Keshtu e njoha Panajot Kanacin

Kështu e njoha Panajot Kanaçin
Mjeshtri i shquar me spontanitetin e frymëzimeve dhe meditimeve, ballafaqohej me situata artistike sipërore: nga dashuria që kishte, ai preferonte të përmbyste të bukurën, për ta rikrijuar, duke ndërhyrë deri në bërthamën e nocionit, nga ku tentonte të përftonte të bukurën në shkallë sipërore."

Albert Janku, një bashkëkohës i koreografit Panajot Kanaçi (1923-1996) tregon në monografinë "Kështu e njoha unë Panajot Kanaçin", prezantuar dje në Teatrin e Operës. Janku mundohet të shpjegojë ndjeshmërinë ndaj së bukurës, dyzimin artistik që Kanaçi pati për vallen popullore dhe baletin klasik e atë modern.

Monografia, në faqen e parë të së cilës Panajot Kanaçi buzëqesh në foton bardhezi, portretizon një burrë flokëgështenjë, paksa të rëna, i veshur me kostum dhe rri ulur në një kanape. Ky dhe të tjerë portrete në rrjedhë të jetës e ruajnë disi të pandryshuar atë buzëqeshje, paçka se diku e përmbajtur, dikur e tjetër e trishtuar.

"Jeta ecën vetëtimthi...Krijuesi i hapave", kapitulli me të cilin Janku hap monografinë, është një përmbledhje e shkurtër kujtimesh, ku ai flet për udhëtimin e parë dhe të fundit të koreografit në Amerikë në vitin 1994.

Një udhëtim i dytë nuk mundi ta bënte për shkak të sëmundjes së rëndë që e preku. Për këtë moment autori tregon: "Kur ishte i sëmurë, miqtë edhe shokë të tij tregojnë se herë pas here, mjeshtri binte në dëshpërim dhe vuante shumë, pasi s'mund të punonte."

Kanaçi njerëzor, është një aspekt tjetër i leximit, që i është bërë portretit të tij. Ja si e përshkruan Janku duke e njohur nga afër: "Ai ishte një njeri me ngarkesë të jashtëzakonshme ndjenjash. Ishte i lirë në tërë shpirtin e tij, paksa rebel, megjithatë qëllonte që ta preknin e ta tronditnin marrëdhëniet që ofronte puna e përditshme me njerëzit".

Lindur në Delvinë në vitin 1923. Shkollën fillore e kreu në "Shkollën Plotore" të Sarandës. Adoleshenca e tij kaloi në një fazë ku "djali i ri, kërkonte hapësirë, donte të mbështetej diku, t'i afrohej të pakuptuarës dhe të pakapshmes", fazë e cila shtrihet deri në mbarimin e studimeve në Liceun e Tiranës në vitin 1943.

Tre vjet më vonë krijoi një grup valleje "që mbeti në histori si nismëtar i baletit shqiptar". Për herë të parë kërceu në Teatrin Popullor "Minuetin" e Moxarti dhe "Vallja nr. 1" e Brahmsit, janë premierat absolute të Panajot Kanaçit.

Kur më 1950 u formua "Filarmonia Shqiptare", shumë shpejt "Baleti i Vogël" nën drejtimin e mjeshtrit Panajot Kanaçi, u bë përfaqësues i gjinisë së koreografisë. Kërcen tek "Shatërvani i Bahçisarajt", "Esmeralda" dhe merr pjesë me Grupin e Valleve në Festivalin Botëror të Rinisë në Berlin më 1951.

Përvoja ia lë vendin teorisë dhe studimeve. Kanaçi largohet nga Shqipëria për në Moskë, për të studiuar koreografi.

Kthehet në atdhe dhe kjo është faza më intensive e krijimtarisë së tij. Është viti 1962.Pas operës "Karmen", ai ndërtoi dhe vuri në skenë "Françeska da Rimini" dhe në vjeshtë të po atij viti, filloi baletin e parë kombëtar "Halili dhe Hajria" me muzikë të Tish Daisë dhe premiera shfaqet në Janar 1963, me balerinë solistë Xhemil Simixhi dhe Ganimet Vendresha.

Edhe autori i monografisë, Albert Janku ka kërcyer në këtë balet.

Menjëherë, pas kësaj periudhe të mirë, vjen pauza e imponuar. Janë vitet 70 - 74, regjimi politik godet njerëz të artit dhe kulturës. Panajot Kanaçit i ndalohet baleti "Esmeralda" me libret të bazuar në romanin e Viktor Hygosë "Katedralja e Parisit".

Festivali i Dizhonit pas kësaj, dhe kthimi prej andej me të famshmin "Gjerdan të Artë" me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, ishte si njëfarë rehabilitim i lehtë për koreografin. Ja, çfarë kujton Janku, pjesë e Ansamblit atëkohë: "Një natë para se të ktheheshim në Shqipëri, Ambasada jonë shtroi një darkë në rezidencën e saj në Paris.

"Gjerdani i artë" kalonte dorë më dorë. Kur gjerdanin po e vinin në qafë shumë njerëz, që nuk qenë pjesëtarë të grupit, unë e mora nga dora e njërit prej tyre dhe duke thënë: 'Vallet e tua i ngjajnë këtyre dupjeve' dhe ia vendosa Panajotit në qafë. Ai u hutua pak, u mundua të më kundërshtojë dhe unë vazhdova: 'Mbaje mjeshtër se nuk të djeg qafën'."

Sa në baletin klasik tek koreografia e valleve dhe përpunimi i lëndës koreografike Kanaçi do të mbahet mend dhe vlerësohet për të dyja. Të dyja "gjinitë" ishin fusha kërkimi, që ai kurrë nuk i pa në konflikt "ashtu si mund t'i shikojnë, ende disa koreografë. Në mjaft raste, ai është mundur që baletin klasik dhe atë modern t'i fusë në një rrjedhë",- shton Janku.

Të kësaj kohe janë koreografitë e "Valles së Prespës", "Idili kurbat", "Bijtë e Peshkatarit". Më 1982 Panajot Kanaçi krijoi baletin "Shota dhe Azem Galica" me solistë Albana Sulejmanin dhe Ilir Kernin dhe dy vite më vonë "Joniada" të Nikolla Zoraqit.

Janku thotë se veprat janë perla të tijat, koreografi i krijoi kur në skenë kërcenin Agron Aliaj, Ganimet Vendresha, Zoica Haxho, Miltiadh Papa, Besim Zekthi, Rexhep Çeliku, Kristaq Rada, Pëllumb Agalliu, Lefta Mullisi, Lili Cingu, Ilir Kerni, Ludmill Çakalli, Albana Sulejmani, Leonard Xhokaxhi etj.

Faqet e fundit të "Kështu e njoha unë Panajot Kanaçin", mbyllen me vizitën e fundit në shtëpi që Albert Janku i bën mikut të tij, të dielën më 14 Korrik 1996, ditë në të cilën ai nuk jetoi më.

Kanaçi, 1993

Të vallëzuarit i ngjan valëve të detit, kur janë të qeta bëjnë të ëndërrosh dhe kur janë të shqetësuara dhe të larta, dëshiron të fluturosh në krahët e ëndrrave që ndjell pamja e këtyre valëve. Jo gjithkush e ndjen këtë gjë dhe nuk arrin të kuptojë se trupi i njeriut ka aftësinë të shprehë botën dhe ndjenjat në tërë labirinthin e jetës njerëzore.

Dëshirat dhe qëllimet e mia, gjithmonë kanë qenë për të afruar artin e kërcimit më ndryshe dhe më afër zhvillimit të shijeve të shoqërisë, civilizimit dhe emancipimit, që ndodhte në këto kohë përtej meje dhe nesh në shoqërinë botërore.

Shpesh jam menduar dhe ndonjë rast ia kam arritur të bashkoj në shfaqje kërcimin, lëvizjen, tingullin e zërit, fjalën, ngjyrën dhe emocionet që rrjedhin nga këto, për të manjetizuar të pranishmit në sallë, për të arritur të fshij sa më shpesh, që është e mundur barrierën, e cila ndan interpretët dhe autorin me publikun.

 

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama