Kerkon azil ne Angli Jam gay ne Shqiperi me persekutojne

Kerkon azil ne Angli: Jam gay, ne Shqiperi me persekutojne

Një azilkërkues shqiptar, i cili jeton në Teessside, deklaroi në gjykatë se u largua nga vendi i tij pasi persekutohet për faktin se është homoseksual.

Xhuliano Zota, 21 vjeç, u arrestua pasi aplikoi për të ndryshuar patentën e tij italiane në atë britanike. Autoritetet vunë në dijeni se ai po jetonte ilegalisht në Britaninë e Madhe.

“Gazette live” raporton se Zota po mbahet në burgun “Holme House”, ndërsa hetuesit po investigojnë mbi pretendimet e tij.

Avokati i tij tha para gjykatës se patenta me emrin Christiano Riccio ishte përdorur si formë identifikimi. Zota e mori atë në Itali ku qëndroi për dy javë, kur po udhëtonte nga Shqipëria për në Angli.

“Kjo nuk është një çështje trafikimi. Ai po largohej për shkak të persekutimeve që i vinin nga prirjet seksuale”, tha avokati.

Zota u arrestua për shkak të dokumenteve identifikuese false. Ai u deklarua fajtor përmes një përkthyesi nga jugu i Shqipërisë për posedim të një dokumenti identiteti, patentës italiane në emër të Christiano Riccio, një emër që ishte i rremë.

Gjykatësi u shpreh se nuk e dinte nëse për homoseksualitetin në Shqipëri kishte sjellje të ndryshme nga ajo në Britani. Vendimi për të do të jepet më 19 nëntor, ndërsa deri atëherë do të hetohet për pretendimet e tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama