Kerkonin bombe por gjeten nje te porsalindur

Kerkonin bombe, por gjeten nje te porsalindur
Një grup ushtarësh polakë të ISAF-it në Afganistan janë kapur plotësisht në befasi, kur po ekzaminonin një pako të dyshimtë për bombë, por në të gjetën një fëmijë të porsalindur. Ngjarja ka ndodhur në veri-lindje të provincës Kunar, ku ushtarët kujtuan se kishin gjetur një bombë për ta caktivizuar, ndërsa aty ndodhej një foshnjë, jo më shumë se dy ditëshe.

“Kishim dhënë alarmin për një bombë artizanale të vendosur nga talebanët, dhe kishim marrë të gjitha masat për rastin. Por ishte një surprizë e madhe kur dëgjuam se dicka brenda pakos lëvizte”, tha një zëdhënës nga baza ushtarake e njësisë polake. 

Sipas një gazete lokale, ushtarët kanë zbuluar kapakun e kartonit dhe gjetën brenda një të porsalindur të gjinisë femërore të mbështjellë me peshqir. Menjëherë foshnja është transportuar në bazë, ku është vizituar nga mjekët të cilët e kanë gjetur në gjendje të mirë shëndetësore.

Situata ka qenë pak komike dhe e silkletshme pasi struktura nuk ka qenë e përgatitur për të ndihmuar dhe ushqyer një porsalindur. Por më vonë një ushtar është ngarkuar me një “mision special”: Të shkonte tek farmacia afër qendrës së banuar për të blerë një biberon, qumësht dhe ushqim për të porsalindurit.       

Tani fëmija, së cilës iu vu emri Pola, në kujtim të vendit nga vinin ushtarët që e shpëtuan, do t’i dorëzohet autoriteteve qeverisëse afgane që duhet t’i gjejnë prindërit, ose ta dorëzojnë në një qendër për të mitur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama