Vendimi në fjalë, mësohet se kishte muaj të tërë që përgatitej (të paktën 6 muaj), e nuk firmosej! Ka të bëjë me krijimin e një qendre multidisiplinare emergjente për qytetarët e pastrehë dhe për rastet si ai i familjeve rome që dje u gjendën në mes të të ftohtit, pa strehë e pa asnjë mjet mbijetese e që u detyruan të ngrinin çadrat në oborrin e Avokatit të Popullit.
Sipas “vendimit qarkullues” që Berisha vendosi dje pa u vonuar asnjë minutë më shumë, një pjesë e një ish reparti ushtarak në afërsi të varrezave të Sharrës, do të shndërrohet në një qendër strehimi, për të paktën 45 familjet rome që kanë më shumë se një vit që enden të terrorizuar nëpër rrugët e kryeqytetit. Termi “vendim qarkullues” do të thotë se këtë V.K.M. ministrat do të duhet ta nënshkruajnë në fare pak ditë, njëri pas tjetrit, pa qenë e nevojshme të presin mbledhjen e ardhshme të qeverisë.
Por si ndodhi i gjithë ky zhvillim?
Romët befasojnë shtetin dhe ndërkombëtarët
Astriti, një prej 45 qytetarëve romë të cilët dje u akomoduan përkohësisht në ambientet e Institucionit të Avokatit të Popullit, është 43 vjeç, por ngjan si 60! Të mërkurën paradite i pagoi 1000 lekët e fundit që kishte në xhep shoferit të një furgoni që i transportoi të gjithë pasurinë nga zona periferike ku jetoi vitin e fundit në çadra, drejt e te oborri i Avokatit të Popullit. Ky i fundit, një ditë më parë kishte deklaruar se nëse çështja e familjeve rome të pastrehë e të dëbuar nga shtëpitë baraka të tyre qysh një vit më parë, nuk do të zgjidhej, atëherë institucioni që ai drejton do të hapte dyert për çadrat e tyre, por pa e menduar në fakt se, diçka e tillë do të mund të ndodhte realisht…
Ndodhi pikërisht ashtu: sapo afati i 1 shkurtit, i vënë nga pronarët e tokës skadoi, familjarët e këtij komuniteti rom nuk patën asnjë zgjidhje tjetër, veçse të shkonin në oborrin e Avokatit të Popullit, duke konsumuar kështu ndoshta aktin më të paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar: të sfidonin besimin që krijuan pasi një autoritet i shtetit “guxoi” të deklaronte atë fjali…
Bashkëshortja 23 vjeçare e Astritit është në muajin e 6 të shtatzanisë. I biri, Arleni, është katër vjeç, me sy jeshilë, flokët pis të zeza dhe me një shprehje ëngjëllore: fëmija më i bukur! E bija ekspresive e Astritit, Xheni, nuk le dy gurë bashkë pa lëvizur! Eshte ndoshta fëmija më e gjallë në atë komunitet: është vetëm 3 vjeç.
“Këta kam, …dhe këto rreckat këtu”, thotë me zë të mundur Astriti. Bashkëshortja i rri pranë, e shikon me shpresë, dhe shpjegon se shenja si prej nga plage të djegure që ka në gjysmën e djathtë të fytyrës, është diçka e lindur…
Astriti preferon të qëndrojë në një çadër jashtë në oborr, sesa të hyjë në sallën e konferencave të Avokatit të Popullit ku ndodhen plot 8 familje rome. Ka paguar 1000 lekë për të transportuar një divan që i mungon mbështetësja, një sustë krevati dopio, tre çanta të vjetra me rroba dhe një furnelë me gaz… Salla e konferencave që ndodhet në katin e parë të institucionit të Avokatit të Popullit, tashmë është e gjitha e zaptuar nga 45 vetë, pjesëtarë të 8 familjeve, nga të cilët 23 janë fëmijë nën moshën 14 vjeç. Pamja, por edhe akti në fjalë është shokues!
Drejtësi mbi padrejtësinë?!
Këto familje, një vit më parë i mbijetuan një tentative kriminale për t’i larguar me dhunë nga vendi ku jetonin prej të paktën 20 vitesh: një geto e mirëfilltë me baraka në zonën e stacionit të trenit. Askush nuk u dënua, ndonëse banorët romë dëshmuan për një zjarrvënie të qëllimtë për të zhdukur barakat ku ruanin fëmijët, dhe pohuan me detaje edhe se njerëz të pushtetshëm u kishin bërë presione të vazhdueshme që ata të largoheshin nga ai vend.
Vetëm dy javë më parë, Lulzim Basha pohoi se në atë zonë, do të nisë shpejt projekti për zgjatimin e bulevardit “Zogu I”, një projekt që sipas Bashës do të zhvillojë infrastrukturën dhe urbanizimin e mëtejshëm të kryeqytetit. Në po atë pjesë të bulevardit të ardhshëm, ministri i Drejtësisë z. Eduard Halimi ka bërë publike prej kohësh tashmë projektin për ndërtimin e një “pallati të qelqtë të drejtësisë”.
Mirëpo, pavarësisht këtyre planeve futuriste dhjetëra qytetarë të këtij qyteti po dëshmojnë si në një shoë të pabesueshëm jo vetëm dramën e tyre personale, por mbi të gjitha fillimin e një krize humanitare që me siguri i kapi të papërgatitur dje të gjithë institucionet e vendit.
“Për momentin, ne jemi të fokusuar për të zgjidhur problemet emergjente në këtë situatë, të mendojmë për ushqimin, apo nevoja të tjera emergjente të këtij komuniteti”, tha z. Igli Totozani, Avokat i Popullit, “dhe për këtë kërkojmë ndihmën e organizatave të shoqërisë civile dhe të institucioneve që punojnë direkt me komunitetin në fjalë”.
Nga ana tjetër, institucionet qeveritare nuk kanë mundur akoma të prononcohen zyrtarisht ndaj këtij problemi, gjë që ka nxjerrë, për të disatën herë, totalisht zbuluar të gjithë sistemin e Shërbimit social në Shqipëri!
Nga 45 familje të cilat më shumë se një vit më parë ngelën në mes të rrugëve pasi njerëz akoma të padënuar u dogjën shtëpitë baraka në zonën e stacionit të trenit, aktualisht kanë ngelur vetëm 8 familje. Këto 8 familje, ditën e djeshme u dëbuan edhe nga pronari i tokës ku kishin ngritur çadrat në periferi, tokë kjo që paguhej nga Ministria e Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. “Nuk na takon neve ta zgjidhim këtë, madje kemi bërë shumë… Kjo është përgjegjësi e Bashkisë dhe e të gjithë pushtetit lokal”, citohet nga një burim i afërt, të ketë thënë dje ministri Spiro Ksera, i gjendur si të gjithë në befasinë e aktit të familjeve rome: që ngritën çadra jo për të protestuar, por për të jetuar…
Ironike, por mbi të gjitha 100 përqind e vërtetë e gjithë kjo përpjekje e mbi 40 qytetarëve të marxhinalizuar të Shqipërisë që në pamundësi për të gjetur një mbështetje konkrete nga shteti, bënë dje aktin më të paprecedentë ndoshta në historinë e Republikës…
Pak minuta pasi ata qytetarë po ndanin me “Shekullin” historinë dhe dëshmitë e tyre, një ekip i përbërë nga disa prej oficerëve më të lartë të Komisiariatit Nr. 2 të Tiranës hyri në rrethimin e Avokatit të Popullit dhe kërkoi të dinte nëse ato familje rome kishin hyrë me dhunë apo jo në institucion. U qetësuan vetëm pasi roja i institucionit të Avokatit të Popullit i siguroi se ata fatkeqë ishin aty me miratimin e titullarit të institucionit…
“Nuk e di, nuk e di fare se si do ia bëj!”, thotë Astriti… “Në verë e kam kollaj, mbledh këmbët e bretkosave dhe ua shes restoranteve, por në dimër, mezi gjej punë”… Gjithë te tjerët, pohojnë se ose lypin, ose mbledhin kanoçe nëpër plehra…
Shah Mat!
Historia e 45 familjeve rome që shtangën dje qeverinë si në një lëvizje Shah-Mat, por edhe ambasadorët e huaj në Tiranë, është ndoshta precedenti i parë i vullnetit njerëzor që na demonstron të gjithëve se me jetën nuk mund të luash dot!
Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, duhet thënë se e ka marrë me vrull punën e re! Po tenton të jetë shumë më aktiv, qoftë edhe mediatikisht se çdo institucion tjetër që paguhet nga taksat tona për tu kujdesur për të drejtat e njeriut. Mund të jetë ky vrull apo dëshire e dikujt që nis për herë të parë një mision që qëllon të jetë kushtetues; mund të jetë edhe një strategji mediatike e Avokatit të ri të Popullit për të vënë në lëvizje mekanizmin më të mirë që disponon realisht, atë të ndërgjegjes qytetare e të vëmendjes mediatike, përballe kufizimeve ligjore që ka, si një institucion që sugjeron e nuk vendos dot për ekzekutimin e të drejtave te njeriut. Kur dy ditë më parë ai deklaroi se mund t’u vinte në dispozicion familjeve rome edhe zyrat e veta nëse problemi i tyre nuk zgjidhej, me siguri nuk e kishte menduar as vetë se mund të ndodhte… pikërisht ashtu siç e kishte parashikuar.
Veprimi i 45 qytetarëve të pastrehë romë të cilët hynë në oborrin e Avokatit të Popullit, ishte befasues.
Befasoi, por edhe demaskoi paaftësinë e shoqërisë civile në Shqipëri. Janë qindra organizata që sot punojnë në Shqipëri për të drejtat e njeriut, por dje, vetëm Kryqi i Kuq arriti të ndihmonte ato 8 familje me ushqime, dhe njëkohësisht arriti të reagonte ndaj një situate emergjente.
Ku është kontributi i UNICEF? Ku është kontributi i Terre Des Homes? Ku është kontributi emergjent i të paktën dhjetëra organizatave që kanë qenë deri më sot aq shumë aktive për të propozuar projekte në të mirë të popullsisë rome? Mbi të gjitha, ku janë ato qindra organizata që marrin sot miliona fonde për t’u kujdesur për të drejtat e fëmijëve, që janë sot për sot të drejtat më emergjente në një shoqëri akoma kaotike si kjo e jona?
8 familje rome, na befasuan dje! Na vunë të gjithëve para një prove, të cilën nuk e kishim parashikuar. Nuk e dinim akoma fuqinë që një çadër mund të ketë, kur ajo përdoret për të mbrojtur jetën e 23 fëmijëve si ëngjëll, e jo detyrimisht për të protestuar në shesh! Preku edhe z. Kryeministër, të stërimpenjuar me çështje ligjore apo personale këto kohë…
Disa prej ambadadorëve më të ashpër ndaj drejtësisë, si për shembull ai i Danimarkës, donin dje të takoheshin me Avokatin e Popullit, pasi i bënë përmes medias dëshmitarë të një ngjarje pothuajse në kufijtë e emergjencës humanitare. Deri në orët e vona, nuk e zhvilluan atë takim. Me siguri edhe ata vetë u kapën në befasi dhe në moment, kuptuan se çfarë duhet, por mbi të gjitha edhe se çfarë mund të bëjnë, nëse e marrin seriozisht çështjen e të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri…