Kenget me te hershme per pavaresine
- Botuar: 13 vite më parë
- Shkruar nga:
“Medet, shokë, na mori malli/ Ku gjindet Smail Qemali?/ Në Paris, brend te krali/ hyn e del si zog sorkadhi: Shqipërinë dua t’ma ndani/ “Kanë zbritë komitat nga mali/” “ Fol, o Smail Be me gojë!/ Merre Flamurin në dorë,/ Ngule në Sazan e Vlorë.”
Këto nëntë vargje i përket një kënge nga më të vjetrat për pavarësinë e Shqipërisë. Është regjistruar në Kabash-Gramsh. Ajo është pjesë e botimit “Këngëve popullore Historike” që Qemal Haxhihasani e Zihni Zako përgatitën në vitin 1956. Albert Habazaj studiues i kulturës popullore e përmend këtë shembull në ligjëratën “Botimet më të hershme folklorike për pavarësinë e Shqipërisë” që e mbajti dje në konferencën me temë “Identiteti Kulturor Shqiptar në 100 vjet” organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike.
Në këtë ligjëratë antropologu i referohet edhe këngëve të tjera që janë përfshirë në “Rapsodë Popullorë” të Selim Hasanit dhe “Epika Historike III” realizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë (Instituti i Kulturës Popullore). Ai ka bërë edhe hulumtime në terren. Nga këtej veçon vargjet e shkruara nga Qerim Tartari nga Vranishti i Vlorës për Konferencën e Londrës më 1913-ën e cila la Kosovën jashtë kufijve të Shqipërisë, vargje këto të regjistruara në vitin 1960 e që përfshihen te “Epika Historike”.
Gjatë viteve 1995-’97, pati një vërshim botimesh folklorike apo të ashtuquajtura folklorike, por që nuk e morën status në korpusin “Trashëgimia kulturore e popullit shqiptar” që përfshihet në veprën me tre vëllime “Epika Historike”.
Albert Habazaj është pedagog në Universitetin e Vlorës për degën e Antropologjisë dhe Drejtori i Bibliotekës “Nermin Vlora Fallaschi” në Vlorë.
Ku janë kënduar këngët e para për pavarësinë. Cilat janë ato zona?
Është kënduar shumë në Labërinë e Vlorës, ose në Labërinë e Himarës, e deri në Labërinë e Gjirokastrës, në Tepelenë, Mallakastër e më tutje hapësirave polifonike. Qarkullojnë variante të tyre në këto treva, herë si këngë, herë si valle, diku duke shtuar një varg apo duke hequr një tjetër. Këngë kushtuar ngjarjes historike të 1912-s i gjejmë dhe në Lezhë, Dibër. Edhe në Kosovë kanë bërë këngë.
Si u bënë ato pjesë e epikës historike?
Ata që dhanë kontribut në këtë drejtim janë mbledhësit e folklorit Zihni Sako dhe profesori i shquar por i pashpallur si i tillë Qemal Haxhihasani. Kënga e parë që na ka mbërritur prej tyre është regjistruar në Gramsh, me nëntë vargje të ngjeshura, lakonike, të thjeshta por domethënëse: “Medet shokë, na mori malli,/Ku gjendet Smail Qemali?/Në Paris, brend te krali, /hyn e del si zog sorkadhi: /Shqipërinë dua të ma ndani, /Kanë zbritë komitat nga mali, / Fol o Smail Be me gojë! /Merre Flamurin në dorë, /Ngule në Sazan e Vlorë.” Kjo ka për vit botimi 1956.
Rapsodë si Mato Hasani, Xhebro Gjika, Nëço Mukaj i Himarës, Ndue Lazi e shumë të tjerë e bëjnë tekstin aty për aty, siç ka ndodhur gjithnjë në zonat tona këngët. Prandaj themi që folklori ynë lind natyrshëm.
Ku bazohet puna juaj për botimet e para folklorike për pavarësinë?
Puna ime rrok botimet e para folklorike dhe për këtë kam shfrytëzuar botimet e Akademisë së Shkencave. Botimet më të hershme janë “Këngë popullore historike” që përmban tri këngët e para për Pavarësinë përgatitur nga Qemal Haxhihasani dhe Zihni Sako në vitin 1956, në vitin 1966 kemi botimin “Rapsodë Popullorë” nga Selim Hasani dhe më pas “Epika Historike III”. Por kam kryer edhe kërkime në terren.
Çfarë ju kanë sjellë kërkimet në terren?
Kam dashur të di më shumë për një nga krijuesit e parë të këtyre këngëve, Qerim Tartarin nga Vranishti i Vlorës, për këngën që krijoi më 1913-n. Disa vite përpara kam takuar nipin e rapsodit, Muhamet Tartarin që sot nuk jeton më. Prej tij kam vërtetuar se teksti i mëposhtëm që është botuar te “Epika Historike” është krijuar dhe kënduar prej tij më 1913: “Ç’është kjo që na ka ngjarë/ Nënë Shqipëri? (përsëritet pas çdo vargu)/ Dhe malet në hall kanë rarë,/Se u premë’ e se u vramë,/Për liri për trojet tanë. /Të mëdhenjtë paçin belanë,/ Që e trazuan dynjanë,/Mëmëdhen në dysh e ndanë,/Kosovën jashtë na e lanë./ Po ne jemi shqiptarë,/Nga një nënë e nga një babë./Kemi një flamur e Shkabë,/jemi betuar ta mbamë!”
A janë krijuar më vonë këngë për pavarësinë, për shembull pas viteve ‘50?
Janë krijuar por arsyeja pse unë e zgjodha këtë temë për konferencën “Identiteti kulturor shqiptar në 100 vjet” është ngaqë kam vënë re që është abuzuar me folklorin. Fatlum është ai që pi ujë në burime të kulluara. Prandaj unë i referohem botimeve më të hershme.
Roli ynë është që të jemi ndërmjetës të traditës. Por këto nuk bëhem me urdhër. Sepse kënga vetë as bëhet dhe as këndohet me urdhër. Siç thotë Lefter Çipa: “Kënga nuk martohet, por është perëndeshë e virgjërisë.” Për shembull mua më pëlqen një këngë e Dibrës, apo e Shkodrës, por nuk e këndoj dot. Ndërsa këngën e zonës së Jugut e pëlqej dhe e këndoj.
Këngë për pavarësinë nuk ka vetëm në Vlorë, por ka dhe në Lezhë, në Sarandë etj., sepse pjesëmarrësit në shpalljen e pavarësisë e kishin nisur procesin përpara aktit final të cilit i këndon kënga.
Për të sotmen, folklori lab që përfaqësohet me autorë si Kujtim Mici, Hamdi Pulo, Lefter Çipa jep modele që nuk kanë të bëjnë me përpunimet dhe stilizimet që po i bëhen folklorit nga këngëtarët popullorë.
Një këngë regjistruar në Radhimë-Vlorë:
O Qemal kur të përzunë/ Kur desh të të zij’ Turqia/ Dhe një çikë prá të zunë;/ Erdh e të mori gjemia,/ Brënda në Paris të shpunë,/ Atje ku ish katimia./ Seç u ngrit krali në gjunjë,/ Mbretëresha dhe e bia./”Cili je ti, more burrë,/ Që kërkon vulat e mia?”/ “Unë jam Smail Qemali,/ Prapa më vjen historia.”/ Të shtatë vulat ja dhanë ,/ Po do mos dojë Turqia./ “ Do dojë, se s’është punë,/ Është e jona Shqipëria!/ Sazan e Karaburun/ Janë vatanet e mia,/ Nëpër mes i ndan një lumë,/ Nga juga është Greqia.
Këngë e regjistruar në Kuç-Kurvelesh:
“Më njëzet e tet’ nëntorë/ Më këmbë u ngre Shqipëria;/ Smail Qemali në Vlorë,/ Me gjithë shokët e tia,/ Çi tha popullit me gojë: “Posht’ o shokë, robëria! Evropa le ta dëgjojnë:/ Nuk ka vënt këtu Turqia!/ Ja të vdesim, ja të rrojmë,/ Është e jona Shqipëria! ”.