Kerkesat e Fullanit dhe Golemit nga burgu

Kerkesat e Fullanit dhe Golemit nga burgu

Dy të arrestuarit e Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Ardian Fullani dhe inspektorja e Përgjithshme e Bankës, Elivar Golemi, janë vendosur në dhomat e sigurisë së lartë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Pas arrestimit të tyre, në orën 19:45 minuta, Fullani dhe Golemi janë vendosur të ndarë, secili në qeli të veçanta, duke i lënë vetëm. Burime nga uniformat blu, kanë bërë të ditur se, dy të arrestuarit nuk kanë bërë kërkesa të veçanta pasi janë shoqëruar dhe janë dërguar në qelitë e paraburgimit. Mësohet se, guvernatori Fullani ka pasur disa shqetësime dhe probleme me tensionin.

 

E vetmja kërkesë e tij, kanë qenë pikërisht disa ilaçe për të stabilizuar luhatjet e tensionit. Duket se, arrestimi për të ka qenë i papritur duke i sjellë edhe këto shqetësime. Ndërkaq e arrestuara, Elivar Golemi nuk ka bërë ndonjë kërkesë në drejtim të efektivëve të policisë së kryeqytetit të cilët janë vënë në ruajtje të dy të ndaluarve. Ndërkaq lëvizjet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kanë qenë të shumta për shkak dhe të rëndësisë së personave të arrestuar, si dhe ndjeshmërisë së çështjes dhe impaktit që ka shkaktuar në publik.

 

Në orët e mesnatës, duke u gdhirë dita e sotme në ambientet e policisë së kryeqytetit, ka mbërritur edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Burime nga uniformat blu kanë bërë të ditur se, Didi është interesuar në lidhje me procedurat që ka ndjekur policia gjatë arrestimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu ai ka kërkuar të dhëna në lidhje me kushtet e sigurimit të të arrestuarve dhe ruajtjes së tyre. Mësohet se, qelitë e Ardian Fullanit dhe Elivar Golemit, veç ruajtjes 24 në 24 orës me efektivë policie, janë të mbikëqyrura edhe me kamera me qark të mbyllur. Nga të dhënat e siguruara nga burime të uniformave blu, Fullani dhe Golemi ndodhen të veçuar nga të arrestuarit e tjerë të cilët ndodhen të arrestuar të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me këtë çështje.

 

Ndërsa kjo është situata brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, përballë saj, familjarët dhe të afërmit e të ndaluarve kishin mbushur trotuaret. Ata nuk kanë veprime dhe i vetmi i cili ka shkuar në sportin e drejtorisë ka qenë avokati Maks Haxhia i cili ka kërkuar takim me klientin e tij, por që nuk i është lejuar me arsyetimin se, nuk ishte i pranishëm prokurori i çështjes. 

 

Ja rastet kur pezullohet nga detyra Guvernatori

 

Arrestimi i Fullanit sjell dhe shqyrtimin e masave që do të duhet të marrë qeveria përsa i përket pezullimit të tij nga detyra dhe ngarkimit në detyrë të një tjetër anëtari. Në nënin 47 të ligjit NR.8269, “Për Bankën e Shqipërisë” saktësohen rastet kur pezullohet Guvernatori. Ndërsa në nenin 46 përcaktohet mos përputhja e mandatit të Guvernatorit kur zgjidhet President, Ministër ose deputet

 

NENI 47

 

1. Çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe

 

zëvendësguvernatorët pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohet nga Kuvendi Popullor, në qoftë se ai ose ajo:

 

a) është në pamundësi për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, sipas nenit 46;

 

b) është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim;

 

c) është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar;

 

ç) është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;

 

d) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama