Në dashuri nuk është asnjëherë vonë
Seksi nuk është as çmim që duhet fituar dhe as privilegj, por një mundësi shumë e mirë për çdo individ që kërkon të mbajë gjallë trupin. Brenda lidhjes, është një mundësi për të transmetuar dhe për të marrë dashuri në mënyrë konkrete dhe të prekshme. Për të marrë të gjitha këto nuk është e nevojshme t‘i nënshtrohesh asnjë kushti, përveç respektit reciprok që është absolutisht i domosdoshëm. Personat që klasifikohen në moshën e tretë kanë gjithnjë e më shumë dëshirë për të jetuar dhe dashuruar. Në dashuri ekziston fjala "shumë shpejt", por nuk ekziston "shumë vonë".
Të fillosh nga e para në moshën 50 vjeç
Argumentet për të diskutuar seksin në moshën e tretë apo të katërt janë të shumta, ashtu si edhe njerëzit që duhet të përballen me këtë fakt. Shumë prej tyre ndihen të ndrojtur, madje dhe të frikësuar, duke menduar se kanë harruar gjithçka nga e shkuara dhe rikthimi në të tashmen i bën të ndihen keq. Por specialistët këshillojnë që gjithçka duhet parë me shumë kujdes dhe kurajë. Në të tilla raste nuk duhet të keni asnjë frikë, madje as të turpëroheni, por mund të nisni gjithçka nga zero, sikur të ishte hera e parë. Këtu fillon një jetë e re, e sigurisht edhe një raport i ri seksual. Nuk duhet të harroni zonja të nderuara, që dridhjet fillestare të një femre të rritur mund të jenë shumë më eksituese se shikimi i ndritshëm i një vajze të bukur.
Lojërat erotike? Mos kini turp, ndihmojnë çiftin
Një nga temat me të cilat përballen më shumë specialistët ka të bëjë me lodrat erotike, si dhe dilemën se janë normale apo shenja të perversitetit këto gjëra. Në fakt, njëherë e një kohë ato konsideroheshin si sinjale që paralajmëronin një sjellje negative, madje "të sëmurë" në raport me seksin. Sot ato shihen si një mundësi e mirë për të ndihmuar lidhjen në çift, për të jetuar pjesën e gjallë të seksit, atë më të këndshmen, e cila ndihmon që shumë gjëra t‘i shikojmë me ironi. Këto ‘lodra‘ dalin nga ‘dyqanet e seksit‘(sex shop) dhe ofrohen në shumë mënyra. Ndonjëherë duhet ta lini veten të rrëmbeheni nga kurioziteti, pasi është një mënyrë e re për t‘i dhënë pak më shumë jetëgjatësi lidhjes suaj në çift.
Një psikologe thotë se pleqtë e dashuruar janë më të turpshëm se adoleshentët. "Të moshuarit bëjnë dashuri fshehtas fëmijëve, ashtu siç bëjnë fëmijët fshehtas prindërve. Për mendimin tim pleqëria është mosha më e mirë për të bërë dashuri, sepse është arritur pjekuria në të gjitha kuptimet, por shoqëria jonë inkurajon të rinjtë, vlerëson joshjen, lartëson vetëm një lloj bukurie. Zakonisht një i moshuar e jeton jetën ashtu siç i vjen, nuk mendon gjatë për të mirën dhe të keqen. Shoqëria jonë vazhdon të mendojë se erotizmi është i vdekur te një trup i vjetër dhe i rrudhur. Ashtu si të rinjtë edhe të moshuarit kanë nevojë të kryejnë marrëdhënie. Nuk duhet të mendojmë se janë të pafuqishëm, por t‘i inkurajojmë të duken të pashëm, interesantë e jo qesharakë. Edhe ata kanë të drejtë të duken tërheqës dhe seksi. Në fund të fundit nuk njeh moshë. Ai të ndryshon mënyrën e të jetuarit dhe nuk vdes kurrë. Prandaj nuk duhet t‘i gjykojmë asnjëherë të moshuarit, por t‘i lëmë të shijojnë edhe ato pak ditë që u mbeten për të jetuar, sepse shumë shpejt pleqëria do të na trokasë edhe ne në derë".