Kengetaret greke u paguan me hashash

'Kengetaret greke u 'paguan' me hashash'

Dy këngëtarët grekë, të cilët u arrestuan disa ditë më parë në Gjirokastër me një sasi prej 63 kilogramë hashash, janë paguar nga pronari i një diskoteke në Sarandë me lëndën narkotike. Ky është dyshimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila po i heton me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës në bashkëpunim, ndërsa rrezikojnë një dënim me dhjetëra vite burg. Ndërkohë, ditën e djeshme, dy këngëtarët Panajotis Markopoulos dhe Anastasia Vogiatzi, kanë dalë parë Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku janë lënë në burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa mbrojtja e tyre ka pretenduar se gjithçka ka qenë një kurth, duke kërkuar edhe lirimin. Megjithatë, gjykata vendosi t’i lërë në burg, deri në përfundim të hetimeve.

“Pagesa” me hashash

Hetimet disaditore nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë përcaktuar se dy këngëtarët grekë janë “paguar” me hashash nga administratorët apo pronari i diskotekës, ku performuan për disa ditë. “Hetimet paraprake kanë përcaktuar se dy këngëtarët grekë kanë ardhur në Shqipëri disa ditë para arrestimit në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafëbotës. Më pas, ata janë akomoduar në një hotel në Sarandë, ku mësohet se kanë kënduar në një diskotekë. Pas “turneut” kanë tentuar të largohen nga Shqipëria dhe janë drejtuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, ku dhe u arrestuan nga policia, pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi prej 63 kg hashash”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat saktësojnë se po verifikojnë pikërisht mënyrën e pagesës së tyre, pasi gjatë kontrollit nuk iu gjetën sasi të konsiderueshme të hollash, por vetëm kanabisi, ndërsa dyshimet janë se kanabisi është edhe pagesa e tyre. Gjithsesi, hetimet e mëvonshme do të zbardhin edhe të gjitha dyshimet e organit të prokurorisë për këta të arrestuar, si dhe për personat e tjerë në këtë trafik, pasi, përveç prodhuesit, dyshohet se të implikuar mund të jenë edhe transportues apo mbajtës të lëndës narkotike.

Gjykata

Ditën e djeshme, Panajotis Markopoulos dhe Anastasia Vogiatzi, dolën para Gjykatës së Krimeve të Rënda, për t’u njohur me masën e sigurisë. Në gjykatë, prokurori lexoi edhe dëshmitë e të arrestuarve gjatë hetimeve paraprake. Ata kanë mohuar në mënyrë kategorike se kishin dijeni që në makinën e tyre ishte fshehur sasia e drogës e sekuestruar nga policia. Ata kanë dhënë shpjegime edhe për vendqëndrimin e makinës së tyre, tip OPEL me targa IPP 3885, duke mohuar përfshirjen në ndonjë rrjet të trafikut të drogës. Ndërkohë, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe pronarët e lokalit ku këngëtarët kanë kënduar për dy netët e fundjavës. Ata kanë thënë se këngëtarët janë paguar me euro për dy ditët e qëndrimit në Shqipëri, ndërsa gjatë kontrollit personal mësohet se atyre nuk u është gjetur shuma e pretenduar nga pronarët. Para Gjykatës së Krimeve të Rënda, dy këngëtarët grekë, me ndihmën e përkthyesve, kanë kërkuar të lirohen duke e deklaruar veten të pafajshëm. Edhe avokatët, në fjalën e tyre, kërkuan që klientët e tyre të lirohen, duke pretenduar se janë futur në kurth nga rrjetet e trafikut të drogës. Ndërkohë, ky pretendim u kundërshtua nga prokurorët, duke theksuar se dy shtetasit grekë janë arrestuar në flagrancë, pasi në mjetin e tyre u gjetën dhe sekuestruan sasia e drogës prej 62.5 kg hashash.

Arrestimi

Mësohet se lënda narkotike është zbuluar fundjavën e kaluar nga qen antidrogë, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Gjatë kontrollit të imtësishëm u gjetën 95 pakot e mbështjella me natriban të fshehur në shasinë e mjetit dhe dyshemenë e sediljes së pasme të makinës. Fillimisht, policia tha se arrestoi vetëm drejtuesin e mjetit, shtetasin grek Panajotis Markopoulos, i datëlindjes 1987 nga Selaniku, për shkak se në mjetin e tij me targa greke, Ipp 3885, u gjet sasia e drogës e fshehur në pjesë të ndryshme të mjetit. Një ditë më pas, policia arrestoi edhe shtetasen greke, Anastasia Vogiatzi, edhe kjo këngëtare, e datëlindjes 1984 nga Selaniku, si bashkautore e trafikut të lëndës narkotike të sekuestruar. Ata u arrestuan për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama