Keshilli te mos beje gabime qe cojne ne ndarje kulturore

'Keshilli te mos beje gabime qe cojne ne ndarje kulturore'
Rami Memushaj para disa ditësh ka shkruar një letër në të cilën bën thirrje anëtarëve të Kryesisë së ASHSH, të ASHAK dhe anëtareve të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Ai bën një përmbledhje të të gjithë ndryshimeve që do të pësojë drejtshkrimi i shqipes nëse zbatohen vendimet e marra në mbledhjen e datës 27 qershor 2013 nga Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Për më shumë profesor Memushaj shkruan: Pas leximit të “Përfundimeve nga mbledhja e datës 27.6.2012 e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe”, që na është vënë në dispozicion nga akademiku Kolec Topalli, anëtar i këtij Këshilli, ndihem tepër i shqetësuar për rrugën e gabuar të ndjekur nga ai Këshill për jetësimin dhe miratimin e këtij projekti.

Si njohës i problemeve të normës drejtshkrimore dhe i problemeve të planifikimit gjuhësor, jam shumë i bindur për pasojat negative që mund të sjellë përpjekja për ta zbatuar këtë projekt duke ndjekur praktika të gabuara. Për këtë arsye e shoh të nevojshme të ngre para jush shqetësimet e mia. Rivlerësimi i normave është një nga objektivat e fazës së kultivimit në të cilën ka hyrë tashmë gjuha standarde shqipe. Por rivlerësim do të thotë përmirësim i atyre pikave të normës që nuk qëndrojnë qoftë nga pikëpamja e sistemit, qoftë nga pikëpamja e prirjeve të zhvillimit të gjuhës.

Mirëpo nga pjesa e parë e projektit të miratuar prej Këshillit Akademik del se nuk është fjala për përmirësime, po për ndryshime të thella të drejtshkrimit që prekin bazën e gjuhës standarde, ndryshime që nuk duhet të guxohet t’i bëhen shqipes për arsyet që vijojnë. Së pari, gjuha shqipe nuk është një gjuhë që po standardizohet, as një gjuhë artificiale, një lloj esperantoje që krijohet në laborator në bazë rregullash tepër strikte. Në drejtshkrimin e saj, shumica e zgjidhjeve shpjegohen me rregulla, po, krahas tyre, ka edhe përjashtime e raste idiosinkretike, çka është normale për gjuhët njerëzore, në të cilat e reja dhe e vjetra bashkëjetojnë.

Pikërisht, prania e përjashtimeve buron nga kujdesi i kodifikuesve për të mos i prerë lidhjet me traditën shkrimore gati 500-vjeçare të shqipes. Ndërsa në projektin e miratuar ndryshimet që propozohen burojnë nga ajo që ky Këshill (apo shumica që ka votuar) e sheh shqipen pikërisht si një gjuhë që është duke u standardizuar, gjë që shpie në braktisjen e një praktike shpeshherë qindravjeçare shkrimi. Së dyti, planifikuesit gjuhësorë në ndërhyrjet e tyre në gjuhë duhet të kenë parasysh atë që në teorinë e planifikimit gjuhësor quhet “language acquisition planning”, dmth. planifikim i pranimit të normës nga përdoruesit e saj. A do të pranohen nga folësit e shqipes këto ndryshime të normës drejtshkrimore; a do t’i pranojnë shtetet tona këto ndryshime; a do t’i pranojnë shtëpitë botuese, redaksitë e revistave dhe të gazetave; a do t’i pranojnë universitetet publike që nuk janë pyetur; a do t’i pranojnë shkrimtarët, publicistët, përkthyesit dhe studiuesit e shqipes?

Marrja parasysh e qëndrimit të këtyre faktorëve është me rëndësi të madhe, në mënyrë që kjo reformë të mos prodhojë një çoroditje e pështjellim në praktikën e shkrimit të shqipes. Së treti, duhet pasur parasysh edhe një faktor i rendit praktik: duhet korrektuar e ribotuar e gjithë literatura e botuar gjer më sot, legjislacioni, tekstet mësimore etj., gjë që është me kosto të papërballueshme, si nga pikëpamja e burimeve njerëzore (kërkon forca shumë të mëdha njerëzore), edhe nga pikëpamja e mjeteve e mundësive financiare. Pastaj kush do t’ua mësojë mësuesve, korrektorëve, redaktorëve, nëpunësve të administratës rregullat e reja të drejtshkrimit? Ç’do të ndodhë me shqipen pas dyqind vjetësh, nëse çdo 40 vjet do t’u bëhen ndryshime normave të drejtshkrimit të saj? A e ruajmë kështu lidhjen kulturore midis brezave? Dhe, më në fund, ç’përfitim kemi nga këto ndryshime kaq të mëdha? Ndryshimet duhet të jenë në atë masë sa të “treten” nga ata që e përdorin shqipen si gjuhë të shkruar.

Nëse kapërcehet masa, ndryshimet mbeten në letër dhe më shumë prishin punë se ndreqin. Nuk ka ndodhur në asnjë gjuhë që t’i bëhen normës drejtshkrimore ndryshime kaq të thella. Gjermanët në mesin e viteve ‘80 të shek. XX ndërmorën një reformë të drejtshkrimit jo kaq radikale sa kjo, e cila u kundërshtua ashpër derisa u krijua një këshill prej 38 gjuhëtarësh nga të pesë vendet ku flitet gjermanishtja. Por, edhe pse ky këshill hoqi dorë nga ndryshimet e debatueshme, edhe pse ndryshimet e modifikuara u pranuan nga shumica më 2007, kjo reformë ende nuk është pranuar prej të gjithëve dhe sot gjermanishtja rezulton me tre drejtshkrime. Çekët kanë edhe ata kanë 20 vjet që nuk po merren vesh për zbatimin e një projekti të drejtshkrimit, me të cilin projekti i Këshillit Ndërakademik, nga mënyra si është hartuar e miratuar, ngjan si dy pika uji.

Prandaj thirrja ime drejtuar Këshillit është të mos e bëjë këtë gabim që mund të çojë në një ndarje kulturore të vështirë për t’u ndrequr. Në ngritjen e Këshillit Ndërakademik dhe në përcaktimin e parimeve bazë të funksionimit të grupeve të punës të ngritura pranë tij janë bërë gabime, të cilat mendojmë se duhen korrigjuar, në mënyrë që ai Këshill të japë një produkt të pranueshëm nga mbarë shqipfolësit. Lidhur me natyrën e Këshillit, përbërjen dhe parimet e tij të punës Gabimi i parë është bërë duke e ndërruar Këshillin nga mbarëkombëtar në akademik.

Ky ndërrim ka sjellë me vete shpërpjesëtim në përfaqësim. Në të janë përfaqësuar me më shumë anëtarë nga sa duhet të dy Akademitë, duke lënë jashtë tij gjashtë universitete publike që kanë departamente të gjuhës shqipe, tri të anës së Maqedonisë dhe tri të Jugut të Shqipërisë, si dhe Institutin e Gjuhësisë në Tiranë. Përveç kësaj, ndër anëtarët e Këshillit ka syresh pa kurrfarë ndihmese në fushën e normave të gjuhës standarde. Gabimi i dytë është në praktikën jonormale të marrjes së vendimeve nga vetë Këshilli dhe nga grupet e punës. Zgjidhja e çështjeve të normës së një rrafshi jo brenda grupit që merret me atë rrafsh (çuditërisht, grupet nuk punojnë bashkë nën drejtimin e njërit prej specialistëve të fushës më me përvojë), po nga Këshilli Akademik dhe me votim është një praktikë pune që nuk lejon marrëveshjen dhe mirëkuptimin.

Përpjekja për t’i zgjidhur problemet e diskutueshme me mënyra të tilla përbën një largim flagrant nga tradita jonë 100-vjeçare. Fjalët profetike të Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit: “Nuk kam ardhë të mbroj një alfabet, po të bëjmë një alfabet” duhet të na udhëheqin gjithmonë në vendime të tilla në lidhje me gjuhën. Për këta atdhetarë të mëdhenj nuk kishte rëndësi përmbushja e qëllimeve vetjake apo të grupit, po arritja në një produkt të pranueshëm nga të gjithë shqiptarët. Kjo praktikë u ndoq edhe në Konsultën e Prishtinës dhe në Kongresin e Drejtshkrimit.

Pra, që reforma e drejtshkrimit të ketë sukses, duhet ecur në vijën e traditës dhe jo duke ndjekur modelet e politikës. Kjo përbërje e paekuilibruar e Këshillit dhe praktika e tij e punës ka dhënë që në fillim efekte negative. Pasoja e parë është tërheqja nga Këshilli e prof. Emil Lafes, hartues i “Rregullave të drejtshkrimit” (1973) dhe kryetar i grupit të Tiranës për drejtshkrimin. Kështu që, pa nisur puna, është hapur rruga për kundërshtimin e projektit nga njohësi më i mirë i problemeve të drejtshkrimit. Veç tij, edhe 10 nga 17 anëtarët e Këshillit nuk e kanë miratuar projektin e ndryshimeve ose duke votuar kundër, ose duke mos marrë pjesë në votim. Pra, një praktikë e tillë pune solli që në fillim kundërshti e do të sjellë edhe më tej dhe, po s’u korrigjua, nuk do të japë fryte të mbara. Marrja me votë e vendimeve për gjëra të tilla kaq të rëndësishme është një praktikë jonormale.

Në një shoqëri liberale dhe për një mjet kolektiv, sikundër është gjuha, rruga e imponimit qoftë dhe me votë, është jashtëzakonisht e dëmshme në plan kombëtar. Nismën për çështje të një rëndësie kombëtare mund ta marrë edhe një institucion i vetëm apo dy, si në rastin e dy Akademive, por vendimet për çështje të kësaj shkalle nuk mund t’i marrin kurrsesi ato. Për vendime të pranueshme duhet një përfaqësim i gjerë i të gjithë aktorëve dhe faktorëve relevantë. Prandaj do ta quanim një veprim të mençur që Këshilli Ndërakademik të kthehej në Këshill Kombëtar për gjuhën, duke siguruar në të një përfaqësim gjeografikisht e profesionalisht të baraspeshuar dhe si parim bazë i punës së tij të vihej marrëveshja e mirëkuptimi, që do të jepte edhe zgjidhje të pakontestuara. Pas këtyre ndryshimeve, i duhet bërë thirrje prof. Emil Lafes për t’u vënë në krye të punës për reformën e drejtshkrimit të shqipes. Përndryshe, gjithë puna për reformën është e kompromentuar që në fillim.

Propozimi im është që të pranohet prej Këshillit Ndërakademik gabimi i bërë, së pari, duke e quajtur nul votimin e qershorit dhe, së dyti, duke përcaktuar si parim bazë të punës të grupeve të drejtshkrimit pëlqimin e përgjithshëm: një propozim që nuk pranohet qoftë edhe nga një anëtar i vetëm i grupit, duhet të lihet mënjanë. Të dy grupet e drejtshkrimit (por edhe të fushave të tjera), i Prishtinës dhe i Tiranës, nuk duhet t’ia referojnë për votim Këshillit propozimet e tyre, po t’i diskutojnë së bashku një për një ndryshimet e propozuara dhe ato ndryshime që nuk pranohen nga të gjithë, të lihen mënjanë. Ky do të jetë një hap i duhur, por jo i mjaftueshëm. Hapi tjetër do të ishte zhbërja e Këshillit Ndërakademik për t’ia lënë vendin një Këshilli Kombëtar për gjuhën, i cili tashmë, kur propozimet janë hedhur mbi tryezë, do të kishte si detyrë thirrjen e një konference specialistësh të gjuhës shqipe (gjithë profesorët dhe profesorët e asociuar) në trojet shqiptare dhe në universitetet europiane që kanë departamente të shqipes (i Kozencës, Palermos dhe i Mynihut).

Edhe në këtë konferencë duhet të ndiqet parimi i mirëkuptimit, çka do të thotë se zgjidhjet që do të kundërshtohen, duhen përjashtuar nga projekti. Pas kësaj konference, hapi i fundit do të ishte thirrja e një konference mbarëkombëtare, në të cilën, veç specialistëve të sipërpërmendur të gjuhës, duhet të marrin pjesë shkrimtarë, publicistë dhe përkthyes tanët më në zë, botuesit e mëdhenj, televizionet kombëtare, përfaqësues të redaksive të gazetave dhe të revistave kryesore, përfaqësues të shqiptarëve të Malit të Zi dhe të diasporës arbëreshe dhe, sigurisht, përfaqësues të Ministrive të Arsimit të Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë. Nëse kjo konferencë do të pranojë pa kundërshtime projektin e miratuar nga konferenca e profesorëve të gjuhës shqipe, atëherë ky quhet i miratuar dhe reforma e bërë.

Ndryshimet që u vendosën mbi drejtshkrimin

Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe ka vendosur që : I. Të hiqet zanorja -ë në rastet e mëposhtme:

1) Kur është një tingull i shtuar në emrat me prapashtesa të gjinisë mashkullore, sikurse në rastet e ngjashme ku nuk shtohet kjo zanore. Pra, sipas emrave shkaktar, mjektar, bajraktar, dëmtar, pylltar, shqiptar, gëzoftar, tregtar, falltar, të shkruhet lajmtar e jo lajmëtar, harktar e jo harkëtar, vargtar e jo vargëtar etj. Në këto raste zanorja -ë nuk është e nevojshme, meqenëse grupet bashkëtingëllore ndahen në dy rrokje të ndryshme, duke shmangur vështirësinë e shqiptimit të tyre.

2) Në emrat e gjinisë femërore me prapashtesa, në disa prej të cilëve rënia e zanores -ë-është një fakt gjuhësor i standardit. Pra, sipas rasteve lojtar, rojtar, nevojtar të shkruhet edhe gojtar e jo gojëtar, ndejtar e jo ndejëtar; sipas amtar të shkruhet edhe antar e jo anëtar, pemtar e jo pemëtar etj.

Të bëhet përjashtim duke ruajtur zanoren -ë në rastet e mëposhtme:

a) Kur rënia e saj vë pranë njëratjetrës dy bashkëtingëllore të njëjta, si në rastet luftëtar, ushtëtar etj.

b) Kur në kufi të rrokjes së parë krijohet një grup bashkëtingëllor me element të dytë një sonante, me të cilin nuk mbaron asnjë fjalë në gjuhën shqipe pa u mbështetur në një zanore, si në rastin nismëtar.

3) Në emrat me prapashtesat -si, -zi, dhe në raste të ngjashme, si një proces i pranuar për disa fjalë në standard. Sipas emrave popullsi, egërsi, kaltërsi etj, që shkruhen pa zanoren -ë, të shkruhen pa këtë zanore edhe emrat mjeksi, vijimsi, fajsi, autorsi etj. Me këtë ndryshim zhduket kontradikta ndërmjet emrit popullsi, që shkruhet pa zanoren -ë dhe popullorësi që shkruhet me -ë ndërmjet mjektar që shkruhet pa -ë dhe mjekësi që shkruhet me -ë.

4) Në fjalët e formuara me prapashtesat -so dhe -zo dhe në raste të ngjashme, ku sipas shembujve ëmbëlsoj, njehsoj, të shkruhet fajsoj e jo fajësoj, gjaksoj e jo gjakësoj, etj.; shfrytzoj në vend të shfrytëzoj, lulzoj në vend të lulëzoj, etj.

5) Në fjalët me sonante, ku sipas shembujve vepër ~ veproj, tepër ~ teproj ~ tepri ~ tepricë; i epër ~ epror, i vjetër ~ vjetroj ; të shkruhet edhe: mjeshtër, mjeshtror e jo mjeshtëror, mjeshtri e jo mjeshtëri; dhelpër ~ dhelproj e jo dhelpëroj, dhelprush e jo dhelpërush, dhelpror e jo dhelpëror. Si këto të shkruhen edhe: gjelbroj e gjelbrim, zemroj e zemrim etj. Sipas emrave thundrak, qendrak, që shkruhen pa -ë-, të shkruhet dimrak, eshtrak, etj. Në fjalët me sonanten -l-, sipas shembullit sigloj, cefloj, të shkruhet edhe vogloj, cokloj, piklqf, piklore etj.

5) Te folja shkref(ë)tin, sipas shembullit shkreptin, te folja shkrof(ë)tij, sipas shembullit shkriftoj.

6) Te përemri gjithë kur shërben si prefiksoid në rastet: gjithfuqia, gjithkombëtar, gjithvjetor, duke u mbështetur në rastet më të shumta të rënies së kësaj zanoreje (giithçka, gjithçmos, gjithfarë, gjithherë, gjithkah etj.)- Por të ruhet kjo zanore kur përemri nuk është prefiksoid dhe përdoret me vlerë përemërore (erdhën të gjithë).

7) Tek emrat e gjinisë mashkullore djalë, kalë, gjumë, atë, lëmë, lumë etj., që në shqipen e sotme janë të gjinisë mashkullore, si rrjedhim, zanorja -ë nuk ka funksion morfologjik.

II. Të ruhet zanorja -ë:

1) Në rastet kur mungesa e saj do të krijonte grupe bashkëtingëlloresh që nuk mund të shqiptohen brenda një rrokjeje, si në rastet: trashëgoj, lundërtar, misërnike etj.

2) Kur është përgjithësisht në rrokje të parë dhe heqja e saj do të krijonte grupe bashkëtingëlloresh të vështira për t’u shqiptuar, si në rastet: bërryl, dënesë, fëlliq etj.

3) Tek emri sëmundje nga s ‘mund (nuk u miratua shkrimi i saj pa zanoren -ë).

4) Në fjalët me prapashtesën deminutive -zë, si drejtëz, fshikëz, gjuhëz etj. (nuk u miratua shkrimi i saj pa zanoren -ë).

 5) Te ndajfolja shumë (nuk u miratua shkrimi i saj pa zanoren -ë).

III. Të shtohet zanorja -ë në rastet e mëposhtme:

1) Tek emri hasm duke u bërë hasëm ~ hasmi dhe tek buzm duke u bërë buzëm ~ buzmi, meqenëse në gjuhën shqipe një sonante nuk mund të qëndrojë në fund të fjalës në një grup bashkëtingëllor me një fërkimore. Këtë e dëshmojnë: parzëm ~ parzmi, pezëm nga greqishtja e mesme bizantine peisma, që ka marrë një -ë mbështetëse, si edhe huazimet librore entuziazëm, realizëm nga italishtja entusiasmo, realismo, përsëri me zanore mbështetëse në gjuhën shqipe.

2) Tek emri britm, që duhet të ketë paradigmën britëm ~ britmi. Nevojën e ndërkalljes së një zanoreje në grupin bashkëtingëllor dhëmbore + sonante e dëshmojnë mbiemrat / vjetëm nga vjet + -m, i sotëm nga sot + -m, si edhe disa huazime librore, si: ritëm nga italishtja ritmo e istëm nga italishtja istmo, ku ka ndërhyrë zanorja -ë- ndërmjet dhëmbores e sonantes.

IV. Të ndryshojë pozicioni i zanores -ë brenda fjalës

1) Tek mbiemrat që dalin me prapashtesën -të ~ -ët duke përgjithësuar prapashtesën -të. Pra, ashtu si i anasjelltë të shkruhet edhe i zhdërvjelltë e jo i zhdërvjellët; ashtu si i zjarrtë të shkruhet i pjerrtë e jo i pjerrët etj.

2) Mbiemri i pasmë të ketë paradigmën i pasëm ~ e pasme, duke hyrë në sistem me i mesëm ~ e mesme, i fisëm ~ e fisme. Prapashtesa këtu është -m, që krijon mbiemra, gjë që e dëshmon edhe femërorja e pasme, meqenëse formantin -e të mocionit e marrin mbiemrat që mbarojnë me bashkëtingëllore (khs. i madh ~ e madhe) dhe jo ata që mbarojnë me zanoren -ë (khs. i mirë ~ e mirë).

V. Të diskutohen në mbledhjet e ardhshme problemet që vijojnë: Heqja apo ruajtja e zanores -ë në fjalët e përbëra që përmbajnë si element të parë përemrin vetvetor vetë (vetvendosje, vetvrasje, vetveprim etj.), për të cilin nuk u arrit në një përfundim të përgjithshëm.
Rami Memushaj, prof. dr. Anëtar i grupit të drejtshkrimit të Tiranës pranë Këshillit Ndërakademik

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama