Keqmenaxhimi ne Qendren e Artit

Keqmenaxhimi ne Qendren e Artit

Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Kulturës për shfuqizimin e të gjitha dispozitave që kanë të bëjnë me ekzistencën dhe veprimtarinë e Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, duke ia kaluar këto kompetenca vetë ministrisë.

Lajmin e bëri të ditur ministrja Mirela Kumbaro, e cila tha se Qendra ka keqpërdorur funksionin e saj të menaxhimit të fondit publik për mbështetjen financiare të projekteve të paraqitura nga personat fizikë e juridikë, privatë, që kanë objekt veprimtarie artin dhe kulturën.

Sipas saj, mes të tjerash QKAK nuk ka bërë transperente veprimtaritë e saj në aspektin buxhetor, të marrjes së vendimeve për pranimin e projekteve të paraqitura.

“Vetëm ky institucion në 2014 do të mbartë një borxh prej rreth 26 milionë lekë nga vendimet dhe kontratat e angazhuara në vitin 2013, kjo përtej buxhetit të parashikuar dhe në shkelje flagrante të legjislacionit në fuqi”, deklaroi Kumbaro.

Ministria ka përgatitur një skemë të re planifikimi për ndarjen e fondeve, duke premtuar transparencë publike. Aplimiket për projektet në lidhje me artin dhe kulturën do të bëhen online në faqen e Ministrisë së Kulturës, ku bëhen të ditura dhe kriteret e pranimit për aplikuesit.

“Kjo do të organizojë me mirë buxhetin e shtetit për këto fonde, por edhe kalendarin artistik të nismave të lira, të cilat nuk do të mbahen më peng i orekseve individuale apo i zvarritjeve administrative”, ka shtuar Kumbaro.

Një tjetër ndryshim është edhe emërtimi i Teatrit të Komedisë, i cili do të quhet Teatri eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në nder të artistit të popullit, i cili krijoi dhe drejtoi Teatrin e të rinjve prane ish-ILA.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama