Kerkoi favore seksuale nga nena e se mitures rrezikon 4 vjet

Kerkoi favore seksuale nga nena e se mitures, rrezikon 4 vjet

Sekretari i deputetit socialist, Koço Kokëdhima, në qytetin e Sarandës rrezikon deri në katër vjet heqje lirie. Të paktën kjo është akuza që prokuroria e këtij rrethi ka ngritur ndaj shtetasit Agron Cane, i arrestuar dy ditë më parë pas publikimit të një videoje ku ky person kërkonte marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur. Burime të prokurorisë thanë se shtetasi i arrestuar dyshohet se ka konsumuar veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e cila parashikon një dënim nga 6 muaj deri në katër vjet burg. Me këtë akuzë prokuroria pritet t’i kërkojë gjykatës masën e sigurisë “arrest me burg” për 60-vjeçarin Cane, i cili tashmë ndodhet në paraburgim. Seanca për caktimin e masës së sigurimit pritet të zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën e Sarandës, ndërsa prokuroria e këtij rrethi ka vënë në dispozicion të gjykatës të gjitha provat e mbledhura nga hetimet e deritanishme. Vetë i arrestuari ka pranuar bisedën e publikuar, duke thënë se nuk ishte në dijeni të regjistrimit.

 

Ai nuk ka dhënë detaje për kërkesën e vazhdueshme që i ka bërë nënës së katër fëmijëve, duke u mjaftuar me pranimin e bisedës së zhvilluar mesditës së 14 gushtit në zyrën e deputetit socialist, Koço Kokëdhima. Prova më e rëndësishme është një video-regjistrim i kryer nga nëna e katër fëmijëve, E. G, e cila prej gjashtë muajsh ishte nën presionin e të dyshuarit pas kërkesave të vazhdueshme për të kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e saj të mitur. Nëna e katër fëmijëve ka regjistruar një bisedë me shtetasin Agron Cane, e cila sipas saj është zhvilluar në zyrën e deputetit socialist në qarkut Vlorë, Koço Kokëdhima. Video-përgjimi zgjat rreth 17 minuta dhe nga përmbajtja e saj duket qartë se sekretari i zyrës së deputetit kërkon favore seksuale me vajzën e mitur të gruas denoncuese në këmbim të një vendi pune. Nisur nga ky fakt prokuroria thotë se i arrestuari ka kërkuar favore duke premtuar se do ndikonte tek persona që ushtrojnë funksione publike për t’i siguruar një vend pune kallëzueses E. G. Sipas arsyetimit të prokurorisë, i dyshuari nuk ka patur funksione publike për të realizuar vetë premtimin e dhënë, pasi në një rast të tillë do të ishim përpara veprës penale të “korrupsionit pasiv”. Por burime të prokurorisë thanë se kjo është një akuzë paraprake, pasi çështja është nën hetim dhe akuza përfundimtare do të caktohet në varësi të provave që do të mblidhen deri në përfundim të hetimeve.

 

Dëshmia e gruas, provë për hetimin e aktivistit të PS

Krahas video-përgjimit, një tjetër provë është edhe dëshmia e gruas, e cila thotë se ishte në situatë presioni nga i dyshuari prej rreth 6 muajsh. Ajo sqaron se kishte shkuar në zyrën e deputetit për të kërkuar një vend pune që në fakt i ishte premtuar nga sekretari i zyrës, por në këmbim të favoreve seksuale të saj dhe vajzës së mitur vetëm 14 vjeç. Tashmë të gjitha provat e dorëzuara nga kallëzuesja janë vënë në dispozicion të gjykatës, e cila pritet të shqyrtojë sot kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj 60-vjeçarit Agron Cane. Ky person u ndalua nga policia pas publikimit të një videoje ku kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur të denoncueses, e cila 5 vite të shkuara kishte humbur bashkëshortin nga një aksident në punë dhe ishte në kërkim të një pune për katër fëmijët e saj të mitur.

Neni 245/1

Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike

(Shtuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 20)

(Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012)

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.

Kërkimi, marrja ose pranimi, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për veten e tij ose për persona të tjerë, duke premtuar ose siguruar aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është kryer ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama