Çështja e rikthimit të Greqisë për të kërkuar naftë në detin Jon, shndërruar në një temë jo pak të rëndësishme edhe në shtetin fqinj. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Konstantinos Koutras, është treguar i kujdeshëm në deklaratën e tij pas lajmeve të fundit, sipas të cilave, zonat që do të tenderohen prej qeverisë greke për kërkim dhe shfrytëzim nafte dhe gazi natyror, shtrihen edhe brenda ujërave territoriale shqiptare.
Koutras nuk zhbalancohet, por thekson: “Greqia respekton krejtësisht të Drejtën Ndërkombëtare për detin”.
Zëdhënësi Koutras siguroi se në zonat e përfolura nuk do të ketë asnjë problem me asnjë prej vendeve fqinjve, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. “Është bërë kujdes që zonat të cilat do të tenderohen, të mos krijojnë asnjë problem me vendet fqinje, – shtoi ai. – Sigurisht që kuadri ynë i referimit është gjithmonë, pranimi i përbashkët dhe respektimi i së Drejtës Ndërkombëtare të Detit’’.