Kenge me cifteli ja si pritet De Biazi ne Diber (FOTO)

Këngë me çifteli, ja si pritet De Biazi në Dibër (FOTO)

Festë në Peshkopi. Dita e djeshme ka qenë e veçantë për dibranët, të cilët kanë pasur mik në stadiumin e tyre për të ndjekur ndeshjen, trajnerin e Kombëtares, Xhani De Biazi, i cili shoqërohej nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku. de biazi

Më shumë se 6 mijë tifozë kishin mbushur të gjithë zonën rreth stadiumit. Me ftesë të drejtuesve vendorë dhe atyre të klubit, De Biazi është pritur në stadium nga zv/ kryetari i Bashkisë, Sali Tershalla, dhe drejtues të tjerë të klubit vendës.

Presidenti Duka në një fjalim të shkurtër u shpreh: "Përgëzoj ekipin e Korabit për rezultatet e mira që ka arritur deri tani. Një skuadër që ka ardhur nga Kategoria e Dytë dhe lufton për t'u bërë pjesë e Superiores, sigurisht që duhet përshëndetur. FSHF në bashkëpunim me qeverinë shqiptare do të realizojnë rikonstruksionin e plotë të këtij stadiumi". Ndërsa, në pushim të ndeshjes janë bërë foto të shumta nga të pranishmit me trajnerin italian De Biazi, si dhe janë shkëmbyer dhuratat e rastit. Momenti më emocionues ishte kur një tifoz i tifogrupit "Arbërit" iu afrua De Biazit me një çifteli dhe nisën të këndojnë të dy së bashku.

"Jam tepër i surprizuar nga kjo pritje madhështore që më rezervuan në këtë qytet të vogël që e duan shumë futbollin", tha shkurtimisht trajneri i Kombëtares. De Biazi së bashku me Dukën e Shulkun e kanë ndjekur sfidën Korabi-Erzeni deri në fund, ku vendësit kanë fituar 3-1.

Ndeshja

Për sa i përket lojës, vendësit e nisin mirë këtë sfidë. Në të 4-n, dibranët i afrohen golit me Gurin, por që nuk finalizon siç duhet. Deri në minutën e 17-të ishte gjithçka e barabartë. Në këtë moment, Begaj shërben për Gurin që pengohet në zonë nga Stafa dhe gjyqtari akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë godet kapiteni Mziu që tregohet i saktë dhe shënon, 1-0, duke ngritur peshë mijëra tifozët që ndodheshin në stadium. Vendësit vazhdojnë të këmbëngulin, por nuk arrijnë dot te goli i dytë. Ndërsa miqtë nuk janë në ditën e tyre më të mirë. Pjesa e dytë nis më mirë për miqtë që përfitojnë edhe nga tërheqja e vendësve.

Në minutën e 76-të është Ramilli që përfiton nga gabimi i mbrojtësve dibranë dhe barazon. Por gëzimi i shijakasve zgjat vetëm tri minuta. Është Guri që finalizon saktë një aksion dhe kalon Korabin në avantazh. Vendësit marrin zemër dhe vazhdojnë të sulmojnë.

Në një moment është Guri që shpërthen duke hyrë në zonë, ku shmang edhe portierin, por një mbrojtës largon topin nga vija fatale. Megjithatë, në minutën e 89- të është Mezini nga e majta që kroson në zonë, aty ku Guri tregohet i saktë dhe shënon golin e tretë për Korabin. Minutat e mbetura nuk kanë më histori dhe dibranët sigurojnë 3-pikëshin e radhës, duke qëndruar në garë, vetëm tri pikë larg Kastriotit që ndodhet në krye. Duket se edhe De Biazi ka qenë fatsjellës për skuadrën në sfidën e djeshme.

Përgatiti: FATMIR ZHUZHI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama