Keshilltari i Berishes Basha deshtoi

Keshilltari i Berishes: Basha deshtoi

Ish-këshilltari i Sali Berishës për çështjet e menaxhim urban, Flamur Kuçi, teksa ka komentuar programet e partive politike në prag të nisjes së fushatës zgjedhore, ka konstatuar se atyre u mungon platforma e duhur. Programet e partive, sqaron Kuçi, duhet të fokusoheshin në përmirësimin e qyteteve dhe territorit tonë, ndërkohë që po ndodh krejt e kundërta. Opozita, saktëson ai, është duke i parë zgjedhjet lokale si zgjedhje “politike”, ndërsa pala tjetër, i sheh si zgjedhje “burokratike”.

Njohësi i menaxhimit urban është ndalur edhe te mënyra se si kanë qeverisur Rama dhe Basha në krye të bashkisë. Të dy, sipas tij, kanë bërë “zarare” në keqqeverisjen e kryeqytetit. Rasti i ndërtimeve në digën e liqenit artificial të Tiranës, thotë ish-këshilltari i kryeministrit, është shembulli më eklatant sesi ofertat politike kanë qenë në sintoni të plotë kur ka ardhur puna për projekte të kundërligjshme.

Z.Kuçi, na ndajnë më pak se 40 ditë nga zgjedhjet vendore. Si një vëzhgues i zhvillimeve politike, si e shihni ecurinë e fushatës zgjedhore?

Fushata zgjedhore “de facto” ka filluar dhe aktorët politikë kanë shpalosur qëndrimet e tyre. Këto zgjedhje janë zgjedhje administrative dhe fokusi i tyre duhet të ishin platforma e palëve politike për të përmirësuar qytetet tona dhe territorin. Fatkeqësisht konstatoj se palët e kanë konceptuar qëndrimin e tyre politik tejet larg interesit të publikut dhe natyrës së këtyre zgjedhjeve. Ndërkohë që njëra palë i sheh këto zgjedhje si zgjedhje “politike”, pala tjetër i sheh ato thjesht si “burokratike”.

Maxhoranca po i sheh këto zgjedhje thjesht si një shtojcë të pushtetit qendror. Teza e saj “na jepni votën, në mënyrë që të kemi një bashkëpunim qeveri-pushtet vendor” është në thelb një ikje nga natyra e zgjedhjeve administrative dhe deformim i rrezikshëm i natyrës dhe rolit të pushtetit vendor. Në këtë sens, maxhoranca e sheh pushtetin vendor thjesht si një shtojcë “burokrate” të vullnetit të saj dhe jo një aktor real në mbrojtjen dhe zhvillimin e territorit.

Nga ana tjetër, impostimi i zgjedhjeve si “politike” nga ana e opozitës është po aq simetrikisht jo korrekt. Teza e saj “më 21 qershor rrëzojmë maxhorancën Rama-Meta” është jo vetëm realiste, por edhe jashtë fokusit të vetë zgjedhjeve. Zgjedhjet vendore duhet të ofrojnë alternativë mbi zhvillimin e territorit, infrastrukturës dhe shërbimeve ndaj qytetarit, por fatkeqësisht impostimi i mazhorancës dhe ai i opozitës, i kanë larguar nga interesi i qytetarëve këto zgjedhje.

Si një profesionist i çështjeve të zhvillimit urban dhe territorit, si i vlerësoni alternativat e paraqitura nga partitë politike apo nga kandidatët e pavarur?

Personalisht vlerësoj se partitë politike po impostojnë këto zgjedhje larg natyrës së vërtetë të tyre, pikërisht për shkakun se nuk kanë arritur të ndërtojnë oferta bindëse për zhvillimin e territorit dhe përmirësimin e jetës së qytetarit. Pas 25 vitesh tranzicion, qytetet tona nuk ofrojnë një cilësi jetese të krahasueshme, qoftë dhe me qytetet e rajonit tonë.

Qytetet tona vuajnë një transport kaotik dhe pa rregulla, vuajnë pushtimin e betonit dhe zënien hapësirave publike, janë realisht jashtë konkurrencës për të tërhequr investime solide e serioze të huaja dhe karakterizohen nga një zhvillim i fragmentarizuar, ku secili bën në kokë të vet, duke dëmtuar rëndë interesin publik.

Por në themel të këtij dëmi ka qenë dëmi që i ka sjellë interesit publik administrimi i qyteteve dhe fshatrave tona nga vetë këto palë politike. Megjithë përplasjet e forta mes palëve, me gjithë diferencat në qëndrimet politike, është e çuditshme sa në sinkron kanë qenë këto palë politike në dëmtimin serioz të interesit publik. Mjafton të shohim se si, megjithë përplasjet e forta mes palëve, projekte që kanë reduktuar hapësirat e gjelbra, kanë zënë frymën hapësirave publike apo kanë dëmtuar seriozisht interesin publik janë realizuar në një sintoni të frikshme mes palëve.

Rasti i ndërtimeve në digën e liqenit artificial të Tiranës është shembulli më eklatant sesi ofertat politike kanë qenë në sintoni të plotë kur ka ardhur puna për projekte të kundërligjshme dhe në dëm të publikut. Ndaj sot, personalisht, nuk kam pritshmëri të mëdha dhe jorealiste ndaj ofertave të palëve politike. Nuk shoh shumë hapësira apo shanse as për alternativat dhe jashtë partive politike.

Publiku t'i imponojë axhendën kandidatëve

Si fillim të bëhet minimizimi i dëmtimit të mëtejshëm të interesit publik, i cili shpresoj të vijë përmes presionit të publikut, presionit qytetar dhe jo si vullnet i palëve politike. Palët politike nuk konkurrojnë realisht ndër veti në këtë drejtim, por me vetë publikun dhe shoqërinë. Reduktimi i dëmit ndaj interesit publik mund të imponohet vetëm nëse publiku i gjerë arrin të imponojë temat e duhura në debatin politik, duke mos rënë pre e premtimeve boshe, por duke i kërkuar kandidatëve të prononcohen qartë për çështje specifike dhe që mbartin interesin publik.

Një shembull do të ishte imponimi i publikut ndaj axhendës së të gjithë kandidatëve për bashkinë e Tiranës, për t’u prononcuar ndaj mundësisë së një moratoriumi ndërtimesh në Tiranë dhe rishikimit të ndërtimeve në zona mjedisore sensitive të qytetit. Nëse publiku arrin të penetrojë këtë çështje dhe interesin publik në këtë temë në axhendën e kandidatëve mund të themi që debati mbi zgjedhjet vendore mund të fitojë interesin e publikut.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama