Ishte viti 1985.

Unë kisha rënë në kontakt me poezinë në origjinal të Kavafit në kohën e ndryshimeve të mëdha shoqërore, demokratike në Shqipëri.

Kam qenë pjesëmarrës dhe të lexuarit e poezive të Kavafit sikur krijonte klimën e përshtatshme për t'i parë gjërat me sy tjetër. Ka disa mesazhe të cilat janë të gjithkohshme dhe të bën që ta shohësh realitetin me një abstraksion që nuk mund ta shohësh as duke lexuar një tekst politik apo social. Është mënyra e vetme që ka Kavafi për të parë botën.

Është e vështirë për ta përcjell me fjalë leximin mes rreshtash që ai i bën historisë dhe sintezat që nxjerr prej andej si një bashkëkohës i sotëm.

Ky poet ka jetuar në fund të shek. XIX - fillimi i shek XX; ka qëndruar në Aleksandri, studioi në Angli; njohës i disa gjuhëve. Edhe historinë e Greqisë edhe botën, e shikonte nga pozitat e një kundruesi objektiv. Kishte largësinë gjeografike dhe kohore për t'i parë kështu gjërat. Ishte nëpunës, kishte një rrogë dhe kohën tjetër të jetës ia kushtonte letërsisë dhe vetes. Kishte një dëshirë të vjetër për të qenë historian. Nuk i mjaftoi jeta që jetoi dhe për këtë shfrytëzoi poezinë.

Nga ky cikël i poezive me motive homerike, nga mitet greke apo historia e Romës, cikël i Kavafit racional, kujtojmë "Kuajt e Akilit", "Varrimi i Sarpedonit, "Ndërprerje", "Termopilet", "Duke pritur barabarët", "Idet e Marsit"... Kavafi shikon të gjejë personazhe të njohur historikë, por duke kapur anën e tyre njerëzore, zakonisht dobësitë e tyre. Njëkohësisht trillon personazhe për periudha që nuk i ka jetuar, duke dhënë thelbin e mesazheve që duhet të lexojmë te historia. Ai nuk interesohet për historinë në vetvete por për të tashmen.

Është ajo që e shqetëson, e tashmja dhe e ardhmja. Historia është një fakt që ka kaluar dhe mund të ketë disa interpretime dhe këto mund të ndikojnë në të tashmen dhe në të ardhmen. Kavafi e përdor poezinë për të interpretuar historinë. Ai shfaqet depresiv kur flet për përditshmërinë në poezitë "Monotoni", "Mbarim", "Sa mund", "Në po atë vend", "Dritaret". Nga kjo e fundit citojmë: "Ndër këto dhoma të errëta, ku kaloj/ ditë të rënda, endem rretheqark/ për të gjetur dritaret./... drita ka për të qenë një tirani e re".

Kjo ka të bëjë edhe më jetën e tij. Mund të ketë shumë interpretime: njeriu ka faza në jetën e vet, ngjarje që duhet të përballojë; shoqëria ka disa momente historike ose jo historike; një njeri qoftë i thjesht, qoftë udhëheqës ka për të gjetur te Kavafi një poezi për gjendjen në të cilën kalon. Por mund të interpretohej si kundërvënie e së resë me të vjetrën dhe kuptimi i dyfishtë i progresit. Progresi ka anën e vet të dobët, sepse duke qenë një hap drejt lirisë, ekziston gjithmonë rreziku i shpërdorimit dhe manipulimit të kësaj lirie.

Vetë Kavafi ishte në një pozicion të tillë që i imponohej ai lloj vështrimi i jetës.

Ai kishte edhe një veti që shoqëria mund të mos e pranonte lehtë. Ishte homoseksual.

Ju ç'mendoni për këtë grup erotik të poezisë së tij, krahas asaj filozofike dhe historike?

Ato janë disa nga poezitë më të mira. Të gjithë ata që i referohen poezive të dashurisë, duhet të abstragojnë nga vetia biologjike dhe psikologjike e Kavafit dhe t'i shikojnë si krijime letrare.

Ai përdori të gjitha mundësitë që kishte greqishtja për ta shenjtëruar këtë ndjesi të tij. Në disa poezi shikojmë disa forma bizantine të paraqitjes së dashurisë. Kjo është diçka që nuk vërehet në ndonjë autor tjetër botëror.

Duket sikur lexon një tekst liturgjik.

Po, i njëjti varg ndahet në dy pjesë dhe pamja vizuale të krijon atë përshtypjen e një teksti liturgjik. Mirëpo është një poezi erotike e atij erotizmi të sëmurë, siç e quan vetë Kafavi. Ai është i ndërgjegjshëm kur u këndon atyre ambjenteve dhe thotë: ky është njeriu në fund të fundit. Njeriu me anët e tij të mira dhe të dobëta. Dhe besoj se ana e vërtetë e njeriut është ajo ana e dobët që ai përshkruan.

Bëri jetë të vetmuar dhe pati vetëm një partnerë të cilit i la edhe trashëgiminë poetike.

Kundërshtimet dhe rezervat për Kavafin janë të natyrës subjektive dhe kanë të bëjnë edhe me këtë fakt të jetës së tij.

Shpesh ai mundohet ta mbulojë këtë fakt në poezi.

As poezia greke nuk ishte mësuar me këtë mënyrë të shprehuri. Të kaloje nga romantizmi dhe realizëm, nuk ishte aq e lehtë për Greqinë. Por koha tregoi që Kavafi kishte ndjesinë se ajo formë poetike të shprehuri kishte të ardhme.

Përdorimin e disa formave të shqipes së vjetër në çfarë rastesh e keni shfrytëzuar?

Gjuha e Kavafit është e vështirë sepse ka elemente të disa formave gjuhësore. Ka elemente të greqishtes dialektore të cilat një përkthyes duhet t'i ketë parasysh. Aty ka elemente të greqishtes së Stambollit, Aleksandrisë, greqishtes së përbashkët, të asaj greqishteje që flitej në fund të shek. XIX e fillimi i shek XX. Ka disa pjesë nga greqishtja e vjetër dhe greqishtja bizantine. Krijohen disa raporte gjuhësore teksture që japin ndjesi origjinale kur i lexon. Përveç saktësisë së kuptimit duhet t'i përcjellësh lexuesit të gjuhës së huaj edhe ato ndjesi që i krijon Kavafi lexuesit grek në origjinal. Kjo nuk arrihet asnjëherë sepse kalojmë në sistem gjuhësore të ndryshme. Atë ndjesi jam përpjekur ta arrij duke rikrijuar disa forma të vjetra shqipes. Për shembull në poezinë "Eja, o mbëret i Lakedemonëvet", fjala mbëret, apo mbiemri, që nuk përdoret sot, ngjan sikur është gjetur në shqip një tekst i tillë në një shqipe më të hershme. Dhe ka disa të tilla....Nuk lexohet menjëherë Kavafi, duhet vazhdimisht.

Na thoni dy fjalë për veten?

Kam qenë pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Elbasanit dhe kam punuar më 1986-1992. Kam përkrahur pa rezerva lëvizjen demokratike. Përkthimet e parë të Kavafit i bëra më 1987. Nuk kisha botuar ende diçka, sepse kishte një censurë të fortë.

Unë vij nga Delvina.

Prindërit e mi janë të dy grekë. Studimet e mia fillestare i kam bërë në gjuhën greke. Jam me fat që kam bërë studime për gjuhën shqipe dhe pastaj jam thelluar dhe në studimet e greqishtes, në dialektologjinë greke. Kam përkthyer Ricosin, por nuk i kam botuar. Mendoj që komunikimi letrar ka edhe këtë anë njerëzore, të komunikimit midis njerëz që shkruajnë nga të dyja anët e kufirit. Ky komunikim i njerëzve konkretë zhvillon komunikimin midis njerëzve të artit dhe letërsisë nga të dyja vendet dhe heq atë semiologjinë e rreptë të izolimit që imponojnë kufijtë shtetërorë. Së fundi, shpresoj t'ju kem dhuruar lexuesve atë që ata presin nga poezia në përgjithësi dhe nga poezia e Kavafit në veçanti.

Një poezi nga Kostandin Kavafis, përkthyer nga Aristotel Spiro

Che fece... il gran rifiuto

Ca njerëzve u vjen një ditë
që u duhet PO-në a JO-në e madhe
të thonë. Shfaqet në çast ai që e ka
të gatshme PO-në përbrenda dhe, me ta thënë, ikën

tutje në nder e në besim të vet.
Ai që mohon nuk pendohet. Nëse prapë do ta pyesnin,
Jo do të thoshte sërish. Dhe prapë e pushton
Ajo JO e drejtë në tërë jetën e vet.
1901

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama