Drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, deklaroi dje se reforma e nisur në institucionin që drejton është e pakthyeshme. Sipas tij, “qëllimi i kësaj reforme është mbrojtja e statusit të artistëve. Ka qenë synimi im që në fillim që të mbroj të drejtat e artistëve, duke qenë se edhe vetë jam pjesë e tyre. Teatri i Operës dhe Baletit ka qenë një institucion ku nuk janë bërë shkurtime, përkundrazi janë punësuar 13 persona të tjerë. Në këtë moment jemi në kuadrin që duhet të zbatojmë reformën dhe strukturën e miratuar nga qeveria për TKOB”, tha Kerni.
Sipas tij, të gjitha pagat do të paguhen dhe nuk do t’i mbahet haku asnjë artisti, por pas zbatimit të strukturës së re. “Të gjithë artistët janë lajmëruar për situatën dhe kanë qenë në dijeni për detyrimin për zbatimin e strukturës së re dhe deri në momentin e firmosjes së kontratës jemi në një situatë të paligjshme”, – ka thënë Kerni. Sipas tij, nga 183 artistë që ka Opera, më shumë se 60% e tyre kanë firmosur kontratën. “Do të gjejmë rrugën për të arritur në një emërues të përbashkët, pasi jemi dashamirës ndaj artistëve dhe komunikimi me ta nuk ka munguar, pasi unë ndihem pjesë e tyre. Është koha për të arritur standardet e teatrove të tjera kudo në botë (të paktën formalisht).
Në asnjë teatër nuk ka artistë të emëruar”, ka thënë Kerni, duke pranuar se nuk do të heqë dorë nga reforma e nisur. Lidhur me bojkotin që artistët u kanë bërë provave për koncertin e radhës, Kerni ka thënë se do të merren masa administrative. Dy ditë më parë, 91 artistë të këtij institucioni firmosën një peticion ku kërkonin marrjen e pagave të muajit qershor dhe largimin nga posti i drejtorit të Ilir Kernit. Ky i fundit tha dje se “artistët janë të lirë të thonë ç’të duan, por pavarësisht pozicionit si drejtor, kam bërë dhe do të vazhdoj të bëj më të mirën për ta dhe ky sezon që sapo kaloi e vërteton më së miri punën që është bërë”.