Në disa fakultete mësimi i Gjuhës Shqipe do të nisë të futet si kurrikulë semestrin e dytë. Fillimisht si lëndë me zgjedhje. Ndërkohë që për të tjera do të nisë nga praktikimi vitin e ri akademik. Pedagogët janë me duar të lidhura. Ata ia faturojnë të keqen edukimit të mangët në ciklin 9-vjeçar dhe atë të mesëm. Tezat e provimeve, detyrat e kurseve, janë dëshmia më trishtuese e nivelit të gjuhës shqipe te studentët e sotëm. Alfred Mullaj, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tha se futja e Gjuhës Shqipe si lëndë me zgjedhje është domosdoshmëri pasi ata nuk dinë të shprehin qartë në të shkruar idetë e tyre. Madje kanë probleme të rënda në formulimin e fjalive. “Duhet të forcohet kërkesa në shkollë të mesme.
Por, për momentin për vetë problematikën që kemi duhet të futet si domosdoshmëri në universitet. Duke iu referuar fletëve të provimit, pothuajse gjysma e studentëve nuk dinë të shkruajnë. Ata shkruajnë fjali të ndërtuara jo mirë, kanë probleme me anën kuptimore etj. Mbi bazë të atyre që shkruajnë ne e kuptojmë se cilat janë njohuritë e tyre dhe mangësitë që kanë.”Kjo kategori, përbën pjesën më të madhe të studentëve. Prandaj, këtë vit është parë e domosdoshme që Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe Departamentin e Gjuhës Shqipe, ta merrnin këtë nismë për të hartuar tekstin si edhe për të rishikuar mënyrën se si mund të funksionojë Gjuha Shqipe në fakultete.
Shezai Rrokaj, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, informon Gjuha Shqipe do të përfshihet në Fakultetin e Ekonomisë në vitin e ri akademik. Mbetet për t’u parë zgjedhja që do të bëjë Universiteti i Mjekësisë, i cili më herët kishte premtuar që do ta bënte pjesë të kurrikulës së universitetit. Për mësimin e Gjuhës Shqipe do të punësohen pedagogë nga dega e Gjuhësisë.
Lënda e re do të njihet si “Kulturë gjuhe”, e cila synon marrjen e rregullave bazë nga studentët. Çdo degë ka një program bazë të gjuhës dhe pjesa tjetër është specifike në përshtatje me degën. Me studentët e juridikut do t’i kushtohet rëndësi e veçantë pikësimit, veç drejtshkrimit. Kjo sepse në fushën e drejtësisë është shumë e rëndësishme çdo shenjë gjuhësore. Mungesa e një presjeje është po aq e rëndësishme sa edhe një fjalë e hequr. Në disa degë të tjera do t’u kushtohet rëndësi modeleve të fjalëformimit dhe pasurisë leksikore të shqipes, që do t’i ndihmojë studentët të shmangin huazimet e tepërta.
Murat Xhulaj
“Në fletoret e provimeve e shkruajnë emrin me të vogël”
Prof. Dr. Murat Xhulaj, pjesë e senatit të UT-së shprehet se pjesa më e madhe e studentëve nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre. “Unë jam i mendimit që Gjuha Shqipe të futet në Universitet. Po të shohësh fletoret e provimeve edhe emrin e tyre e fillojnë me shkronjë të vogël dhe e përfundojnë me të madhe.” Profesor Xhulaj thekson se kjo situatë duhet të ishte zgjidhur që në sistemin 9-vjeçar ose të mesëm. Ai thekson se të gjithë studentët duhet ta zgjedhin lëndën e Gjuhës Shqipe, sepse edhe ata që janë të mirë kanë nevojë për rifreskim të njohurive bazë. “Nuk e di ku është defekti, por vijnë shumë të dobët. Ata nuk do të bëjnë një kurs të hollësishëm, por duhet ta rikujtojnë. Duhet të forcohen kërkesat për njohjen e gjuhës.”.
Theodhori Karaja
“Gjuha Shqipe, lëndë me detyrim për studentët e Fizikës”
Prof.Dr, Theodhori Karaja, përgjegjës i Departamentit të Fizikës, tha se për studentët e këtij departamenti, Gjuha Shqipe do të futet si lëndë me detyrim.“Ne e kemi planifikuar sipas porosisë së UT –së në lëndët me zgjedhje. Kemi një grup me katër lëndë me zgjedhje, ndër të cilat Gjuhën Shqipe, të cilën ta vendosim me detyrim. Do ta fusim të detyruar për të gjithë studentët, pasi është fjala për një kulturë të përgjithshme që i takon shkollës së mesme dhe ata nuk i kanë njohuritë e mjaftueshme” Kur e pyesim nëse do të ketë efekt futja e saj në kurrikulat e arsimit të lartë, ai thekson se ka besim se futja e gjuhës në universitet do të japë efekte pozitive. Nëpërmjet gjuhës studentët do të marrin kulturën bazë, e cila është detyrim që çdo specialist duhet të dijë të shkruajë.