Kercimtaret e nates debohen nga Kosova

Kërcimtaret e natës dëbohen nga Kosova
Sipas specialistëve të Zyrës së Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit, është hera e parë që policia e Kosovës riatdheson në mënyrë të organizuar një numër kaq të madh vajzash, të cilat dyshohen se krahas profesonit të kërcimtares apo këngëtares ushtrojnë edhe prostitucion. Dëbimi i vajzave nga Shqipëria nga ana e policisë së Kosovës ka vënë në alarm strukturat e policisë së shtetit në Shqipëri. Në Kukës ka mbërritur vetë shefi i Zyrës së Luftës kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore në policinë e shtetit, Ardian Çipa, dhe dy specialistë të kësaj zyre. Në zyrat e IOM-it në Kukës është kryer intervistimi i të gjitha vajzave të riatdhesuara, ndërkohë që asnjëra prej tyre nuk ka pranuar që të jetë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni. "Të gjitha vajzat deklaruan se kishin shkuar me dëshirë për të punuar në Kosovë si kërcimtare apo këngëtare dhe sipas deklarimeve asnjëra prej tyre nuk ishte shfrytëzuar për qëllime të tjera", deklaroi Dritan Musa, shef i Zyrës së Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Kukësit.

Sipas Musës, i cili ishte i pranishëm gjatë intervistimit, 11 vajzat e dëbuara nga Kosova dispononin dokumente të sakta identiteti, ku tetë prej tyre ishin të pajisura me pasaporta, tre kishin karta identiteti, ndërkohë që njëra prej tyre kishte edhe një vizë Shengen pasi të njëjtën punë si në Kosovë, e kishte bërë edhe në Zvicër. Vajzat e riatdhesuara kanë deponuar gjatë intervistimit se kanë qenë të kënaqura me punën dhe me pagesën dhe shumica prej tyre kanë deklaruar se do të kthehen sërish në Kosovë për të bërë të njëjten punë. "Gjykata dhe policia e Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me ligjet që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ne kemi rënë viktimë e konkurrencës mes lokaleve të Prishtinës", janë shprehur vajzat e dëbuara. Megjithatë policia dyshon se vajzat kanë ushtruar edhe aktivitet prostitucioni në Kosovë. "Vajzat e riatdhesuara janë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça e Gjirokastra.

Në përgjithësi ato kanë rezultuar me probleme sociale, me njërin prej prindërve të vdekur apo me prindër të divorcuar", thotë Musa. Shumica prej vajzave kanë deklaruar se kanë pasur edhe mirëkuptimin e prindërve për të punuar në lokalet e Kosovës, ndërkohë që njëra ka pohuar se ka gjetur mirëkuptim tek prindërit edhe për të ushtruar prostitucion. "Mua babi nuk ma prish për asgjë, as për të kryer marrëdhënie seksuale me personat që dua. Nëse bëj seks, e bëj me dëshirë", ka pohuar para specialistëve të policisë shqiptare njëra prej vajzave të intervistuara. Ndërkohë që ato i kanë deklaruar specialistëve të antitrafikut se nuk ishin kategoria e atyre vajzave që kishin punuar ndonjëherë nëpër semaforë apo rrugë. 11 vajzat e dëbuara nga Kosova kanë qëndruar një natë në hotelet e Kukësit dhe më pas janë transportuar për në shtëpitë e tyre, ku të gjitha shpenzimet do të përballohen nga IOM-i (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin). Ndërkohë që sipas Dritan Musës, numri i vajzave të punësuara në baret, hotelet dhe motelet e Kosovës është shumë i madh, ku mund të arrijë deri në 1 mijë.

Bashkim Shala :Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama