Kështu shpjegon Antonella Tosti, docente dermatologjie në Universitetin Shtetëror të Parisit: “Testi është i padëmshëm dhe pa dhimbje, sepse bëhet me një kampion pështyme dhe analizon variantin e një gjeni, varianti G, i cili tregon një rrezik prej 70 për qind për të zhvilluar një alopeci androgjenetike të rëndë para moshës 40-vjeçare dhe varianti A, që lidhet me një mundësi rreth 70 për qind për t’u prekur nga kjo sëmundje”.
Testi është rezultati i parë konkret i një kërkimi, që për shumë vjet është përqendruar në gjetjen e gjenit përgjegjës për rënien e flokëve. Sforcimi ka çuar në kuptimin e disa aspekteve thelbësore të fenomenit. Vetëm pak muaj më parë u publikua në numrin e ri të “Nature Genetics” dy studime të konsideruara shumë të rëndësishme. I pari u organizua nga kërkuesit e Universitetit të Bonit në Dyseldorf, duke analizuar ADN-në e 300 qerosëve dhe tregoi se ekzistojnë dy zona specifike të kromozomit 20 të lidhur ngushtë me rënien e flokut. Kërkuesit gjermanë, më 2005-n, kishin shpjeguar një tjetër mister, duke treguar se format e trashëgueshme, përbërësi më i fortë gjenetik, transmetohen vetëm nga nëna. Për këtë arsye, kush preket nga rënia e flokëve duhet të kujtojë atë të gjyshit ose paraardhësve të largët, gjithmonë nga rrënjët e së ëmës.
Në studimin e dytë, shkencëtarët e Universitetit “MCGill” të Montrealit kanë analizuar ADN-në e më shumë se 1200 burrave dhe kanë zbuluar se rreziku i rënies së flokëve rritet shumë nëse janë të pranishme disa profile gjenetike në kromozomin 20. Studimi i bërë nga “GlaxoSmithKline” tregoi se industria po përpiqet të zbulojë rëniet e mundshme klinike. “Në të ardhmen, shfrytëzimi i mirë i këtyre njohurive, si edhe ato mbi gjene të tjera të treguara në vitet e fundit, përgjegjëse për rënien e flokëve, do të na çojë në rezultate të kënaqshme”, thotë Tosti. Më e afërt duket mundësia për shfrytëzimin e karakteristikave të qelizave staminale të rrënjës. Sipas specialistëve, stresi është një nga faktorët kryesorë që redukton rezervat staminale të pranishme në rrënjët e flokut.
Rënia e flokëve mund të jetë e pakthyeshme (si ajo me origjinë gjenetike apo androgjenetike), ose e përkohshme. Mesatarisht, çdonjëri prej nesh ka 100-150 mijë fije floku dhe humb rreth 100 të tilla në ditë. Jeta mesatare e një fije floku është 3-7 vjet dhe rritet çdo ditë me 0.3 milimetër, ndërsa në muaj 1 centimetër.
Gjenetika
Është shkaku kryesor i humbjes përfundimtare të flokëve, e vështirë për t’u parashikuar, sepse predispozita gjenetike për rënien e flokëve kalon në shumë breza. Për momentin mund të bëhet shumë pak.
Androgjenika
Është shumë e përhapur, prek më shumë burrat se gratë. Ajo varet nga sasia e tepërt e testosteronit, që duke reaguar me alfa-5 redukton didrotesteronin substancë, i cili pengon zhvillimin e rrënjës dhe provokon atrofizimin.
Gjaku
Prania jo e mjaftueshme e gjakut në rrënjën e qimes është një nga shkaqet më të shpeshta të rënies. Mund të verifikohet kur enët e gjakut janë sklerotike, duke nisur nga mosha 40 vjeç ose më parë. Shumë prej tyre që vuajnë nga artroza cervikale e që çon në ngushtimin e enëve të gjakut, kanë një humbje flokësh që mund të pengohet me ilaçe.
Mungesat ushqimore
Mungesa e hekurit dhe një rënie e madhe në peshë ngadalëson metabolizmin normal të rrënjës së qimes. Marrja e hekurit dhe kripërave të nevojshme minerale mund ta kthejnë flokun në gjendjen e mëparshme.
Ndryshimet hormonale
Menopauza, lindja dhe shtatzënia, me ndryshime hormonale, marrja e kontraceptivëve dhe disa patologji të tiroides favorizojnë rënien.
Stresi dhe faktorët psikosomatikë
Stresi aktivizon gjenet që favorizojnë rënien e flokëve. Kështu, nëse vihen re shenja shqetësuese mos u prekni nga paniku, por shkoni menjëherë te mjeku: ankthi vetëm mund ta përkeqësojë situatën.
Ilaçet
Ndër shkaqet më të njohura të rënies së flokëve është kimioterapia. Megjithatë, edhe ilaçe të tjera mund ta dobësojnë flokun: efektet zhduken gradualisht me mbarimin e terapisë. Edhe vitamina A dhe beta-karoteni me tepri mund t’i dobësojnë flokët.
Sëmundje të tjera
Shumë patologji mund të çojnë në rënien e flokëve. Kështu, infeksionet, mes të cilave klamidia ose disa forma të tjera tumorale si ai i vezores.
Gjithmonë në formë
Si mund të kemi flokë të shëndetshëm? Ja se çfarë këshillojnë mjekët
Gjithmonë të pastër
Flokët janë shumë të ndjeshëm ndaj papastërtisë: ata bien më shpejt dhe grumbullohen në lëkurë, duke penguar ajrimin dhe favorizuar erërat e këqija dhe zbokthin. Lajini sa herë të jetë e nevojshme. Ajo që larja e shpeshtë i dëmton është thjesht një legjendë.
Si t’i lajmë
Përdorni pak shampo, sepse përbërësit kimikë të saj e dëmtojnë flokun dhe lëkurën e kokës. Mos e mbani shumë flokun me shkumë.
Tharja
Është mirë nëse lihen të thahen vetë dhe jo me tharëse, që favorizon dëmtimin e tyre.
Te parukeri
Llaku dhe xheli nuk janë të dëmshëm, por favorizojnë thithjen e papastërtisë, ndaj edhe flokët duhen larë më shpesh. Lyerjet dhe dekolorimet nuk i dëmtojnë, por kujdes nga produktet artizanale që mund të shkaktojnë alergji.