Sistemi i mbrojtjes së pyjeve nga zjarret i ngjan si dy pika uji sistemit të paralajmërimit të niveleve kritike të ujërave në Shqipëri. Jo shumë vite më parë, kur niveli i ujërave tentonte të arrinte atë që quhej pika kritike, atëherë menjëherë lajmërohej instanca përkatëse në kryeministri. Ishte e lehtë përgjegjësia, sepse çdo hallkë e kishte përgjegjësinë e deklaruar dhe të mbajtur në një procesverbal, ku çdo hallkë e kishte direkt të precizuar përgjegjësinë për segmentin e vet të detyrës.
Një gjë e tillë, jo shumë larg në kohë, ka funksionuar deri në fillim të viteve ’2000. Pra, të 500 vrojtuesit e mbetur të pyjeve, të vendosur aty nga DPPK (Drejtoria e përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave), ashtu si kolegët e tyre të ujërave, detyrën e vetme që kishin, kundrejt një shpërblimi modest, ishte që edhe tymi më i vogël në zonën e tyre të lajmërohej menjëherë në qendër. Shumë vite më parë as nuk ekzistonin avionët për të shuar zjarret, por falë një mjedisi tepër të thyer, ku pyjet zakonisht priten nga përrenj, fragmente shkëmbinjsh, ishte më e lehtë prej lajmërimit të tyre që t’i vendoseshin barriera zjarrit.
A thua këto sot nuk dihen? Dihen dhe shumë mirë, por arsyeja e vetme qëndron në shfrytëzimin e paskrupullt, i cili qëndron që nga individi shqiptar dhe deri te politikani. Sistemi është prishur dhe këtë e shikojmë para syve, kur mungojnë vrojtuesit dhe skema e duhur e reagimit. Në ditët e fundit, kryeministri i vendit e ka gjetur armikun e tij të vërtetë tek militantët e PS-së. Kurse Opozita tek strategjia e tij e gabuar dhe tek politika që e ushqen këtë dëmtim. Ndërkohë, shifrave të lehtësuara nga Ministria e Brendshme, u kundërpërgjigjen frikshëm ato të E.F.F.S. (Institutit Evropian të Zjarreve në Pyje), që ka raportuar në vitet e fundit plot 110.034 ha të tilla në Shqipëri! Se deri ku do të vazhdojë kjo katrahurë këtë askush nuk e thotë dot, sepse e keqja nuk njeh më kufi. Atë nuk e administrojnë dot njerëzit e partive dhe më keq akoma vetë njerëzit që duhet të jenë përgjegjës për këtë situatë. Kryeministri Berisha e drejtoi direkt gishtin publikisht tek militantët e thjeshtë:“Këto vepra janë më së shumti si pasojë e kriminalitetit njerëzor.
Piromanë, keqdashës, ziliqarë që djegin pronën e njëri-tjetrit dhe të tjerë. Janë arrestuar rreth 70 persona përgjegjës. Një banor nga Golemi i Gjirokastrës më dërgoi dje një mesazh që na dogjën. E arrestoi policia dhe e liroi prokuroria. Krimet e zjarrit janë të rënda dhe ne duhet të shqyrtojmë ligjin. Për fat të keq, ne konsiderojmë si krim të rëndë vetëm atë të organizuar. Është e dhimbshme që opozita, në një traditë unike dhe të pashoqe, në çdo lloj fatkeqësie natyrore mendon se do të nxjerrë kapital politik. Në të gjitha deklaratat politike nuk është bërë asnjë thirrje për të denoncuar zjarrvënësit apo për të mbështetur zjarrfikësit. Një eksponent i PS-së i tha ministrit të Brendshëm se kishte rënë zjarr në zonën e tij, por kur ministri i tha se zjarrvënësit janë militant të thekur të PS-së, ai e mbylli menjëherë telefonin”, u shpreh ai. Kurse eksperti i PS-së për Çështjet Mjedisore, Sokol Bare, i ka kthyer ndryshe: “Ka 8 vite që përsëritet e njëjta histori.
Çdo vit digjen me qindra dhe mijëra hektarë pyje dhe qeveria gjithmonë gjendet e papërgatitur, pavarësisht se tashmë është i njohur si një fakt nga të gjithë shqiptarët se qeveria e Sali Berishës në asnjë rast të vetëm nuk ka marrë masa për të parandaluar zjarret apo për t’i luftuar ato në mënyrë efikase. Nuk ka pasur asnjë lloj investimi për mjete për luftimin e zjarreve; As zjarrfikëse të reja, as helikopterë, as avionë nuk janë blerë me qëllimin për të krijuar mundësinë për ta luftuar këtë fenomen. Madje edhe atëherë kur mjete të ndryshme janë dhënë nga vende fqinjë, sikurse është rasti i helikopterit turk, qeveria nuk ka bërë edhe minimumin për të garantuar sasinë e nevojshme të karburantit për ta furnizuar këtë helikopter”.
Kush fiton realisht
Sido që janë reagimet e politikanëve, sistemi që fiton prej kësaj katrahure po funksionon. Në këtë kohë po lulëzon bindshëm biznesi i qymyrit dhe, sa më shumë digjen pyjet, aq më shumë po fërkojnë duart disa kompani, të cilat gjithmonë fitojnë ankandet e shitjes së pemëve të djegura. Në media referohet se për asnjë vit (lexo vitet e krizës), këto kompani nuk kanë probleme shkurtimi të personelit, edhe pse në çdo vit masivet me pyje në Pukë, Burrel, Shkodër, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan dhe në Korçë po digjen pa mëshirë. Mu në këto vende po e ushtrojnë veprimtarinë e tyre disa nga kompanitë private më të njohura, të cilat i përdorin drurët e djegur për prodhim qymyri dhe për eksport.
Në një vëzhgim, bërë nga specialistët, thuhej se në Shkodër dhe Pukë, ku ka pasur zjarre masive këto kohë, statistikat tregojnë se janë po të njëjtat kompani që çdo vit fitojnë tenderët për shfrytëzimin e lëndëve drusore të mbetura nga pyjet e djegura. Në një kronikë të pak ditëve më parë, Top Channel filmoi në mënyrë të fshehtë kantierin e prodhimit të qymyrit, të menaxhuar nga një prej kompanive, e cila u përpoq dhe e pengoi xhirimin. E gjithë kjo masë druri kalonte në Greqi, kurse në doganën e Kapshticës zyrtarisht thuhej se kalojnë 4 deri në 5 kamionë në ditë me lëndë drusore të dëmtuar nga zjarret, e cila përdoret për prodhim qymyri dhe lëndë e parë për materiale për mobileri.
...
Është më e thjeshtë sesa duket, dhe jo aq e komplikuar. Duket se një sistem i tërë mbipartiak tashmë është kundër normalitetit dhe i pëlqen kjo katrahurë. Në vendin tonë, Instituti i Pyjeve nuk ka më as fidanishte, çka rrit koston për ripyllëzimin e sipërfaqeve të djegura apo të prera, përveç zvogëlimit të shumtë të personelit të vrojtimit. Specialistët mendojnë se në kohë krizash, pasuritë natyrore shfrytëzohen në mënyrë barbare nga të gjithë dhe për dëmet nuk mendon askush. Kurse ish-drejtori Kolë Maraj bën një akuzë publike: “Por a pyet njeri vallë në këtë shtet se pse kemi kaq shumë piromanë tani? Po vetë zoti Shef i Parkut Kombëtar të Dajtit a di të arsyetojë vallë!
Vihet me dashje zjarri, sepse me VKM, të datës 25 qershor 2009, u hoqën nga Parku “yt” rreth 169 ha sipërfaqe pyjore që do të bëhen së shpejti vila, parcela ku pritet lënda e drurit pa leje dhe me leje, duhet të digjen për të justifikuar vjedhjen. Ndoshta të parët që ua vënë zjarrin pyjeve si një lloj proteste ndaj shtetit janë banorët e zonave malore, që nuk mund ta ndalin më dorën e hajdutëve të kësaj pasurie kombëtare”. Mbetet pa përgjigje, sepse dëmet që po shkaktohen nga shkrumbimi kaq i shpeshtë s’mund të llogariten më dhe ka pak gjasa që pyjet do mund të rehabilitohen ndonjëherë njësoj. Për më tepër, specialistët llogarisin se fatura financiare për shuarjen e zjarreve është fare më e ulet se ajo që duhet shpenzuar për ripyllëzimin e të njëjtës sipërfaqe të djegur, që kërkon disa dhjetëvjeçarë. Të gjitha hamendësi, duke kujtuar impaktet e sotme negative për erozionin dhe elementëve të tjerë të mjedisit, që ende nuk po ua dëgjojmë kambanat...që çuditërisht po bien fort. Pasi, jemi ende tek kënaqësia e të bërit shkrumb të Shqipërisë.
Ja pse digjen pyjet
Ish drejtuesi më i lartë i pyjeve tregon realitetin e zjarreve në Shqipëri dhe pse po ndodh kjo situatë. Si ishte e organizuar dikur e gjitha struktura e parandalimit vite më parë dhe pse ka degraduar në këtë mënyrë mbrojtja e pyjeve...
Nga Kolë Malaj*
Pyjet e kullotat, të cilat zënë mbi 60 % të sipërfaqes së vendit tonë, ka kohë që po “digjen”. Në këtë verë të nxehtë vetëm sa po ju del flaka. Që nga viti 2005 nuk ka një strategji zhvillimi të këtij sektori dhe as që mund të bëhet fjalë për një strategji të mbrojtjes së kësaj pasurie nga zjarri. Në strategjinë e hartuar që nga viti 1998, nga ish DPPK (Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave) për mbrojtjen nga zjarri, thelbin e saj, si për çdo vend tjetër e përbën (Early Warning), pra masat parandaluese. Dhe, me mbështetje të Projektit të Pyjeve të Bankës Botërore, u krijua infrastruktura e nevojshme: Radiondërlidhja për gjithë sistemin pyjor të Shqipërisë. kurse rreth 60 makina të reja fuoristrada, nga të cilat 10 të pajisura me mjete zjarrfikëse, rezervuare uji dhe me karroceri mund të udhëtonin me skuadrat zjarrfikëse, sapo të merrnin lajmin e hapjes së zjarrit. Po ashtu kishte mbi 150 motorë në dispozicion për të lëvizur në destinacione të tilla Shërbimi Pyjor. DPPK nga buxheti i shtetit paguante rreth 500 vrojtues nga 31 Marsi në 30 Tetor me një pagë minimale, të cilët përbënin rrjetin e plote të vrojtim-sinjalizimit. Vetë DPPK me plan veprimi kombëtar harmonizonte punën me pushtetin vendor e struktura të tjera të detyruara me ligj për të marrë pjesë në programe të tilla.
Por, në vitin 2005 pyjet u” Agrarizuan” dhe me pas u “Republikanizuan”, kurse specialistët e pyjeve u “dëbuan” nga pyjet. Mjafton të përmendet fakti që aktualisht nga 36 Drejtorë të Drejtorive të Shërbimit Pyjor, 32 janë krejt jashtë profesioni, që nga inxhinierë- minierash, e deri teknikë të mesëm ndërtimi, apo mësues fiskulture, pa përmendur këtu personelin pyjor (Policinë pyjore) që megjithëse e mbrojtur me ligj (Ligji për Policinë Pyjore), është reduktuar në minimumin historik të shërbimit pyjor.
Që nga viti 2005 me ligj duhet të krijoheshin Drejtoritë Rajonale të përputhura me Qarqet (12) për të siguruar një reformë institucionale të plotë e të përputhur me organizimin territorial të vendit. Kalimi me VKM i rreth gjysmës së sipërfaqeve pronë të Komunave dhe së fundmi ideja e hedhur nga Kryeministri për privatizimin e 90 % të sipërfaqeve pyjore e kullosore, ka shkaktuar një kaos të vërtetë. Në sipërfaqen e pyjeve dhe kullotave të kaluara Komunave, s’ka më Zot. Shërbimi Pyjor ua ka lënë Komunave, të cilat as formalisht nuk kanë një njeri (pylltar) të merret me këtë pasuri. Kjo pasuri nga pasuri e të gjithëve, kaloi në pronë të askujt. Ndaj tani pas hedhjes së idesë së privatizimit të 90 % të sipërfaqeve pyjore e kullosore, kudo ku pyjet kanë vlerë, ka filluar zaptimi i tyre. E pra 60 % e territorit të Shqipërisë është jashtë kontrollit të Qeverisë.
Hidhen në ankand rreth 100.000 m3 dru zjarri në vit nga Ministria e Mjedisit dhe nga të dhëna të përafërta dalin jashtë vendit në formën e qymyrit dhe druve të zjarrit rreth 2 milion m3.
Zjarret mjaftojnë të mos jenë në sytë e mediave dhe s’përbëjnë më asnjë problem për qeverinë tonë. Shërbimi Pyjor i ka “larë duart”, s’ka më asgjë nga mjetet e infrastruktura e parandalimit të zjarrit. Në 50 % të sipërfaqes pyjore që ka shteti, përgjegjësia i ka kaluar shërbimit zjarrfikës, i cili për arsye të terrenit, sikur të mos i mungonte asgjë në infrastrukturën e nevojshme të saj, nuk operon dot më as në 10 % të sipërfaqes pyjore e kullosore të Shqipërisë. Njëzet ditë zgjati zjarri në Malin e Dajtit në sy të shtetit. Rezultati? U dogj e gjithë sipërfaqja e ndarë me kufi natyror (përrenj). Dolën me radhë në televizor, që nga “shefi i Parkut të Dajtit”, me një këmishë akull të bardhë si bora dhe më tutje me radhë deri në nivel Ministrash, e të gjithë i shkuan linjës së “piromanëve”.
Por a pyet njeri vallë se në këtë shtet se pse kemi kaq shumë piromanë tani? Po vetë zoti Shef i Parkut Kombëtar të Dajtit a di të arsyetojë vallë! Vihet me dashje zjarri sepse me VKM, të datës 25 qershor 2009, u hoqën nga Parku “yt” rreth 169 ha sipërfaqe pyjore që do të bëhen së shpejti vila, parcela ku pritet lënda e drurit pa leje dhe me leje, duhet të digjen për të justifikuar vjedhjen. Ndoshta të parët që ua vënë zjarrin pyjeve si një lloj proteste ndaj shtetit janë banorët e zonave malore, që nuk mund ta ndalin më dorën e hajdutëve të kësaj pasurie kombëtare.
Nuk desha të përmend shifra sepse, askush nuk thotë të vërtetën, as Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe as Ministria e Brendshme. U mësuam tashmë të mos e themi të vërtetën, as për probleme të tilla kaq madhore. Në një periudhë të tillë si kjo në vitin 2007, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka raportuar rreth 7.000 ha të përshkruara nga zjarri në vendin tonë, ndërsa E.F.F.S. (Instituti Evropian i Zjarreve në Pyje), ka raportuar 110.034 ha të tilla në Shqipëri! Po sot që Shqipëria është në flakë që nga Gjirokastra e deri në Valbonë, pse nuk thuhet asnjë shifër, por thuhet që situata nuk është alarmante?
Sistemi Evropian i zjarreve në pyje, njofton se për periudhën korrik – gusht, kemi rënien e 108 zjarreve në Shqipëri, që kanë shkrumbuar një sipërfaqe prej rreth 37.000 ha në pyje dhe kullota, është djegur Dajti, është djegur përfundimisht Lura, është djegur Bozdoveci, Puka nuk do të jetë më kryeqyteti i pyjeve të Shqipërisë, se me qindra ha pyje të mbjella nga dora e pukjaneve dhe që përbënin kurorën e gjelbër të Pukës nuk janë më. Është e vështirë për të folur për një dëm të saktë, të shkaktuar këtë vit nga zjarri, por vitin që shkoi, dëmet e shkaktuara nga zjarri e të raportuara nga Ministria e Linjës, kapin plot shifrën e 5 milion EUROVE, megjithëse për saktësinë e kësaj shifre nuk kam se çfarë t’ju them.
Me 1.5 milion EURO, bëhej efikase strategjia e mbrojtjes nga zjarri për pyjet e kullotat në Shqipëri. Për demin sot po pranojmë një artificë të vogël, sikur kjo sipërfaqe e përshkruar nga zjarri (rreth 40.000 ha), të mos kishte asnjë vlerë në pjesën mbitokësore të tyre dhe ne t’i mbillnim këto me arrore (rreth 200 bimë për ha) që është minimum i bimëve pyjore për ha, atëherë shteti pavarësisht nga kostoja e mbjelljes, i jep në formën e grantit çdo banori që e bën 1 ha pyllëzim rreth 200.000 leke. Atëherë i bie që për të krijuar një mbulesë bimore kaq të paket ne na duhen 8 miliardë leke (të reja). Zoti na ndihmoftë me ndonjë shi ( ose Stuhi).
*Ish Drejtori i Përgjithshëm i Pyjeve dhe Kullotave
Po vazhdoi kështu, do t’u ngjajmë atyre vendeve të varfra që i zhveshën krejt pyjet!
Intervistë me specialistin e njohur të pyjeve prof. Kristo Qëndro. Si e shikon ai realitetin e tanishëm të pyjeve dhe cilat janë shkaqet kryesore për zjarrvënien e tyre...
Profesor, si një nga njohësit më të mirë të realitetit të pyjeve, si mund të ishte një strategji për mbrojtjen dhe ringjalljen e pyjeve shqiptare?
“Me gjendjen alarmante që është krijuar për pyjet, është e domosdoshme të organizohet një takim me pjesëmarrjen e specialistëve më me eksperiencë në këtë fushë, të atyre që aktualisht e kanë për detyrë mbrojtjen e pyjeve, dhe të atyre të viteve të shkuara, si dhe institucioneve më të interesuar, për të diskutuar për një strategji të veçantë për mbrojtjen pasurisë pyjore e kullosore të vendit”.
Ka shumë zhurmë ditët e fundit për zjarret e pyjeve, por imazhet tregojnë se më shumë vetë njerëzit i kanë mbrojtur dhe jo mjetet e huaja apo forcat e vendosura nga shteti. Ku çalon sistemin i tanishëm i mbrojtjes nga zjarret?
“Është më se e vërtetë që për shuarjen e zjarreve, kanë kontribuar më shumë njerëzit e interesuar por edhe forcat e vendosura nga shteti, veçanërisht ata të emergjencës, siç ishte rasti i zjarrit që shpërtheu në afërsi të teleferikut të Dajtit, ku operatorët e teleferikut dhe gjithë stafi i kompleksit turistik të Dajtit treguan një angazhim të jashtëzakonshëm , si për shuarjen e rishuarjen e të disata herëve të vatrave që ripërtëriheshin, por edhe për zëvendësimin e një gjatësie të konsiderueshme të kabllit të 1953 informacioneve që përcillen prej tij në ekranin e stacionit të lëvizjes të 30 kabinave. Përsa i përket mjeteve të huaja , është e vërtetë që nuk patën efektin e duhur”.
A është e vërtetë, sipas mendimit tuaj, që gjithçka që po ndodh me pyjet lidhet direkt me shfrytëzimin e drurëve të djegur apo hapësirave për qëllime të tjera?
“Është më se e vërtetë që gjithçka që po ndodh me pyjet lidhet direkt me interesa të veçanta të individëve apo firmave . Zjarret asnjë herë dhe për asnjë arsye nuk shpërthejnë vetë. Normalisht në fund të muajit Gusht dhe nga fillimi i muajit Shtator, pothuajse në gjithë vendin shfaqen vatra afër njëra-tjetrës, e shpesh sipas izoipseve, për të mos thënë siç ju përshtatet ecja barinjve për vënien e zjarreve, për fitimin e një bari të ri për bagëtinë. Kjo është një praktikë më se e njohur nga të gjithë, biles edhe nga bashkëfshatarët e ndezësve të zjarreve si dhe të komunave”.
Si specialist i vjetër i pyjeve, sa kohë i duhet Shqipërisë në një gjendje normale që t’i rigjallërojë ato sërish?
“Nëqoftëse vendi ynë do të ndjekë po këtë praktikë, do ti ngjajë atyre vendeve të humbura aziatike, të cilët duke jetuar dikur mbi bazën e një blegtorie të mirëfilltë, kanë trashëguar sot sipërfaqe të stërmëdha të zhveshura”.