Kazinote s’i prek kush

Kazinote s’i prek kush
Dita-ditës në çdo rrugë të Tiranës kazinotë apo bastet sportive shtohen porsi kërpudhat pas shiut. Në Tiranë janë mbi 80 kazino dhe mbi 800 pika bastesh sportive, për një popullsi që nuk i kalon një milion banorë. Efektet e “sëmundjes” së bixhozit jo pakkush i ka provuar në vendin tonë. Shumë prej personave që janë të varur nga ky ves “detyrohen” të marrin borxh, të shesin çfarë të mundin, celularë, orë, varëse, byzylykë, të vjedhin. Pasojat? Shumë prej tyre e kalojnë jetën duke larë borxhet, shpesh përfundojnë në burg për vjedhje apo vrasje (rasti i Viktor Gushit), dhe rastet më të rënda ku në pamundësi për të larë borxhet, gjenden të pajetë diku në ndonjë pellg apo kanal.

Duke u nisur nga problemet që sjellin kazinotë në zonat më të frekuentuara të Tiranës, Bashkia vendosi që prej fillimit të tetorit të niste zhvendosja e kazinove në ish-Uzinën e Autotraktorëve. Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha kërkoi zhvendosjen e lojërave të fatit pasi ato po shtoheshin dita-ditës duke iu afruar numrit të shërbimeve të tjera si markete apo dyqane. Sipas Bashës “kazinotë po zënë në një çark shtresat në nevojë dhe të varfra”. Megjithëse kanë kaluar 3 muaj nga momenti kur ky vendim hyri në fuqi, asnjë prej këtyre subjekteve nuk është zhvendosur. Bashkia e Tiranës zgjodhi territorin e Uzinës së Ndërtimit të Automjeteve (ish-Uzina e Autotraktorëve, Shkozë) pronë e saj, si zonën ku do të grupohen të gjitha lojërat e fatit.

Për të nxitur zh- vendosjen e këtij aktiviteti në zonën e përcaktuar, Bashkia e Tiranës i propozoi Këshillit Bashkiak, vendosjen e një takse të përkohshme për lojërat e fatit. Sipas Bashkisë, taksës së përkohshme të lojërave të fatit do t’i nënshtrohen të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj të licencuar për kryerjen e aktivitetit për lojëra fati. Në vendimin që u votua nga 28 këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Tiranës, thuhet se taksa e përkohshme e lojërave të fatit aplikohet për çdo sallë ku zhvillon veprimtarinë organizatori. Niveli i taksës së përkohshme do të aplikohet i diferencuar, sipas ndarjes zonale të hartës së qytetit të Tiranës.

Në të sanksionohet se për të gjithë subjektet që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e ish-Uzinës së Autotraktorëve, nuk do të aplikohet taksa e përkohshme e lojërave të fatit. Madje, sipas vendimit, subjektet e kategorisë së lojërave të fatit, kazino dhe kazino elektronike, që zhvendosin aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve, do të përfitojnë rimbursim të pagesave të kryera të kësaj takse. Kështu, subjektet që do të zhvendoseshin brenda datës 31 dhjetor 2012, do të rimbursohen në vlerën 100% të pagesës së kryer nga hyrja në fuqi e kësaj takse. Por deri më sot, ende nuk është zhvendosur asnjë pre tyre. Ndërsa subjektet që do të zhvendosen brenda datës 31 mars 2013, do të rimbursohen në vlerën 50% të pagesës. Subjektet e kategorisë së lojërave të fatit, kazino dhe kazino elektronike që zhvendosin aktivitetin e tyre në territorin e përcaktuar në Shkozë, përfitojnë rimbursim të pagesave të kryera të kësaj takse, sipas periudhës së zhvendosjes.

Megjithëse afati i fundit për zhvendosjen e kazinove në destinacionin e ri të përcaktuar nga Bashkia e Tiranës është data 31 mars, asnjë prej subjekteve nuk dëshiron të largojë biznesin e tij larg qendrës së Tiranës. I pyetur nga “Shekulli” menaxheri i një kazinoje tha se nuk ka për ta zhvendosur biznesin e tij pavarësisht se duhet të paguajë dhjetëfishin e taksës që paguan aktualisht. “Jam njohur me vendimin e Bashkisë së Tiranës për vendosjen e taksave të reja nëse nuk zhvendosemi në Shkozë. Edhe në rast se do të na duhet të paguajmë dhjetëfish, do të paguajmë. Nuk mund ta zhvendosim kazinonë atje pasi do të jemi të detyruar ta mbyllim”, tha A.A.

2. Adriana Berberi: Bashkia jep vendime për të mbushur arkën

Sipas Adriana Berberit, nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë në Këshillin Bashkiak, kazinotë nuk kanë për t’u zhvendosur në zonën e Shkozës. “Vendimi për zhvendosjen e kazinove ka hyrë në fuqi që prej 1 tetorit 2013 dhe ende asnjë subjekt nuk është zhvendosur. Ato po taksohen me një taksë të përkohshme e cila do të aplikohet deri në 31 mars. Nëse nuk zhvendosen deri atëherë kjo taksë do dhjetëfishohet.

Deri më tani nuk kemi verifikuar ndonjë zhvendosje dhe nuk besoj se do të ketë.” E pyetur për masat që do të marrë bashkia në rast se nuk ndodh zhvendosja e kazinove brenda afatit, këshilltarja e majtë tha se nuk kanë marrë përgjigje. “I kemi kërkuar kryetarit të bashkisë të na thotë se çfarë do të ndodhë në rast se kazinotë nuk zhvendosen brenda 31 marsit 2013, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Mendoj se qëllimi i i kryetarit të bashkisë është vetëm që të rrisë taksat kundrejt biznesit për të mbushur arkën bosh të bashkisë”, tha Berberi. Sipas vendimit të Bashkisë së Tiranës, i cili u votua vetëm nga këshilltarët e djathtë, kazinotë dhe kazinotë elektronike duhet të zhvendoseshin në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në të kundërt do t’u nënshtroheshin taksave të reja. Për sa i përket investimit për ndërtimin e ambienteve të reja, ai do të bëhet prej vetë subjekteve të cilat nëse nuk zhvendosen brenda 31 marsit, do të taksohen 10 herë më shumë.

3. Taksat e reja

Për kazinotë dhe kazinotë elektronike do të aplikohen këto taksa deri në 31 mars 2013: Për subjektet e zonës A, niveli i taksës është 1000 lekë/m2; Për subjektet e zonës B, niveli i taksës është 700 lekë/m2; Për subjektet e zonës C, niveli i taksës është 500 lekë/ m2. Në rast se deri në 31 mars 2013, kazinotë nuk do të zhvendosen në zonën e Shkozës kundrejt tyre do të aplikohen taksa të reja në dhjetëfishin e vlerës që do të paguajnë deri në atë periudhë. Kështu pas 31 marsit taksat e reja do të jenë: Për subjektet e zonës A, niveli i taksës është 10 000 lekë/m2; Për subjektet e zonës B, niveli i taksës është 7 000 lekë/m2; Për subjektet e zonës C, niveli i taksës është 5 000 lekë/m2. Aktualisht, sipas Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 20 kazino elektronike të licencuara, me 81 salla me kompjuterë dhe makina elektronike, 7 subjekte të licencuara për baste sportive, me 801 pika shitjeje si dhe 10 bingo.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama