Kerkimi shkencor kriza qe vjen nga komunikimi

Kerkimi shkencor, kriza qe vjen nga komunikimi
A është në pikë kritike komunikimi në kërkimin shkencor?! Komunikimi  shkencor tradicional kërcënon drejtpërdrejt cilësinë e kërkimit shkencor. Në një sistem pak të besueshëm, me kundërdeklarata mbi plagjiaturë, botime të pakta riprodhuese të kërkimeve shkencore dhe manipulim në faktorin e impaktit.

Botimet akademike zakonisht i japin statusin më të lartë kërkimit shkencor, duke përcaktuar trajektoren e karrierës shkencore, që sa vjen dhe përkeqësohet.

Duken deklarata të forta? Dy shkencëtarë, Björn Brembs nga universiteti i Regensburgut dhe Marcus Munafò nga universiteti i Bristolit kanë kryer një studim mbi ndikimin e thellë që kanë pasojat e paqëllimta të renditjes së revistave.

Normat e kundërdeklaratave

Një përgjigje e mundshme për zbulimin se diçka është gabim në një artikull shkencor të botuar. Kur funksionon si duhet, revistat botojnë një deklaratë për të identifikuar arsyen.

Normat e këtyre kundërdeklaratave janë dhjetëfishuar në vitet e fundit. Sipas një eseje të kohëve të fundit, dy të tretat e këtyre kundërdeklaratave janë për sjellje të keqe shkencore: mashtrim, botime të kopjuara  dhe plagjiaturë. Më shqetësues është zbulimi se revistat më prestigjioze kanë normat më të larta të kundërdeklaratave dhe se mashtrimi dhe sjellja e keqe janë burime më të mëdha deklaratash në këto revista sesa në ato më pak prestigjiozet.

Mes artikujve që nuk kanë kundërdeklarata, ka një evidencë që revistat më popullore botojnë më pak rezultate pak të besueshme sesa revistat me rankim të ulët. Kjo mund të ndodhë për shkak të një preference mes revistave prestigjioze për rezultate që janë më spektakolare apo zbulime të reja, një fenomen i njohur si anësi botimi.

Efekti përkulës

Një gur themeli për sistemin e kontrollit të cilësisë është riprodhimi; rezultatet e kërkimeve shkencore duhet të përshkruhen me shumë kujdes në mënyrë që të përftohen nga të tjerët që ndjekin të njëjtën procedurë. E megjithatë, revistat zakonisht nuk janë të interesuara në botimin e riprodhimeve apo kopjeve të thjeshta, duke i dhënë kësaj mase të veçantë të kontrollit të cilësisë një lloj statusi më të ulët, të pavarur për rëndësinë që ka, për shembull në studimin e ilaçeve të reja potenciale.

Kur studimet riprodhohen, rezultati është shpesh më i dobët sesa studimi origjinal. Kërkimi i Brembs dhe Munafò-s i ka çuar në pretendimin se “fuqia e fakteve për një zbulim të veçantë shpesh bie me kohën”. Kur eksperimenti përsëritet, pika e parë statistikore eliminohet. E megjithatë, është pikërisht ana spektakolare e kësaj pike statistikore që rrit gjasat për botimin në një revistë prestigjioze.

Politikat e prestigjit

Një qasje për matjen e rëndësisë së një reviste është të llogaritësh se sa herë shkencëtarët citojnë artikujt e saj. Kjo është intuita pas faktorit të impaktit. Botimi në revista me faktor të lartë impakti ushqen punëdhënës, financues, çmime dhe promocione. Një faktor i lartë impakti gjithashtu rrit popullaritetin dhe fitimet e një reviste dhe redaktorët apo botuesit e saj punojnë fort për t’i rritur, në radhë të parë duke provuar të botojnë ata që besojnë se mund të jenë artikujt më të rëndësishëm.

Megjithatë, faktori i impaktit mund të manipulohet në mënyrë të paligjshme. Për shembull, llogaritja aktuale për faktor impakti përfshin pjesëtimin e numrit total të citimeve në vitet e fundit nga një numër artikujsh të botuar në revistë në të njëjtën periudhë. Por çfarë është një artikull? A llogariten editiorialet? Po sa i përket reçensave, replikave dhe komenteve?

Duke negociuar për të përjashtuar disa artikuj nga emërtuesi në këtë përllogaritje, botuesit mund të rrisin faktorin e impaktit të revistave të tyre.

Në lojën e faktorit të impaktit, redaktorët e revistës shkencore me akses të hapur peer-review “PLoS Medicine” përshkruan negociatat për të përcaktuar faktorin e tyre të impaktit. Faktori i tyre i impaktit mund të kishte qenë diçka nga 4 në 11. “Një faktor impakti te të 30-at është tejet i lartë, ndërkohe që pjesa më e madhe e revistave e ka nën 1. Me fjalë të tjera, nga 4 në 11 është një pozicion domethënës. Ky proces çon redaktorët në përfundimin se shkenca aktualisht renditet nga një proces që në vetvete është jo shkencor, subjektiv dhe i fshehtë”- është i mendimit Curt Rice, zëvendëspresidenti për kërkim dhe zhvillim në Universitetin e Tromsø-s, Norvegji.

Krizë për shkencën?

“Besoj se problemet këtu janë krizë për shkencën dhe institucionet që themelojnë dhe çojnë përpara kërkimin”-vijon Rice. Një sistem komunikimi ky që tregon se nevoja për kundërdeklarata po shpërthen, riprodhimi i kërkimit po zvogëlohet dhe standardet më të mëdha të cilësisë së revistave po bëhen një farsë. Në të vërtetë, rankimi i revistave nga faktori i impaktit është në zemër të këtyre problemeve. Dy kërkuesit dalin në përfundimin se sistemi është i dëmtuar dhe duhet braktisur.

Për ta lënë pas këtë krizë kërkon si ndryshime sistemike ashtu edhe kulturore. Citimi i artikujve individualë mund të jetë një indikacion i mirë për cilësinë, por ekselenca e artikujve individualë nuk lidhet me faktorin e impaktit të revistave ku botohen.

Kur të kemi bindur veten për këtë, mund të shohim se pasojat që ka për vlerësimin e procesit është thelbësor për ndërtimin e karrierave në shkencë dhe mund të shtyjë lindjen e alternativave të tjera

Sommario

 Më shqetësues është zbulimi se revistat më prestigjioze kanë normat më të larta të kundërdeklaratave dhe se mashtrimi dhe sjellja e keqe janë burime më të mëdha deklaratash në këto revista sesa në ato më pak prestigjiozet.

Një faktor i lartë impakti gjithashtu rrit popullaritetin dhe fitimet e një reviste dhe redaktorët apo botuesit e saj punojnë fort për t’i rritur, në radhë të parë duke provuar të botojnë ata që besojnë se mund të jenë artikujt më të rëndësishëm.

Megjithatë, faktori i impaktit mund të manipulohet në mënyrë të paligjshme.

Marcus Munafò dhe Björn Brembs: ja axhenda pas faktorit të impaktit

Ata kanë publikuar së fundmi një kritikë mbi faktorin e impaktit dhe rankimin e revistave në përgjithësi. Ka shumë linja që tregojnë se botimet në revistat me rankim të lartë jo vetëm që kanë gjasa të jenë më mashtruese sesa artikujt në revista me rankim më të ulët, por gjithashtu kanë më shumë gjasa të prezantojnë zbulime që janë më pak të besueshme (si për shembull mund të jenë të fryra ose që nuk mund të riprodhohen menjëherë). Disa nga mekanizmat sociologjikë pas këtyre korrelacioneve janë dokumentuar si presion për të botuar (preferohen rezultate pozitive në revista me impakt të lartë, duke çuar në potencialin për uljen e standardeve etike dhe rritjen e anësisë së botimeve në fusha me konkurrencë të lartë.)

Megjithatë, ka një perceptim të fortë se është më mirë të botosh në revista me rankim të lartë.

Sipas dy kërkuesve, faktori i impaktit gjeneron një iluzion ekskluziviteti dhe prestigji të bazuar në një hamendësim se parashikon impakt të menjëhershëm, që nuk mbështetet nga të dhënat empirike. Alternativa për rankimet e revistave ekzistojnë – ka teknologji në dispozicion që vërtetojnë nëse proceset e rankimit janë kryer pa anshmëri, rrugë dinamike për një bazë artikulli që i lejon komunitetit të kërkuesve një kontroll më të madh në përzgjedhje, filtrim dhe rankim të informacionit shkencor. Duke qenë se nuk ka arsye teknologjike për të vazhduar me përdorimin e renditjes së revistave një impakt i kritikës së tyre është heqja e nevojës një për hierarki të revistave shkencore.

Faktori i impaktit duhet të tregojë vlerë të shtuar

Prorektori i Universitetit Europian të Tiranës, Përparim Fuga, flet mbi problemet që hasin revistat shkencore në Shqipëri në lidhje me faktorin e impaktit

Nuk është e vetme citueshmëria e një artikulli indikator i vlerës së shtuar të një kërkimi shkencor konkret. Jo gjithmonë faktori i impaktit tregon për një vlerë të shtuar apo një arritje në punën kërkimore shkencore. Por, një artikull me faktor impakti, i botuar në një revistë me faktor të lartë impakti, është një argument i mirë për të vlerësuar një punim të caktuar. Pra, një kriter themelor duhet të jetë vlera e shtuar që sjell një studim shkencor, e cila duhet të gjykohet nga një grup ekspertësh. Sigurisht që vlerësimi nga ana shkencore i një punimi (artikull apo prezantim tjetër i çdo forme) nuk është i lehtë, aq më pak në mjedisin shqiptar, që përbëhet nga qarqe relativisht të ngushta shkencore, ku parimet e “peer review” nuk aplikohen dot në mënyrë korrekte, ku ndërveprimet dhe përplasja e interesave është komplekse, dhe për më tepër ku fitimi i një grade apo titulli është i lidhur me një pagë, madje deri dhe një pension më të lartë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama