Hulumtuesit gjermanë të Qendrës Studimore mbi Kancerin, kanë zbuluar se tek ‘Amanita falloide’ ekziston një lloj helmi i cili është në gjendje të shkatërrojë dhe të ndalojë rritjen e qelizave tumorale të llojeve të ndryshme të kancerit, të tilla si prostatës, gjirit, zorrës së trashë etj. Studiuesit e testuan efektin e helmit te disa qeliza tumorale të llojeve të ndryshme, duke parë se si toksina ishte në gjendje të vriste qelizat e kancerit pa shkaktuar dëme në organizëm.
Sekreti i suksesit qëndronte në vendosjen e përbërësit toksik drejtpërdrejt në qelizat e sëmura. Për të realizuar këtë, studiuesit shfrytëzuan një antikorp të veçantë që shërben për të kapur një proteinë e cila gjendet në sipërfaqe të qelizave tumorale,
Në këtë mënyrë, ata ishin në gjendje që ta dërgonin helmin në “adresën” e duhur, për të sulmuar më pas qelizat e kancerit pa dëmtuar qelizat normale.
Gjatë testeve në qelizat e kultivuara në vitro, helmi ishte efektiv në asgjësimin e qelizave të sëmura. Kur e njëjta provë u bë te minjtë, u vu re se në injeksionin e parë të helmit ngadalësohej zhvillimi i qelizave tumorale, ndërsa përmes një injeksioni të dytë vihej re një regres deri në 90 për qind i tumorit. Nëse studimet e mëtejshme do të konfirmojnë rezultatet premtuese të këtij studimi, atëherë hapen mundësi të reja në luftën kundër kancerit, duke përdorur metoda që kanë më pak efekte anësore tek shëndeti i njeriut.