Kërcimi pastrues dhe shërues është i pranishëm në jetën e njeriut në forma të ndryshme që nga kohërat e lashta, madje edhe sot përdoret si mjet “shërimi” nga disa popullsi të cilat nuk e njohin (për arsye fetare) qasjen shkencore të psikologjisë. Nëse do të pranonim mendimin e filozofit francez, Merleau-Ponty, sipas të cilit “trupi është mjeti i vetëm që kam për t’u shkuar në zemër gjërave”, atëherë Terapia e Lëvizjes dhe Kërcimit (TLK), që në shprehjen trupore ka qendrën dhe bazën e metodës terapeutike, është padyshim një nga mjetet më efikase për të hyrë në “zemër” të shumë problemeve psikike, somatike dhe relacionale. Në të njëjtën kohë, duke qenë se trupi është “vend simbolik”, Terapia e Lëvizjes dhe Kërcimit mund të jetë një mënyrë e mirë në kërkimin e mirëqenies psikologjike, zhvillimit dhe rritjes personale.
Terapia e Lëvizjes dhe Kërcimit është e këshillueshme për të gjithë njerëzit. Trupi është një vend simbolik për secilin prej nesh, i cili ruan historinë tonë, është kujtesa jonë, dhe Terapia e Lëvizjes dhe Kërcimit bazohet pikërisht në konceptin e bashkimit fizik, emocional e mendor, duke e ndihmuar këtë shkrirje ose bashkim. Zakonisht, më të privilegjuara janë femrat, sepse meshkujt zgjedhin gjuhën verbale. Femrat tërhiqen më shumë nga gjuhët joverbale, siç është ajo e trupit dhe lëvizjeve.
Terapia e Lëvizjes dhe Kërcimit përdoret te pacientët psikotikë, personat që vuajnë nga çrregullimet me ushqimin, ata që janë dhunuar e ngacmuar seksualisht, madje kohët e fundit ka pasur eksperimente pozitive edhe në rastet e vartësve ndaj drogave dhe alkoolit. Terapia e Lëvizjes dhe Kërcimit këshillohet edhe për adoleshentët që shpesh jetojnë eksperienca të veçanta në trupin e tyre- i cili ndryshon në mënyrë kaq konfliktuale -kanë probleme me ushqimin, përjetojnë situata stresuese lidhur me marrëdhënie të ndryshme, njësoj si bashkëmoshatarët dhe të rriturit. Prej kohësh, në Shtetet e Bashkuara janë kryer studime mbi përdorimin e TLK-së dhe është vënë re se adoleshentët i përgjigjen mjaft mirë kësaj terapie, që ka për qëllim krijimin e një raporti të mirë me të tjerët.
Si zhvillohet një seancë? Në fillim caktohen takime të veçanta, jo më shumë se me tre persona. Natyrisht që nevojitet pak më shumë kohë që pacienti të jetë gati për të përballuar punën në grup dhe terapinë në marrëdhënie me të tjerët. Me kalimin e kohës, pacienti i cili është duke u trajtuar, çohet në grupin më të madh, i cili përbëhet nga pesë ose gjashtë persona. Psikoterapia e meditimit trupor mund të zhvillohet në mënyra të ndryshme. Ka nga ata që përdorin gjithmonë lëvizjet e shoqëruara nga muzika, të tjerë që i ndërthurin bashkë momentet muzikore me ato të heshtjes, ka nga ata që parapëlqejnë të ashtuquajturat lëvizje autentike, ose ndryshe lëvizjet të cilat kryhen me sy mbyllur.
Sa zgjat një cikël psikoterapie i këtij lloji?
Sigurisht që kohëzgjatja është subjektive. Le të themi se për personat që kanë më shumë aftësi të hyjnë në kontakt me mbrojtjen e tyre dhe janë veçanërisht emfatikë, nevojiten dy ose tri vjet duke e frekuentuar kursin një herë në javë. Zakonisht nevojiten rreth pesë vjet, por gjithçka varet nga koha e frekuentimit.
Po kostoja e një seance sa kushton?
Dihet që në shtet çmimet janë më të lira, ndërsa në privat variojnë. Një seancë individuale shkon nga 30 deri në 60 euro. Ajo në grup nga 15 deri në 50 euro për çdo pjesëmarrës.
Terapia e lëvizjes dhe kërcimit mund të bëjë mrekulli te një person i sëmurë, duke hyrë aty ku ilaçet apo teknologjia nuk munden. Për shembull, duket disi dyshuese që kërcimi mund të ketë një efekt pozitiv mbi dhimbjen psikologjike që shoqëron pa diskutim atë fizike. Gjithashtu mund “të shërojë” vetminë dhe paaftësinë për të komunikuar, që shpesh herë prek personat e sëmurë rëndë, duke e bërë edhe më të vështirë situatën që vjen si pasojë e sëmundjes së tyre.
Ekziston një marrëdhënie e thellë dhe ende misterioze, që e lidh kërcimin me shpirtin dhe mendimet e njeriut. Pse TLK-ja mund të na shqetësojë, apo në të kundërt të na qetësojë? Mund të na shtyjë drejt një agresiviteti, apo të na nxisë drejt një dashurie? Në ç’mënyrë kërcimi mund të ketë efekte terapeutike dhe të qëndrojë përkrah terapive psikiatrike të suksesshme? Është provuar se kërcimi nuk është i bezdisshëm, madje zgjidhet me dëshirë nga të gjithë, veçanërisht nga të rinjtë.
Ka efekt mbi vigjilencën, humorin dhe arsyen për të kryer punë të ndryshme, të cilat kërkojnë një përqendrim të veçantë. Veç të tjerash, nëse eksplorojmë në natyrë dhe etnologji raportin kërcim-mendje, do të zbulojmë lidhje të vjetra dhe shumë të thella. Terapia e lëvizjes dhe kërcimit i ofron të sëmurit një mundësi ndryshe për ta ndjerë veten dhe për të transmetuar ndjenjat e tij, duke përdorur një gjuhë ndryshe nga ajo e folur prej botës së të shëndetshmëve. Për këtë arsye, TLK-ja i gjen aplikimet e saj kryesisht te sëmundjet psikologjike, mendore dhe depresioni. Terapia e lëvizjes dhe kërcimit po tregon se ka një rol shumë të rëndësishëm ndaj sëmundjeve të ndryshme.