Kazinote Berisha dhe Rama akuzojne njeri-tjetrin per lidhje me bandat e krimit

Kazinote, Berisha dhe Rama akuzojne njeri-tjetrin per lidhje me bandat e krimit

Seanca e ditës së enjtes ka sjellë debatin e radhës mes mazhorancës dhe opozitës. Aksioni kundër lojërave të fatit ka sjellë akuza të ndërsjellta mes palëve për lidhje me krimin. Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar një turp aksionin për mbylljen e lojërave të fatit dhe ka akuzuar ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri të lidhur drejtpërdrejt me pronarët e kazinove duke thënë se aksioni përfundoi me vrasjen e njeriut më të afërt të Tahirit pak ditë më parë. Ndërkohë kryeministri Edi Rama tha se lojërat e fatit kanë lidhje me njerëz të parlament duke iu drejtuar Berishës se “ një njeri që bërtet kështu si ju ose është një bixhozxhi që ka humbur lekët ose një kryeministër që ka fituar lekë nga bixhozi”. Të dy palët akuzuan njëra-tjetrën për lidhje me bandat e krimit. 

Berisha: Ju shkatërruat policinë që kishte dosje për ju

Ish-kryeministri Berisha tha dje në Kuvend se synimi kryesor i aksionit kundër lojërave të fatit ishte shkrirja e policisë kriminale. Sipas Berishës, “kjo polici dispononte dosjet që implikonin kryeministrin dhe ministrat e qeverisë për lidhje me bandat kriminale.”

“Gënjeshtar kongenital, thotë nuk është marrë asnjë veprim, shkritë policinë kriminale për shkak të dosjeve për ju, ka bërë kaq denoncime, ja ku e keni Fidelin një nga kalorësit e lojërave të bixhozit. Aksioni kishte qëllim ti hapte fushën vëllaçkos me hakmarrjen për drejtësi që po fut qindra makina çdo ditë, cilin keni çuar në gjykatë, në prokurori, flisni për krim ekonomik pa kriminelë, jeni qesharakë të pabesueshëm, e bëtë operacionit për ti hap rrugën hakmarrjes dhe lidhjes që keni me të, për të shkrirë policitë kriminale që kishte dosjet tuaja për lidhjet me bandat nga e Lushnjes, tek hakmarrja. Ky është shteti i dordolecit, ti je qesharak, po pallatin e zonjës së fundit që e ke në kundërshtim me kushtet ligjore, kur do ia vësh minat ti. Ti mendon se shqiptarët mund ti mashtrosh, por ata do të japin përgjigjen e merituar dhe shumë shpejt”- tha Berisha.

Më herët gjatë fjalës së tij në Kuvend Berisha tha se aksioni është i turpshëm dhe ka kthyer frikën tek bizneset. “Çfarë bëtë me lojërat e fatit. Turp ngritët 6000 policë në mbarë vendin dhe u katandisët me një vrasje. Kush u vra? Njeriu më i afërt i ministrit të Brendshëm. C’është kjo që bëni ju? Tani i thërrisni hajde t’ju heqim shiritin, por paguani ryshfet. Po dhunoni Kushtetutën, konventën evropiane të të drejtave të njeriut, themelet e një vendi demokratik.  Bizneset kanë filluar të largohen nga Shqipëria masivisht, sepse banda të paautorizuara dhe jashtë të gjitha afateve kohore u trokasin dhe thyejnë dyert, lemerisin gra dhe fëmijë nga Saranda në Kukës. Mazhoranca ka të gjitha instrumentet ligjore për të marrë të gjitha vendimet por jo për gjyq parlamentar. Ju jeni të kapur. Prapa luftës të çdo kompanie qëndron përpjekja juaj për të vendosur monopolet tuaja.”- deklaroi Berisha.

 

Rama: Ky biznes mbulohej nga kryeministri


Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të paraardhësit të tij Berisha, në lidhje me aksionin për lojërat e paligjshme të fatit. Shefi i qeverisë tha se krimi ekonomik me lojërat e fatit nuk ishte regjistruar në asnjë raport të Policisë, dhe ky fakt sipas Ramës, dëshmon mbulimin e këtij aktiviteti të paligjshëm nga kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme.

