Rezultat i këtij bashkëpunimi intensiv është edhe tubimi shkencor “50 vjet albanologji në Universitetin Ludwig-Maximilian” që mbahet në Gut Schönwag të Bavarisë deri më 26 qershor dhe ku marrin pjesë 30 studiues dhe të interesuar të fushës nga 12 vende të Evropës dhe të SHBA-ve. Në sesione të veçanta shkencore diskutohen aspekte të fushave që mbulon vetë dega në programin e vet universitar. Ky aktivitet synon gjithashtu të fokusojë në qendër të debatit shkencor-intelektual edhe perspektivat e kërkimit shkencor albanologjik në Evropën Perëndimore në kohën tonë e në të ardhmen, kur kërkohet një angazhim më i madh i politikës kulturore-shkencore në vendet që mbulojnë hapësirën kulturore shqiptare në Ballkan.
Gjatë prezantimit të aktivitetit shkencor-universitar të degës në këta 50 vjet, drejtuesi i degës prof. dr. Bardhyl Demiraj parashtron prirjen për një riorientim strategjik në organizimin e formimit shkencor-universitar albanologjik në Perëndim si edhe të nxjerrë në pah nevojën e mbështetjes institucionale që ende pritet prej kohësh të vijë prej institucioneve qeveritare në vendet e rajonit ballkanik. Dritë jeshile emeton në këtë rast prania në ditën e hapjes solemne të tubimit e përfaqësuesve të trupit diplomatik të tri vendeve ballkanike, si ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Gjermani: z. Valter Ibrahimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, dr. Vilson Mirdita, zv/ministri i jashtëm i Kosovës prof. Gashi si edhe vetë Dr. Friedrich Zeller, prefekti i rrethit Weilheim-Wessobrunn, ku mbahet edhe konferenca.