Kersheri te vyera historike

Kërshëri të vyera historike
Në fundin e hollit të shërbimit publik të Bibliotekës Kombëtare, në të djathtë, ndodhet një derë me njoftimin “Ndalohet hyrja”. Mbasi je njoftuar në citofon, dera të hapet: ti zbret tetë shkallare, mandej tetë të tjera, kthen djathtas dhe gjendesh para një dere tjetër me grilë hekuri.


Nëse ke lejen që të të hapet edhe ajo, hyn në katin e parë të nëndheshëm të fondit të koleksioneve, merr nëpër një tunel të ngushtë majtas dhe mbas rreth 60 metrash dhe një kthese tjetër djathtas, ndodhesh para një zone të ruajtur përsëri me grilë të dyfishtë hekuri: është “Arkivi” i Bibliotekës Kombëtare.

Dorëshkrime arabo-persiane prej shek. XV dhe inkunabula romane të po atij shekulli, kodikë me dekorime e miniatura, “Buzuku” në dy riprodhime profesionale të lidhura në lëkurë (ekzemplari i vetëm origjinal ruhet në Bibliotekën Apostolike Vatikane), mandej të gjithë autorët e vjetër të shkrimit të shqipes:

Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi etj. me alfabetin “e tyre”, d.m.th. që e përshtatnin duke i trajtuar shkronjat latine si zotër, ruhen aty së toku me botimet e rralla të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të arbëreshëve të Italisë dhe të arvanitëve të Greqisë, me botimet e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (të Stambollit) dhe sidomos ato të Bukureshtit dhe të Sofjes, në të cilat sundojnë abetaret si sprova ndër më kërshëroret. Të gjitha të renditura nëpër rafte ose, kur lypset, të mbyllura në kasaforta hekuri.

Në një krah tjetër dorëshkrimet e rralla: një i Kostë Beratit, një i Kristoforidhit, tri të tjera të Gjeçovit, të gjitha origjinale, por edhe të tjera të riprodhuara. Mandej letërkëmbime: të Konicës, të Fishtës, të Lumo Skëndos etj.

Në të gjitha përthyhet, veç të tjerave, mbarë historia e alfabetit – më sak e alfabeteve – të gjuhës shqipe: prej “Formulës së Pagëzimit” nga Laurenziana dhe “Perikopesë ungjillore” nga Ambrosiana deri në Kongresin e Manastirit të 1908-s, duke kaluar në sa kongrese, si në Shqipërinë turke, edhe në Europë.

Mes tyre, alfabeti me peshë të veçantë i Theodor Haxhifilipit (Todhrit), ish-nxënës i Akademisë së Re të Voskopojës, – atë dr. Hahni e pandehte për alfabetin e lashtë pellazgjik, – dhe ai eksperimental i “Anonimit të Elbasanit”, aq shumë të studiuar e të debatuar nëse është i Grigor Voskopojarit apo i një “Papa Totasi”, por edhe të tillë, si alfabeti i mistershëm që përshkruan gjeografi Malte-Brun nga Biblioteka Kombëtare e Francës, ende i pashqyrtuar sa do të duhej: “por ekziston edhe një alfabet shqiptar (albanais) kishtar prej tridhjetë shkronjash, që kanë ngjashmëri të mëdha me shkronjat fenikase, hebreje, armene, palmyrase, disa syresh me të shkruarit hieroglifik hieratik, disa të tjera me shkronja bullgare dhe mesogotike.

I mungon ajo çfarë do të lypte prej tij kureshtja jonë: karakteripellazg, etrusk ose runik; nuk është shkrim hastiform, zotëron në të kallami i dorëshkrimeve helene dhe në formën e tij të sotme është, për mendimin tonë, vepër e priftërinjve të krishterë: ose në shek. II, gjatë futjes së krishterimit, ose në shek. IX, kur Kisha e krishterë e Arbërisë u nda përfundimisht nga Selia e Romës; por ky alfabet ndryn në vetvete elemente alfabetesh jashtëzakonisht më të vjetra, të përdorura në Iliri, në Maqedoni dhe në Epir”.

Në dëshmi të tilla është e vështirë të ndash faktin historik nga fantazia. Dhe ndër to ky album i “alfabeteve në bibliotekë” nuk mund të depërtojë: janë faqe që nuk u takojnë specialistëve të bibliotekave. Historianët e alfabetit të shqipes vijojnë të bëjnë punën e tyre: nga Justin Rrota deri të historiani më kartezian, por edhe më modern i tij, Xhevat Lloshi.

Ne këtu në Bibliotekë le të përfytyrojmëse tanimë është ora 20.00 e mbrëmjes: punonjëset dalin nga katet e nëndheshme të fondit të koleksioneve duke mbyllur mbas vetes dyer me grila hekuri. Por: pa harruar të vënë në funksionim aparaturat e mbikëqyrjes elektronike: monitorin ITM No MT 20 A dhe videoregjistratorin JVC model SR-9240 E, si edhe duke fikur dritat. Gjithkush do të mendonte se në “Arkiv” ka rënë heshtja, qetësia.

Por ku i dihet? Çfarë sigurie kemi që, me t’u mbyllur dyert e me t’u fikur dritat, nuk përtërihen aty sherret e njëhershme? Nuk vjen koha që burrat e qëmoçëm, më fort rivalë se aleatë, nuk i vërvitin sho-shokut shenja zodiakale, madje fenikase dhe etruske, diagrama, hierograma që nuk janë tjetër veçse latine të lashta, shkronja gotike, glagolite, cirilike kokëposhtë, latine skiç, greke, arabe etj.?

Që nuk gjëmon përsëri gërnja e vjetër e Abatit të Mirditës, Prengë Doçit, me dom Ndre Mjedjen? (“As Ingiltera nuk u nep aq randsí kolonive të veta sa abati alfabetit të vet”, shpotiste Fishta.) Le më sikur të nisë nga zënkat e njëhershme Konica i pakursyer, për të cilin Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (e Stambollit) nuk ishte veçse një “mbledhje memurësh”, agjentë të “Sulltanit”, ku ngatërroheshin “spicat e Moskovit” me “çpimet” e patriarkut grek.

Madje për të edhe Kongresi i Manastirit nuk ishte veçse një “mbledhje turkoshakësh”! Dhe kështu më the të thashë, athua se nuk deshën t’ua vinin veshin filozofëve të gjuhësisë që na sigurojnë se asnjë komb në Europë nuk ka një alfabet kryekëput logjik.

Në katet e nëndheshme, gjashtëmbëdhjetë shkallare poshtë hollit të shërbimit publik të Bibliotekës, aparaturat e mbikëqyrjes elektronike përgjojnë, sistemi i aklimatizimit të fondeve punon duke zhurmuar lehtë-lehtë: temperatura 20-22 °C, koeficienti i lagështisë 96/1000. Brenda mjediseve të ruajtura me grila hekuri, madje edhe të kyçura në kasaforta, sherret e vjetra të alfabetbërësve janë të kota: në këtë 100-vjetor ato nuk mbeten veçse kërshëri të vyera historike.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama