Pas një qëndrimi trijavor Kafka kthehet në Pragë dhe kërkon zgjatje të lejes nga Shoqëria e sigurimeve të aksidenteve në punë, e më pas, duke qenë që shëndeti vazhdon të përkeqësohet, dalje në pension të parakohshëm. Nga 23 qershori deri më 18 shtator shkrimtari qëndron tek e motra Ottla në qytetin e vogël Planá të Bohemisë, ku vazhdon punën intensive me romanin, të cilën megjithatë e ndërpret aty nga fundi i muajit gusht. Në një letër të fillimit të shtatorit i shkruan mikut të tij Max Brod: “m’u desh ta ndërpres me sa duket përgjithmonë historinë e kështjellës, nuk isha më në gjendje ta rifilloja prej “krizës” që nisi një javë përpara udhëtimit për në Pragë, megjithëse pjesa e shkruar në Planá nuk është dhe aq e keqe sa ajo që e njeh ti”. Ndër tri romanet që la dorëshkrim Kafka, “Kështjella” është më i gjati.
Romani u botua më 1926, por jo në tërësinë e tij, pasi Max Brodi duke dashur “të japë përshtypjen e një vepre të plotë”, e ndërpriste historinë aty ku Frida e lë përfundimisht K.-në - pra në këtë botim mungonin episodet e Byrgelit, të shpërndarjes së dosjeve, biseda mes Pepit e K.-së etj.. Më 1951, në botimin e tretë, Brodi e jep veprën të plotë, duke pasë ndërhyrë vetëm në disa fjalë dialektore ose të vjetruara e në çështje të pikësimit. Vetëm më 1982 me daljen e botimit të plotë kritik të veprës së Kafkës (dorëshkrimi i “Kështjellës”, 6 fletore të formatit kuart, ruhet bashkë me të tjera dorëshkrime të Kafkës në Bodleian Library të Oxfordit), u bë i mundur edhe një riprodhim i saktë i “Kështjellës” që respektonte deri dhe pikësimin e autorit e sidomos ndarjen e mbititullimin ose numërimin e kapitujve përbërës.
Natyrisht nuk jepeshin pjesët të cilave autori u kishte hequr vizë; kështu p.sh. ka qenë i ndryshëm fillimi, vepra nga kapitulli 1-3 ishte nisur në vetën e parë etj.. Përkthimi shqip mbështetet mbi variantin përfundimtar që del prej botimit kritik të origjinalit. Janë të shumta interpretimet që i janë bërë “Kështjellës” nga këndvështrime letrare, psikologjike, psikanalitike, teologjike, hebraike etj., po kaq të shumta edhe alegoritë e simbolet që i mvishen figurës së Kështjellës. Nuk do të sjellim këtu shembuj prej tyre, pasi dhe nuk ka ndonjë vlerë ta ngarkosh lexuesin me to. Por le të më lejohet nënvizimi i disa momenteve siç e kam parë dhe ndier “Kështjellën” në muajt e bukur po edhe të tendosur të shqipërimit të saj:
Miti i shkrimtarit: Kështjella është një organizëm i epërm që ka në dorë fatet e njeriut. Ndërtimi i saj në pamje të jashtme është burokratik, por në të vërtetë së brendshmi është mitologjik. Sa më shumë që i afrohet K.-ja, aq më e paarritshme duket ajo; edhe kur kemi përshtypjen se kemi njohur një radhë zyrash, marrim vesh se këto janë vetëm “zyrat e përparme”, se pas tyre ka të tjera zyra më të thella, ose zyra kontrolli. Kështu del që struktura e Kështjellës është e pafundme, në fillim na thuhet se ajo i takon njëfarë konti Westwest, por ky pastaj humbet sa më shumë që hyjmë në brendësi të mitit.
Megjithëse tundimi është i fortë, është e kotë të kërkohen paralele biblike ose hebraike me Kështjellën, pasi paralelet gjithmonë do të ngecin ose thyhen në origjinalitetin e veprës. Edhe vetë veprimet burokratike që shtrihen në gjithë indin e Kështjellës i përjashtojnë këto paralele.
Duket ka të drejtë studiuesi Rainer Stach që e quan Kështjellën një mit privat të Kafkës: “Komponentët e mitit janë... imazhe dhe metafora... që krijojnë së bashku një tërësi imagjinare dhe logjike. Imazhet shumohen në variacione shumëfishe, ato vargëzohen me njëri-tjetrin duke krijuar... një pëlhurë me sythe të imta që rritet e rritet: një mit privat. Në qendër të kësaj pëlhure është siguria që ekzistojnë fuqi të cilat kanë në dorë fatin e çdokujt” (Kafka, Die Jahre der Erkenntnis, Frankfurt a.M. 2008, f. 480). Luhatja dhe misteri:
Një tjetër veti e Kështjellës është papërcaktueshmëria e saj, misteri që e mbështjell. Në fillim ngjan sikur brenda saj gjithçka funksionon në mënyrë të përkryer - asnjë i huaj nuk mund ta kalojë natën në fshat pa miratimin e autoriteteve; ose shpjegimi i gjatë i kryeplakut mbi mundësinë tepër të rrallë të një gabimi.
Mirëpo qysh në komunikimin në telefon, në krye të librit, ose edhe në pamundësinë e kryeplakut për të gjetur një x dosje, shohim se konstrukti është me shumë të çara, me shumë kundërthënie. Edhe një figurë qendrore sikurse Klami është krejt e papërcaktuar: “thonë se ai ka pamje tjetër kur vjen në fshat dhe tjetër kur ikën nga fshati, tjetër pamje para se ta ketë pirë një birrë e tjetër pas kësaj, tjetër pamje kur zgjohet e tjetër ku fle, tjetër i vetëm e tjetër në bisedim” (në çekisht fjala klam do të thotë mashtrim, shajni). Ky Klam i dërgon papritur një letër absurde K.-së, në të cilën e lëvdon për punët e tij matëse si gjeometër.
Mungesa e dhunës: Kështjella vendos mbi fatet e njerëzve, po këtë nuk e bën duke ushtruar ndonjë forcë apo përmes ndonjë aparati dhune; K.-ja disa herë refuzon t’u bindet autoriteteve dhe këta nuk e detyrojnë dot që t’u bindet; vetëm se stigma ose tëhuajtja që pëson njeriu kur nuk i bindet Kështjellës, është e pamëshirshme. Këtë e tregon më së miri fati i familjes së Barnabasit që izolohet dhe degradon deri në minimumin e ekzistencës pa kurrfarë veprimi të jashtëm të Kështjellës, e cila mallkimin mbi këtë familje e ka shqiptuar veç në rrugë misterioze.
Vetëlëvizja: Kështjella, si aparat i stërmadh, duket sikur merret me administrimin e çështjeve të fshatit. Mirëpo këto do të ishin shumë pak për të përligjur ekzistencën e gjigantit; në skena të veçanta si për shembull veprimi te zyrat e përparme ose shpërndarja e dosjeve herët në mëngjes në Oborrin e zotërinjve shohim se Kështjella ka një moment vetëlëvizjeje e vetëfunksionimi, gati të pavarur nga fatet e personave të ndryshëm që janë regjistruar nëpër protokollet: protokollet fillojnë e bëjnë një jetë të mëvetshme. Edhe kjo përforcon përfytyrimin e Kështjellës si një mit i pavarur nga bota reale.
Në pëlhurë ëndrrash: Në shumë pjesë të tij romani ecën nëpër struktura ëndrrash: K.- ja vë re se pas ndjesisë së tij s’kanë kaluar as dy orë nga mëngjesi, megjithatë është errur; errësira, dimri dhe dëbora mbretërojnë gjatë gjithë romanit; ose të vihet re se si çdokush në çdo çast ka marrë dijeni për veprimet e K.-së, sikur këto t’i thoshte dikush publikisht në mes të fshatit; ose se si njëri nga ndihmësit, Jeremiasi, brenda një dite është plakur (“ishte më i moshuar, më i lodhur, më me rrudha”).
Ndaj dhe dy ëndrrat që sheh K.-ja gjatë monologut të Byrgelit na duken si ëndrra në mes ëndrrash. Ndërtime surreale janë një numër skenash si larja e burrave në shtëpinë e Lazemanit, dëbimi i shërbëtorëve me kamxhik nga Frida, veprimi në zyrat e përparme të Kështjellës, shpërndarja e dosjeve te Oborri i zotërinjve etj..
Të shkruarit si forcë eprore: E lidhur ngushtë me të mësipërmen, është mënyra se si e kupton ose e përjeton Kafka të shkruarin: ai është për të një akt çlirimi, një jetë e dytë që e shpërblen për gjithë mundimet dhe zhgënjimet e jetës reale, një jetë që jo doemos ka të bëjë me të parën (kjo bën të dështojë shumica e interpretimeve alegorike apo simbolike që i mvishen veprës së tij). Kafka shpreson se vetëm krijimi letrar do mund ta shpëtojë prej shembjes përfundimtare fizike, siç i shkruan mikut të tij doktorit Klopstock atë dimër. Ja si e përshkruan shkrimtari terapinë që do të thotë për të krijimtaria në një letër drejtuar Max Brodit më 27 janar 1922, pra ditën e mbërritjes në fshatin Spindelmühle:
“Ngushëllimi i çuditshëm i të shkruarit, misterioz, ndoshta i rrezikshëm, ndoshta shpëtues: Kërcimi përtej radhës vrasje - vëzhgim, vrasje - vëzhgim, duke krijuar një lloj më të lartë vëzhgimi, më të lartë por jo më të mprehtë dhe sa më lart që ngjitet, sa më e pambërritshme që është nga “radha” aq më i pavarur bëhet, aq më shumë ndjek ligje të veta të lëvizjes, aq më e paparashikueshme, e gëzueshme, ngjitëse është rru- ga e tij.”
Kurse në një letër tjetër drejtuar po Brodit më 12 korrik të atij viti, Kafka i njeh të shkruarit atributin e shtëpisë, vatrës, strehës, që jepen të gjitha nga fjala gjermane “zuhause”: “Jam larguar prej shtëpisë dhe më duhet të shkruaj drejt shtëpisë, edhe pse Shtëpia [streha, ngrohtësia] ka kohë që është marrë prej ujërave tej, larg në përjetësi”; mirëpo po këtu të shkruarin e quan “shërbim për djallin” dhe “zbritje te fuqitë e errëta”.
Jeta reale: Por, megjithëse të shkruarit te Kafka si te çdo shkrimtar i vërtetë, bën një jetë të pavarur, ne nuk mund të rrimë pa diktuar edhe te “Kështjella”, përjetimet, vuajtjet dhe ngushëllimet e njeriut Kafka. Të vihet re se si bien disa nga personazhet e tij qendrore, në radhë të parë K.-ja, në minimumin e ekzistencës, në mjerimin e mjerimit, duke mbetur megjithatë brenda një kornize “reale” (në ndryshim nga personazhe të tjera të prozës kafkiane, si p.sh. nëpunësi-insekt Gregor Samsa te “Shndërrimi”, ose majmuni-njeri te “Letër akademisë” që kapërcejnë përtej kufirit realist).
Kështu e zëmë, K.-ja e fillon jetën në fshat me njëfarë statusi: ka të drejtë të ketë një dhomë në Bujtinën e urës, po pastaj prej andej detyrohet të strehohet në një shkollë, të flejë me të dashurën dhe dy ndihmësit e tij në një qosh të improvizuar të një klase, kurse në fund të romanit, duket se pajtohet me ofertën e Pepit për t’u rrasur, fshehurazi, në dhomën e tri shërbyeseve, ku shtretërit më shumë sesa me shtretër normalë ngjajnë me raftet e një dollapi...
Edhe qortimet e vazhdueshme që pëson K.-ja në rrugën e tij, gjithë ato të meta, paturpësi, poshtërsi që i vihen në dukje, na kujtojnë lajtmotivin e përhershëm të K.-së, birit të dëbuar, të larguar nga vatra, të tëhuajtur, që gjithmonë duhet ta brejë ndërgjegjja për kushedi çfarë gabimesh, një kompleks që e ka gjetur zbërthimin më të hollësishëm, përveçse te tregimet emblematike “Dënimi” e “Shndërrimi” te Letra e gjatë drejtuar babait. Në botimin e vitit 1951 (Frankfurt a. M., f. 481) Max Brodi dëshmon se sipas fjalëve të Kafkës romani do të përfundonte me vdekjen e K.-së në kohën që i vjen lajmi nga Kështjella se ishte miratuar për të leja e qëndrimit.
Në këtë mënyrë edhe kjo vepër sikurse dhe “Procesi” ose “Shndërrimi” ose “Dënimi” ose “Artisti i urisë” etj., do të përfundonte me vdekjen e protagonistit si fund për një makth të pafund. Vetëm se në këtë rast vdekja nuk na duket shumë si mbyllje logjike e zhvillimit të romanit. Ajo që tentohet, ajo që tundon protagonistin nga fillimi në fund është zhbirimi i Kështjellës, afrimi tek ajo, zbulimi i misterit të saj. Mirëpo në vend që të afrohet, ky zbulim largohet gjithmonë e më shumë, gjithmonë e më i pamundshëm duket afrimi i K.-së në Kështjellë.
Në qoftë se në fillim ai merrte letër të drejtpërdrejt nga Klami, komunikonte me kryeplakun, komunikonte me Fridën, këta në njëfarë mënyrë ishin shumë më pranë Kështjellës sesa personazhet e mëpasshme Barnabasi, Olga, Pepi, Lazemani që janë gjithmonë e më të dobëta, gjithmonë e më të pashpresa ura drejt saj. Në këtë kuptim romani duket sikur as që ka nevojë për një fund pasi fundi është i dhënë në lëvizjet e dy përbërësve kryesorë: Kështjellës, gjithmonë e më shumë drejt misterit, K-së, gjithmonë e më pa shpresë për të hyrë ndonjëherë në të.