Kazinote e Tiranes po luajne (mendsh) te gjithe

Kazinote e Tiranes, po luajne (mendsh) te gjithe
Të fitosh pa u lodhur, thjesht me një të shtypur butoni, ose të shkatërrohesh duke humbur gjithçka: gruan, fëmijët, shtëpinë, punën. E megjithatë të vazhdosh. Ashtu, pa personalitet, si “aktor”, duke shitur dhe humbur gjithçka vetëm e vetëm për të luajtur. Një skenar të tillë të japin punonjësit e kazinove në Tiranë, ndërsa i pyet për të ditur më tepër lidhur me personat që frekuentojnë dhe lënë paratë në lojërat e fatit. Janë nga të gjitha moshat. Si rregull lejohen vetëm ata që i kanë mbushur të 18-at, por ky rregull nuk zbatohet gjithnjë dhe truprojat nuk u kërkojnë gjithnjë kartat e identitetit, kështu që nuk përjashtohen as 15-vjeçarët. “Ndoshta edhe më të vegjël”, thotë një prej punonjësve të një prej kazinove të kryeqytetit.

Por ka edhe pleq, mosha mbi 60 vjeç. Nuk janë shumë të rregullt në lojë, por megjithatë vijnë. Të parët, nxënësit dhe studentët lënë nëpër kazino paratë e prindërve, pasi nuk janë në punë, ndërsa të dytët, lënë paratë e pensionit. Shumat që lënë variojnë, për nxënësit shkon në 5 – 10 000 lekë (flitet vetëm me të reja). Hera-herës, të gjitha paratë që marrin nga familja për të vazhduar shkollën. Shkojnë dhe i lënë brenda një nate në kazino, ndërsa ankohen se Tirana është e shtrenjtë dhe se nuk po ia dalin dot.

Por mosha kryesore që frekuenton kazinotë është 25-45 vjeç. Kryesisht janë familjarë dhe njerëz që kanë një punë, biznes apo pagë buxhetore. Këta janë më të rregulltit. Koha e qëndrimit në një kazino varion sipas buxhetit që kanë. Ata që kanë më tepër para, qëndrojnë më shumë, të tjerët largohen më shpejt. Mesatarisht qëndrojnë 3 orë, duke përfshirë këtu ata që rrinë pak minuta e të tjerë që qëndrojnë edhe 24 orë.

“Ata që kanë më shumë para, vijnë dhe luajnë për zbavitje e zakonisht vijnë natën”, na thonë.

Çfarë mund të lësh për të luajtur në kazino

Gjithçka! “Kanë shitur shtëpitë, tokat, bizneset, janë ndarë nga gratë, nga fëmijët. Nuk llogaritet asgjë. Kur luan, e vetmja gjë që ka rëndësi, është vetëm loja. Një që luan në kazino shet orën, celularin, laptopin, shet madje edhe unazën e martesës vetëm e vetëm që të ketë para për të vazhduar lojën. Dhe këto shitje i bën për shifra qesharake. Mund të blesh një motor për 5 000 lekë apo një makinë të mirë për 100 000 lekë.”

Shumat më të mëdha të lëna

Variojnë. Ka edhe 500 000 lekë në një natë. Ka të pasur që linin nga 15-20 000 euro në një natë, këta të fundit në nivel qeverie ose drejtuesish. Normalisht nëpër ruleta lënë më shumë.

Si reagojnë ndaj gëzimit apo hidhërimit? Në të njëjtën mënyrë. Mësojmë se ka raste që dikush ka luajtur dhe i ka rënë për të fituar një shumë 250-500 000 lekësh. U ka rënë të fiktë nga gëzimi. Të tjerë kanë qëndruar 24 orë duke luajtur dhe në mëngjes truprojave u është dashur të thërrasin ambulancën në mënyrë që t’i çojnë në spital në gjendje të fikti, pas humbjes së të gjitha parave.

Historitë e kazinove janë të dhimbshme.

Ndoshta ju kujtohet rasti i një gardisti që vrau gruan vitin e kaluar. “Ishte një nga personat që vinte në kazinonë tonë”, thonë punonjës të një kazinoje pranë ish-bllokut në kryeqytet. “Linte të gjitha paratë aty, pastaj shkonte në shtëpi, merrte para të tjera dhe rikthehej. Mësuam se atë natë që vrau gruan, ajo nuk kishte pranuar që t’i jepte të tjera para. Kishte qëlluar mbi të e pastaj kishte vrarë veten”.

Divorcet? Shumica vijnë prej kazinosë

Të paktën ky është mendimi i atyre që punojmë. “Njohim plot persona që janë ndarë nga gratë për shkak të kazinove. Njërin madje, e kemi klient të rregullt. U nda nga gruaja e parë dhe mori të dytën. Shkak ishte loja në kazino. U nda edhe me të dytën pas një kohe jo shumë të gjatë. Kemi dëgjuar se me këtë të fundit janë ribashkuar, por s’jemi fort të sigurt. Ai vazhdon të luajë e të harxhojë para për të fituar”. Pastaj në shtëpi këta persona janë të dhunshëm. Nuk shfryhen dot te makineritë apo kazinotë ku luajnë dhe shkojnë në shtëpi dhe dhunojnë gratë e fëmijët. Ndoshta jo të gjithë, por shumica.

Ku gjenden paratë…

Shumica e atyre që luajnë, janë familjarë. Paratë që harxhohen, janë para rrogash. Punonjësit thonë se ka një fluks të madh parash në datat në të cilat merren rrogat dhe më pas gjithçka bie në normalitet. Një gjë e tillë tregon se bëhet fjalë për buxhetorë, të cilët paratë e marra nga puna e gjithë muajit, i lënë për të luajtur nëpër kazino. S’janë të pakta rastet kur burra në moshë, shkojnë në kazino me rrogën e muajit, i lënë të gjitha në lojë e pastaj ia plasin të qarit duke u ankuar se kanë lënë fëmijët pa bukë, pasi kanë humbur gjithë paratë. Nuk janë as të pakta ato raste në të cilat njerëz pa shtëpi, marrin kredi në bankë me shpresën për të përmirësuar jetën e familjes. Por, një xhiro nga lojërat e fatit dhe gjithçka lihet aty brenda pak orësh. “Njëri kishte marrë 300 000 lekë kredi për shtëpi. Erdhi dhe i la brenda 4 orësh”, na rrëfejnë.

Dhuna

Në një shifër të përgjithshme mund të thuhet se të dhunshëm bëhen rreth 20-25% e atyre që luajnë. “Qajnë, godasin makinat, shajnë. Të gjithë këta persona janë ata që nuk kanë para dhe i humbin të gjitha aty”.

Numri i atyre që luajnë

Janë pothuajse të njëjtët. Pak mund të kenë hequr dorë, por qarkullojnë më pak para. Sa vjen dhe bëhet edhe më e vështirë. Njerëzit nuk kanë lekë dhe kjo gjë pasqyrohet edhe nëpër kazino.

Femrat në kazino? Bashkë me burrin

Edhe femrat janë të pranishme në kazino. Jo në një përqindje të madhe, por nuk mungojnë. Shumica janë në moshë të rritur, ndoshta mbi 25 vjeçe. “Ka edhe pedagoge. E njoh njërën prej tyre pasi vinte rregullisht, madje merrte edhe bashkëshortin me vete. Tani ka nisur të luajë dhe ai dhe është fiksuar më keq se e shoqja. Lë edhe deri në 2 000 euro. Janë njerëz që kanë para, nuk vuajnë për to”, vjen rrëfimi.

Shumica e femrave që luajnë janë në gjendje ekonomike. Por ka të tjera që janë punonjëse të kazinove të tjera. Nuk luajnë tek puna e tyre, sepse ndryshe do t’i pushonin menjëherë dhe kështu luajnë në kazino të tjera ku nuk i njohin. “Shumë shesin edhe trupin në momentin që nuk kanë para për të luajtur. Nuk flitet thjesht për punonjëse të kazinove të tjera, por edhe për vajza të moshës 18-30 vjeçe të cilat frekuentojnë ambiente të tilla”.

Femrat, ndryshe nga meshkujt, nuk janë të dhunshme. Luajnë dhe pastaj largohen.

Pronari i një universiteti

Ka çifte që luajnë. Kështu tregohet rasti i një pronari të një prej universiteteve private në vend. Mësojmë se luajnë me shuma të tilla prej 1 500 000 lekësh. Por edhe më shumë se aq. Luajnë të dy, burrë e grua. Paratë vijnë më pas, pasi është luajtur në lojë. Tashmë janë klientë të rregullt dhe njihen prej punonjësve. “Luajnë për qejf. Nuk mërziten se humbasin. Thjesht luajnë, sjellin paratë më vonë dhe vijnë prapë më vonë. Për ta kazinoja është argëtim dhe jo një mënyrë për të fituar para”

Shuma më e madhe e fituar? 20 700 000 lekë

Rrëfejnë se shuma më e madhe e fituar në kazinotë e kryeqytetit është 20 700 000 lekë. Personi që i fitoi ishte pronar i një prej televizioneve në vend. “700 000 lekë iu la bakshish stafit. U mor vetëm pjesa tjetër. Ajo konsiderohet prej ne punonjësve si shuma më e madhe e parave të fituara. Por siç duket këto para fitohen vetëm nga ata që e shohin lojën si zbavitje e jo si ata që mendojnë se në kazino do të fitojnë. Fundja mbi këto makina shkruhet zbavitje. Dhe e tillë është”, thotë punonjësi.

Gënjeshtrat…

Janë të njëllojta si për femrat edhe për meshkujt. “Mendo një gënjeshtër, dhe ajo patjetër që është thënë prej tyre. Janë mjeshtër për të gënjyer në momentin kur duan të vazhdojnë të luajnë pa u shqetësuar”. Kur telefonohen nga familjet, nisin justifikimet:

Zemër, po pi një kafe me një shok/shoqe, nuk vonohem!

Jam rrugës duke ardhur për në shtëpi.

Jam në një qendër interneti

Vij për 5 minuta (dhe vonohet 5 orë)

Edhe priftërinjtë luajnë: Askush nuk bën përjashtim në vajtjet në kazino. Luajnë edhe priftërinjtë. Një foto e vërteton një gjë të tillë. Luhet pak, pa shpenzuar shumë para. Ndoshta thjesht një pasion i fëmijërisë a diçka më tej se aq. E megjithatë luhet.

Një lojtare e rregullt në kazino është edhe një grua pensioniste. Merr pensionin dhe shkon lë “ca lekë” në lojëra. Por vetëm kaq. Më pas largohet. “Është e rregullt”, thotë një nga punonjësit. “Siç duket jeton vetëm. Luan me lekët e pensionit, por nuk lë shumë”.

Teksas.. Pastaj, janë edhe tavolinat Teksas. Dikush blen një tavolinë, thërret ata që njeh në telefon dhe loja fillon. “Shkon dora edhe deri në 5000 euro për person. Ndoshta më shumë. Di që kanë filluar të përhapen. Vijnë edhe nga Maqedonia, Mali i Zi dhe luajnë. Kam dëgjuar që në Pogradec Teksas është përhapur shumë. Ndoshta pasi është vend pikëtakimi. Por ka edhe në Tiranë plot. Madje edhe në Qytet Studenti”.

Këshilla

“Janë aktorë të shkëlqyer”, thotë F.G., një prej punonjësve. “Në momentin që duan para, mund të gënjejnë për gjithçka, mund të qajnë, të kërkojnë falje, të shprehen të penduar, të premtojnë se një gjë e tillë s’ka për të ndodhur. Mua një burrë më erdhi me vajzën e vet 2-vjeçare. Humbi gjithë paratë dhe më tha: “Për kokë të gocës që e kam këtu, po më pe që kthehem, më pështy në surrat”. Nuk e besova. Dhe kisha të drejtë. Pas dy javësh u kthye sërish”.

“Mos u jepni para për asnjë arsye”, thotë 30-vjeçar, vëllai i të cilit humbi në lojërat e fatit të gjithë biznesin e vet. “Mos u besoni historive të trilluara ku shprehen se i humbën paratë këtu apo atje. S’i kanë humbur gjëkundi veç kazinove”.

Qendrat e rehabilitimit? Ja që varësia ndaj kazinove nuk quhet sëmundje. Të paktën nuk e quajnë kështu shumica e njerëzve, që e shohin thjesht si diçka kalimtare, deri në momentin që bëhet pjesë e tyre dhe u merr gjithçka.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama