Kenget e protestes

Kenget e protestes
Në …. të errët e ftohtë të kohës, zbriti engjëlli, të më mësonte lutje të re…  e kur papritur më zgjidhi duart, ndër shpatulla m’u shpalosën krahë që lart mbi rrugë, shtëpi, gardhe, kopshte e ullishte më ngritën në fluturim gjer ku dita humb veten duke kërkuar. Këtu foli engjëlli si ndër rozarë, ndërsa rruazat e shtyllës kurrizore më numëronte në krye të lutjeve. Më tha: “Mos u tremb”, por hijet e zgjatura të priftërinjve aviteshin e ëndrrën në rreth kujtese zërash kumbues ma kthyen. Rrëmbimthi fluturimit kur nisa të kthehem, veç krahë të zhveshur njeriu pashë më kishin mbetur. Kometë m’u kthye engjëlli ndërsa fytyrat e vrëngëra si delet e plakës së prillit u ngurtësuan. Për krahë priftërinjtë pemë gjestesh të mbetura pezull prej të tjerash jetë kishin, me duar gjethesh e gjemba për gishta.

Por zërat e rrugës e zhurma të njerëzve më zhvatën ëndrrën e ridhanë realitetin. U venit imazhi, zbehen ngjyrat, por mbeti jehona e cunguar e një engjëlli që përsëriste lutjen frymëmarrëse të kohës kur mbase përgjumur po jo ëndrrash përhumbur ishim. Në vaj shpërtheu fjala, tashmë e dërrmuar; e buzëve më mbeti kuraja e tmerruar. Ndër gjeste shtirjeje qetësie pluskuese, që veten e tret në pritje mëshire.

“Për ty atdhe/ më të bukurën këngë/ me fuqinë e kësaj zemre do të këndoj/ për këto male/ për këto fusha të gjalla/ i lumtur do të jetoj…”. Vargjet e këngës të kënduar nga Mentor Xhemali më shumë se gjysmëshekulli më parë, vijojnë të mbeten si vargje frymëzuese jo vetëm në koncerte festive, por dhe në çdo lëvizje protestuese që ka ndodhur në Shqipëri këto 20 vitet e fundit. Muzika ka qenë historikisht një element i rëndësishëm i përdorur gjatë protestave në botë. Tekste këngësh që kanë ndryshuar epoka, vargje që kanë bërë histori… Qëllimi i këngëve të protestave është të provokojë dëgjuesin. T’i shokojë ata, t’u prishë humorin, t’i frymëzojë apo t’i bëjë të zemëruar.

Këngët e lindura prej protestave kërkojnë të ndryshojnë diçka, dhe të vënë në pah qëllimin përse ata qindra apo mijëra njerëz ndodhen aty në shesh… “ju mund të vrisni protestuesin, po ju s’mund të vrisnin protestën”. Në vitin 2003, grupi i njohur amerikan “Anti Flag” krijoi këtë slogan të famshëm që mund ta shohësh, tashmë në pankarta në çdo protestë në botë, frymëzuar nga bandat “Punks” në fund të viteve ‘70-‘80-të. Ideja e kësaj kënge ishte se asnjëherë nuk mund të shuhet qëllimi përse njerëzit dalin në protestë, pavarësisht rreziqeve, apo çmimit që do të ketë në masë. Kënga e famshme e “Anti flag” shoqëroi protestat që u bënë në SHBA gjatë nisjes së luftës me Irakun, ku politika dhe shoqëria ishin të ndarë në dy kampe, në ata që e mbështesin luftën dhe ata që ishin kundër saj.

Në botë, historitë e këngëve protestuese janë me mijëra… Pasi muzika si elementi më i ndjeshëm është përdorur gjithnjë për të ngritur lart emocionet e protestuesve, dhe për t’i bërë më të vendosur për qëllimin e tyre. Kultura e protestave është një kulturë e re, ende e paformuar në Shqipërinë e pas viteve ‘90-të, e cila vinte pas një sistemi komunist, ku këngët e vetme në mbledhje masash, ishin ato që i thurnin lavde ish-partisë komuniste. “Atë dit q’u hap haberi\ dilni se erdhi Enveri\ Ç’u bëre Enver djali\ eja se na mori malli\. Këto janë disa rreshta kushtuar ish-udhëheqësit komunist, Hoxha.  Por dhe pse një vend me një përvojë të re, në Shqipëri muzika në mënyrë krejt të natyrshme këto vite ka shprehur atë çfarë ndodh në realitetin tonë. Mjafton të shohësh tekstet e këngëve dhe ato janë një reflektim i lëvizjes politike, sociale, ekonomike apo kulturore të këtyre 20 viteve. Kënga e reflekton kohën dhe në një vështrim të kujdesshëm ne mund ta shohim këtë. Por a kemi ne këngë protestash? Në protestat politike, turmat frymëzohen nga tekste që lindin natyrshëm si bejte, mbi personazhet politike që kërkojnë të akuzojnë. Kemi dëgjuar këto vite këngë mbi liderët politikë të këtyre viteve në vend, si ish-kryeministrin Fatos Nano, Kryeministrin aktual, Berisha, ish-presidentin kosovar, Ibrahim Rugova, kreun e PS-së, Edi Rama, apo kreun e LSI-së, Ilir Meta.

Ndërsa këto janë këngë që krijohen nga simpatizantët, këngët që partitë politike kanë zgjedhur për të protestuar kanë qenë të huazuara nga hite të lëvizjeve në botë. Në 21-vjetorin e krijimit të FRESH, sekretari për Rininë dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj, bëri të ditur dhe këngën që do të shoqërojë fushatën elektorale të kësaj force politike, e cila është “Born free” (Lindur i lirë) i Kid Rock. Lideri socialist, Rama, ka zgjedhur gjithnjë këngën për të përçuar idetë e forcës politike që përfaqëson, duke kënduar dhe vetë përkrah grupit “West side family”. Dhe PD ka krijuar tekste këngësh për të frymëzuar turmat e saj gjatë fushatave elektorale siç ishte dhe kënga “Shqipëria po ndryshon”…   Muzika është ajo që i frymëzon turmat, dhe i bën ata të jenë më të guximshëm drejt qëllimit që i ka mbledhur në shesh. Zëri i protestës nuk ndihet veç në këngët që bëhen për t’u interpretuar në sheshe, por dhe në ato që i dëgjojmë në skena festivalesh.

Për Holta Shupon, njohëse e mirë e historisë së muzikës viti 2008 na sjell në kalimin “hëna e lidhur me fjongo, që mund të merret në krah t’i tregohet një përrallë, e vjetër, ku të jemi dhe ne” Të vjetër, si dëmi tashmë i shkëputur prej vetes! Kështu, Ritfolk duket sikur pasqyron përveshjen e krahëve, marrjen e bojës së bardhë: të vijëzohen rrugët e trafikut të mëtejshëm, tashmë i vetëdijshëm se megjithëse, s’ka më shije mollësh në zjarr, titra filmash me këmbë mbi divan, as frikë për këpucët në baltë; se janë lidhur atletet, e xhinset e shkurtuara, ti ngre kokën lart të shohësh veç ka me dyer që mbyllen përballë, por balona fjalësh që përplasen në xham.

Dhe hapësirën në copa e ndan, rrugën gris me vrap, pa ditur ku shkon. Hap krahët, mbyll sytë dhe sheh, nuk janë zogj, janë fjalë që thërrasin fort. Hapësirën ti në xhepa mban, kap ajrin, fjalët që mes zhurmash pa kuptim këndojnë, sa të bëjnë të thërrasësh fort!” (Ritfolk 2010) “Por nëse di ku kam shtëpinë, veten e gjej, e ndërtoj, e rindërtoj se gjej ku përkoj.

Ndaj gjallimi ka ardhur që kur mes humbjes së kurajës prej mpirjes së kuptimit e madje edhe lëndueshmërisë”. “Gent Bushpepa klith fillikat si fëmijë i humbur, se “ndiej, po zbardh një tjetër ditë. Tregomë, vallë, si shkon pushtimi i një ndrydhjeje pa mëshirë. Gjithçka të mohojnë, çdo ndjesi, s’të lejojnë as të ndiesh ngrohtësinë e vendit tënd. Prapë, shoh te ti një shpirt luftarak, mes gënjeshtrës, shpresën e kthen pas.. por shpejt kupton që koha këtë ndjesi do të ta marrë dhe ti, (sërish) do të jesh Viktimë! Jepi një kuptim anarkisë dhe më thuaj kë mallkon, (sepse kështu) te ti nuk gjej dot shpjegim… Jo! Mos u dorëzo! Pranoje … zhgënjimin dhe (nis e ekzisto), për vendin tënd, për ty!” Humbi fjala, dhe u rigjet. Humbi vetja, që edhe rigjehet. Humbi fjalia, me të bashkësia, kuptimi, e drejta e pretendimit aq absurd për jetesë minimale njerëzore. A mundemi ta ndërtojmë atë?

Xxx

“Dhe nëse shpërfillët rrugën duke injoruar jetën që rridhte, sepse të nesërmen do të rihapeshin fabrikat, do të arrestonit ndonjë student. Të bindur se ishte lojë, e do të lodheshim shpejt, vazhdoni qetësisht të mendoheni pa faj, përlyer mbeteni, gjer në fyt. Kur dyert na i mbyllët fytyrës, kur panterat trotuareve vërshuan të na shquanin, mund të mendoni se jeni pa faj, përlyerja e lëkurës u mbetet. Dhe nëse në lagjet tuaja, gjithçka kthehet si më parë, pa të lënduar pa dëme e shenja, nëse vendosët të besonit ‘të vërtetat’ e televizioneve: mendohuni, vegohuni pa faj, përlyerja ju ngjyron, gjer në fyt.

Dhe nëse mendoni se tashmë gjithçka është si më parë, se votuat për sigurinë e rregullin, të bindur se kështu trembnit frikën, sërish do të na gjeni përpara portave, duke thërritur akoma më fort se dhe nëse mendoni ju nxorën pa faj, në fyt rrethin e shenjës së njollës kush do t’jua lajë?”, janë vargjet e një kënge italiane të viteve 1969. Ky është viti ku njerëzit besonin se mund të jepnin dhe jetën për idetë. “Jetën të japësh për idetë, ku ka më të ndritur ide! Dhe të thuash që pak vdiqa pa mundur ta kisha idenë, se turma që e mbante në vete, ndër klithma ‘rroftë vdekja’ më zuri nën vete. Apostujt e radhës, që mbi të gjitha vlerësojnë martirin, e predikojnë madje idenë e të vdekurit për idetë si vetë qëllimin e ekzistencës.

Tani, e di, është pakëz zhgënjyese, të kuptosh pikërisht në momentin e fundit, se ideja e duhur s’ish ajo, e as krahun se kishe zgjedhur drejt, por le ta nisim njëherë sakrifikimin, idetë, ndër shuarje të ngadaltë kështu kemi kohë”, thuhet në një tjetër tekst. Dhe vargjet e zgjedhura për të ngritur kurajën janë tepër të ndjera: “Ju, o kuçedra zjarrnxjerrëse, ju shenjtorë të rinj, nisuni të parët për në botën tjetër, rrugën me dëshirë ua hapim. Vec paçni zotin, tregohuni të sjellshëm e lërini të tjerët të rrojnë, i vetmi luks që u ka mbetur ajo është. Për më tepër që mortja është e aftë vetë mjaftueshëm, nevojën pishtarit tuaj vërtet nuk ia ka. Boll me kasaphanat në emër të paqes, le ta lëmë jetën për ato dreq idesh, veç ngadalë, ngadalë aman!”

Viti 2013

Ja një këngë italiane e vitit 2013: “Herën e parë që vdiqa as nuk e mora vesh: s’e pata mendjen një moment e tjetrin, e pashë veten nën tokë. Herën e parë thashë, m’u duk si shaka madje, por pas tri ditësh nuk u ringjalla, atëherë kuptova se isha në telashe. Kështu më veshën kostumin më të mirë, atë të dasmës, dhe u nisa për te gjumi i përjetshëm. Dhe t’ju them, s’është e vërtetë që ka purgatim, ferr a parajsë, kjo bota këndej është në shumë si shkollë nate, budallenjsh, që të mëson si duhet jeta, në çdo moment të sajën. Pasdite, për shembull, shëtis me Charlie Chaplin-in dhe luaj tavëll me Pertinin, dje takova madje rastësisht gjyshin ish-partizan që u kujtua të më pyeste ‘Bir a e ndryshuat botën’? I thashë ‘lëre o gjysh, hajde hamë nga një akullore’. Herën e parë që vdiqa as e vura re hiç, por po të rilindja sërish, kush do t’ia vërshëllente më vogëlsirave, do ndërroja së pari foton idiote mbi varr, e do bëja ç’kisha lënë për më vonë: dy fjalë me djalin, parë botën me time shoqe, lënë punën burokrate, e jetuar më në fund në ishull tropikal. …Ç’të bëj, kismet herën tjetër!”

box
Fjala, zëri, ekzistenca, ngjallja!

Hapeni rrugën se sot nuk shkoj në punë. Jam në grevë e me shokë në shesh do të dalim. Të bëjmë si gjithmonë rolin e të grindurve, po e di çfarë, mua as që më intereson hiç se shqetësohesh, unë, sot do të këndoj, aty mes njerëzve. E ç’rëndësi kanë fjalët, i besoj vërtet apo bashkohem si detyrë civile, angazhimi i përbashkët është liri, por është edhe rezistencë. Dhe nuk kam as armë për t’u mbrojtur, as kam kaska për t’u fshehur, as shenjtë kujt t’i drejtohem, s’kam gjë tjetër veç një gjuhë në gojë, e mbase gjysmë ëndrre në xhep, dhe shumë, shumë gabime, po ata unë i paguaj të gjithë! Hapeni rrugën se po kalon karvani, dhe jemi aq shumë sa dukemi të frikshëm, po mbase edhe më duket mua kështu e s’jemi veç tre fakirë siç raporton kuestura.

Dhe fjalët e di janë gjithmonë të njëjtat, po sot është ditë me diell e m’u dukkan më të bukura: shkollim e punësim, ç’ide të papara do thosha ironikisht edhe unë, po të mos më gërryente ai ideali i vjetër i së drejtës së barazisë. Prandaj pa armë për t’u mbrojtur, pa kaska për t’u fshehur, pa shenjtë kujt t’i drejtohem, pa hiç tjetër veç një gjuhe në gojë, jam këtu. Dhe po ma preve edhe atë, besomë, të kërkoj ndjesë, por unë përsëri nuk ndalem… do këndoj, ashtu, me gojë të mbyllur… Dhe shih sa jemi, tek mblidhen të gjithë bashkë. Njësoji, këngëtarë gjuhëcunguar, mërmëritës, gojëmbyllur!”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama