Kujdesu për flokët, gjatë javë para
Flokët duhet të jenë të përsosura ditën e dasmës dhe pasi keni bërë provat me parukieren, vendosni nëse është më mirë që t’i mblidhni apo t’i mbani flokët e lëshuara mbi supe. Gjithsesi nëse vendosni t’i prisni pak, kjo duhet bërë një muaj para, sepse edhe nëse flokët tuaj nuk janë aq të gjatë sa do donit, keni një muaj kohë për t’u rritur ashtu si ju do donit. E njëjta gjë nëse vendosni t’i lyeni apo t’i bëni me fije. Dihet që edhe parukierët më të mirë mund të gabojnë, ndaj është mirë që eksperimentet të mos lihen ditën e dasmës, duke e gjetur veten me flokët e lyer me një ngjyrë që nuk ju shkon aspak. Po ashtu, për të pasur një fizik perfekt, këshillohen disa seanca masazh fytyre, këmbësh dhe të duarve. Po ashtu nga palestra duhet hequr dorë vetëm javën e fundit.
Katër javë para: fytyrë e pastër dhe e ndritshme
Trajtimi i njohur me emrin “scrub” është më i mirë, pasi largon të gjitha qelizat e vdekura të epidermës, duke riaktivizuar qarkullimin normal në lëkurë. Pas kësaj, lëkura duket më e freskët dhe më e shëndetshme. Është mirë që ky trajtim të bëhet katër javë para ditës së dasmës, sepse për disa, lëkura mbetet e kuqe, ndaj i duhet lënë kohë që ta marrë veten sërish. Pas “scrub” është mirë të përdoret një krem i mirë ushqyes, i cili mund të vendoset në të gjithë trupin për disa ditë me radhë. I njëjti trajtim edhe për fytyrën, që mund të rigjallërohet nga një pastrim i thellë. Largon gjithë lëkurën e thatë dhe pikat.
Depilimi, një javë para
Kur mungojnë vetëm shtatë ditë nga dita e rëndësishme, ekspertët kanë menduar se është momenti i duhur i depilimit. Ky hark kohor është perfekt për të shmangur skuqjet e lëkurës, për shkak të dyllit, dhe në të njëjtën kohë të lejon të kontrollosh që estetistes nuk i ka shpëtuar asnjë detaj. Mos harroni të depiloni edhe gishtat e dorës. Ky veprim bëhet nga shumë pak gra, por mos harroni që në momentin e shkëmbimit të unazave gishtat duhet të jenë në formën e duhur. Po shtatë ditë para duhet vendosur edhe forma e vetullës që do të mbahet për atë ditë. Kësaj jave i takojnë edhe zgjidhjet e problemeve me dhëmbët. Shumë pak e konsiderojnë të rëndësishme, por nuk duhet harrur që një nuse duket bukur kur buzëqesh në të gjitha fotot, ndaj edhe ata duan vëmendjen e duhur. Pastrimi i dhëmbëve duhet bërë bashkë me trajtimin për zbardhjen e tyre, sidomos tek ato që pinë duhan dhe shumë kafe.
Manikyr dhe pedikyr, dy ditë para Tashmë jemi shumë afër ditës së shumëpritur. Trupi duket më i gjallë pas gjithë trajtimeve të bukurisë dhe na ngelen vetëm disa gjëra për t’u bërë. Manikyri dhe pedikyri nuk duhen bërë më para ose më pas, por vetëm dy ditë para dasmës. Zgjedhja e manikyrit është sipas dëshirës, por sipas ekspertëve të modës, roza e hapur apo ngjyra natyrale është më e preferuara. Nuk është më në modë french-manicure dhe as thonjtë shumë të gjatë. Sa më thjesht, aq më mirë.
Një ditë para, relaks
Gjithçka është gati! Pas muajsh të tërë organizimi, planifikimi dhe dyshimi, gjithçka është ashtu si do të donit. Dita përpara dasmës është ndoshta më e bukura, sepse e vetmja gjë që ju ngelet, është shijimi i emocioneve të fundit. Nuk duhet të bëni absolutisht asgjë, thjesht të çlodheni. Bëni një masazh, një dush dhe një krem ushqyes për trupin. Për të bërë gjumë të qetë, një çaj kamomil në darkë dhe ditën tjetër do jesh më e bukur, më e qetë dhe më rrëzëllitëse.