“Lojërat e paligjshme të fatit përcaktohen në ligjet e Republikës së Shqipërisë si krim ekonomik. Ky krim ekonomik në formën e një veprimtarie kriminale të mirëorganizuar ka lulëzuar në çdo cep të Shqipërisë, në çdo lagje të kryeqytetit, në çdo lagje të qyteteve të mëdha dhe të vogla, duke shkatërruar përditë jetë familjesh, duke shkatërruar djem të rinj e burra të papunë. Si ka mundësi që në gjithë këtë bahçe bixhozi, në gjithë këto lule të mbjella në ruleta, nuk ka një raport të vetëm të shkruar nga cilido qoftë në zinxhirin e krimit ekonomik në policinë e shtetit. Kjo mund të ndodhi vetëm nëse ky aktivitet kriminal ka mbulimin politik të kryeministrit dhe ministrit të brendshëm. Askush tjetër nuk mund ta garantojë një aktivitet të tillë kriminal. Është i pamundur të mbulohet ky aktivitet kriminal që zhvillohet përditë në sytë e të gjithëve.”- deklaroi Rama.

Rama vazhdoi me akuzat për lidhje mes parlamentit dhe lojërave ilegale të fatit duke thënë se “Këto salla dhe kompjutera ilegalë ishin të lidhur me sistemin ilegal të ministrit të brendshëm dhe kryeministrit. Nuk ka asnjë mundësi tjetër në botë që kjo të ndodhi. Dhimbjet sapo kanë filluar, lufta jonë me krimin e organizuar dhe posaçërisht me krimin ekonomik do të jetë e pashpirt dhe ne do ti shkojmë deri në fund kësaj lufte me çdo çmim. Kush është i ngatërruar me ato zorrë, do të ketë dhimbjet e barkut dhe fatkeqësisht qendra e atij barku është këtu në parlament. Ne nuk mund t’jua lehtësojmë dot ato dhimbje.”

Shefi i qeverisë garantoi shkatërrimin e të gjitha monopoleve në vend, për ti hapur rrugë konkurrencës së ndershme.

“Kush akuzon se ne po sulmojmë kompani për të hapur kompani, e ka bërë vetë. Kush akuzon se ne i marrim vendimet brenda mureve të shtëpisë, e ka bërë vetë. Dallimin e bënë shumë të qartë shqiptarët më 23 qershor. Është një dallim që do ta bëjmë përditë e më të dukshëm. Në këtë republikë do të respektohet cilido që zbaton ligjin.”- deklaroi Rama.

 

Tahiri- Berishës: Ju keni heshtur për paligjshmëritë 



Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri reagoi dje ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha për shtimin e aksidenteve në rrugë pas shkrirjes së Policisë Rrugore Sipas Tahirit, është e pavend që ish-kryeministri të reagojë sot mbi sigurinë në rrugë, kur deri dje nuk bëri asnjë deklaratë për numrin e lartë të aksidenteve që shënoheshin. “Shqetësim i madh siguria në rrugë. Por ju z deputeti Berisha kur keni qenë kryeministër jeni strukur në karrige dhe nuk keni folur për situatën e aksidenteve në vend. Ka një problem për situatën rrugore në vend. Do ia arrijmë të ulim numrin e aksidenteve në vend. Sepse e di çfarë kemi gjetur kur erdhëm?

 

Polici rrugore më të korruptuar nuk ka pasur ndonjëherë në histori. Por ju nuk jeni ndier për këtë korrupsion, nuk u përgjigjet as kur bodiguardi i djalit tuaj plagosi kamerieren në mes të Tiranës. Paligjshmëria është ende aty, do kisha preferuar të çoheshit këtu e të flisnit për këto. Do preferoja të ngriheshit këtu që 6 mijë policët i dhanë fund paligjshmërisë së lojërave të fatit.Paligjshmëria kërciste deri në zyrat tuaja, ku paligjshmëria e lojërave të fatit të përplasej para fytyrës dhe nuk merrje asnjë masë derisa kjo u kthye në një plagë familjare. Unë jam i gatshëm të përgjigjem ditë natë për cdo detyrë që ndërmarr. Mbyllja e atij biznesi të paligjshëm është më e mira se cjerrja juaj para kësaj faltoreje. Ai biznes po shkatërron familjet shqiptare”.

Ndërsa për aludimet e bëra nga Berisha për lidhjet me botën kriminale Tahiri tha se është i hapur për të vërtetën.”Përsa i takon çdo aludimi lidhur me mua apo çdo anëtar të kabinetit, jemi të hapur, pasi kjo është shenjë e përgjegjshmërisë tonë. Jepini vetes shansin që jeni bashkë me ne në luftën ndaj krimit, e mos u bëni palë me ata që deri dje bënin qejf e sot fshihen nga aksionet e policisë”, tha Tahiri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama