Në intervistën për “Shekullin” Prof. As. Nestor Kraja (Universiteti i Arteve), njëherësh anëtar i kryesisë së Albautorit (Agjenci e Administrimit Kolektiv të të Drejtave të Autorit dhe të Drejtat e Regjistrimeve Mekanike të Pronësisë Artistike), thotë se “motivi i këngës fituese nuk ka asgjë të përbashkët me vallen e Tropojës”, dhe as me valle të tjera. Pavarësisht se i ka pëlqyer kënga, prof. Kraja provon se krijimi i Bledar Sejkos është fund e krye plagjiat.
Kënga fituese e Festivalit të Këngës në RTSh, çfarë vlerësoni dhe nuk vlerësoni tek kjo që po prezantohet si kënga e parë shqiptare etno-rrok që hyn në Festivalin Europian.
Nuk kam asgjë kundër këngës. Madje duke e dëgjuar natën e tretë më pëlqeu më shumë. Por një krijim duhet matur “në milimetra”. Nëse 8 masat e një këngë janë të ngjashme me 8 masat e një kënge tjetër, atëherë kemi të bëjmë me plagjiaturë. Këtu nuk merret njeri me këto standarde. Këtu është rrumpallë. Këtyre fenomeneve u duhet vënë barrierë.
Të them të drejtën kur mësova për komente të vjedhjeve muzikore në Festivalin e 51 të RTSH në facebook, nuk ua vura veshin. Më mbas kur dëgjova se vetë Juria e Festivalit kishte hequr nga konkurrimi një këngë e cila ishte vjedhje e një kënge koreane, u shqetësova dhe kërkova në internet të dëgjoja atë që e quanin “burimin” e këngës fituese. Impresioni i parë ishte që kënga kishte huazuar motivin thelbësor të asaj të Beogradit, por megjithatë i dëshpëruar e lashë me aq. Sot lexoj shkrimin e Bledar Sejkos në gazetë i cili më bëri të mendohem për këto motive.
A është mbështetur kompozitori në folklorin tonë, ekzaktësisht në motive të valleve të Tropojës?
Motivi i këngës fituese nuk ka asgjë të përbashkët me vallen e Tropojës, të paktën me origjinalin e saj. Në fakt Bledari shkruan për mbështetje në vallet (në shumës) e Tropojës duke e lënë të pakuptueshme se për cilën valle bëhet fjalë. Por në fakt vallja e Tropojës, ajo që njihet nga të gjithë për bukurinë dhe hijeshinë e saj, me siguri nuk është marrë për bazë për këngën fituese.
Dhe të tjera valle? Vallet çame apo vallet e krahinave të jugut? A mund të rrinë bashkë motivet e kaq shumë valleve apo kemi të bëjmë këtu me një spekulim në komentet e autorit?
Duke ditur që vallet çame janë kryesisht pentatonike, nuk mund të mendosh se kënga fituese është mbështetur në ndonjërën nga ato dhe gjithashtu këtë pikë Bledari nuk e sqaron. Bledari përmend se është mbështetur edhe në disa valle të krahinave të Jugut të vendit pa specifikuar asnjërën nga ato. Mendoj se po të qe mbështetur në ndonjë valle do ta kishte cilësuar atë e jo të jepte informacion tërësisht ambig dhe të pasaktë. Një melodi apo një frazë melodike popullore mbi të cilën ai do të ishte mbështetur, do t’i mbyllte gojën çdo njërit nga ne.
Ju duket e saktë ajo që Sejko thotë për “lidhjen” e isos së jugut me pasthirrmën e veriut?
Bledari përmend ison e Jugut dhe thirrjet “hej” të veriut, të cilat në vetvete nuk janë elemente nga ku mund të mbështetet melodia e një kënge, por ngjyrime të cilat orkestruesit e këngës së lehtë i përdorin si kësula apo opinga për objektin këngë e që tentojnë ta paraqesin krijimtarinë të bazuar në folklor. Madje as përdorimet e çiftelisë e lodrave nuk realizojnë këtë qëllim, veçse përciptas, për një publik të pastërvitur.
Sejko thotë se kënga serbe “Plavi safir” ka një intro, një strofë, një refren dhe një mbyllje, pra një strukturë të tillë që nuk e ka kënga e tij. Teknikisht duke iu referuar anës strukturore të të dy këngëve çfarë do të thoshit: kemi të bëjmë me dy këngë të ndryshme e me jetë të pavarura njëra nga tjera?
Kënga serbe nuk ka atë formën që thotë Bledari, e madje edhe po të kishte atë formë dhe ti ishte marrë motivi kryesor, përsëri kemi të bëjmë me plagjiaturë. Kënga serbe ka vërtet një hyrje por ka formë të rregullt strofë, refren deri në fund, pavarësisht se zhvillohet në bazë të parimit të variacionit. E gjithë kënga serbe ashtu si edhe kënga jonë ndërtohet rreth motivit kryesor melodik që në fakt është i njëjti. Bledari pranon se kënga e tij ka vetëm 3 nota të njëllojta me këngën “Plavi Safir” por në fakt nga një ballafaqim i shpejtë i dy melodive del se janë të njëllojta jo vetëm në 3 nota por në 7, është i njëjtë motivi bazë, është e njëjtë mbështetja në kuintën poshtë dhe akoma është e njëjtë përsëritja e vazhdueshme e këtij motivi deri në fund të këngës, pavarësisht nga ndërhyrjet improvizuese instrumentale që Bledari i realizon aq mirë.
A ju duket me vend krahasimi apo “kundërpërgjigjja” që autori jep duke vënë përballë këngën e Vaçe Zelës “Kur bie fyelli e çiftelia” me këngën serbe?
Kënga e mrekullueshme “Kur bie fyelli e çiftelia” nuk ka asgjë të përbashkët me asnjërën nga dy këngët që po flasim, së pari drejtimi i lëvizjes së bulëzës bazë është krejt i ndryshëm e përveç kësaj ka një shtrirje melodike shumë më të madhe se ato. Intuitivisht ndjej se argumenti i fundit është shpallur nga Bledari për të bërë një akrobaci tekniko-muzikore për turmën, por mendoj se pikërisht në këtë rast ai duhej të fliste sinqerisht dhe me terma teknikë të saktë, nëse vërtet kërkon të mbrojë veten.
Një koleg juaji, njëherësh anëtar i jurisë, Sokol Shupo, është shprehur dje se nuk kemi të bëjmë me një plagjiaturë, por me një këngë si tepër nacionaliste. Edhe teksti i këngës, ku mund të gjesh gjurmë të këtij nacionalizmi nuk e gjen në qarkullim në faqen zyrtare të Festivalit të Këngës. Çfarë e bën plagjiat dhe çfarë nacionaliste një këngë?
Duke shfletuar Fjalorin më të rëndësishëm për muzikën Grove Dictionary, mësojmë se plagjiatura mund të jetë kopjimi i tekstit të plotë, i një linjë melodike, i gjestit apo koturit të figurës ritmike, i një aspekti të harmonisë, apo i një progresioni akordesh, i ngjyrave instrumentale etj. Pjesët e huazuara me veprën e re lidhen duke mbajtur strukturën e pandryshuar apo jo, përmes vajtimit apo përdorimit të zbukurimeve të bazës melodike apo edhe si kontrapunkt i linjës origjinale. Kjo është teoria.
Praktikisht bota ka instrumente tepër të rreptë për plagjiaturën dhe nuk i fal vjedhësit, si në rastin e këngës që vetëm u hoq nga Festivali (pasi s’ka asnjë informacion tjetër mbi të). Për sa i përket nacionalizmit nuk më shqetëson asnjë ndjenjë e tillë kur rri bukur, natyrshëm dhe në mënyrë artistike në një këngë. Nuk më rezulton se Shupo e ka përjashtuar plagjiaturën, megjithatë ai ka mendimin e tij.
Mendoni se do ishte mirë që organizatorët e Festivalit të Këngës duhet ta analizojnë e ta hetojnë rastin?
Këtë duhet ta vlerësojë RTSh. Si konkluzion, personalisht mendoj se nëse kroato-serbi Bajaga do ta kërkojë të drejtën e tij, kënga shqiptare dhe RTSh do të ketë probleme të mëdha, jo vetëm morale. Me këtë logjikë në dorë kjo gjendje nuk zgjidhet me një letërz të Bledarit, qoftë kjo edhe e konsultuar me ndonjë mik të tij. Është e vërtetë se subkoshienca e krijuesit ndonjëherë mund të bëjë që në një moment të dhënë të emetojë si krijimtari origjinale një përshtypje të dikurshme, që ka fjetur për shumë kohë brenda tij, por plagjiatura është njësoj e dënueshme dhe realisht nuk duhet toleruar, pasi shumë nga të famshmit “kompozitorë” të sotëm janë jo vetëm të guximshëm që pa asnjë njohuri bëhen krijues dhe të arrijnë të “kompozojnë”, por kanë edhe guximin të kopjojnë haptas dhe pa frikë.