Ish-drejtori i FMN-së, Khan ka marrë sërish pasaportën e tij, pas rënies së akuzave për përdhunim pak ditë më parë. 62-vjeçari ka deklaruar se mezi pret që të shkojë në vendin e tij, por më parë pritet që të bëjë një vizitë në Uashington. Që nga muaji maj, ai ndodhet në Nju Jork për shkak të ndalimit që iu bë nga procesi i tij penal. Para kësaj ngjarjeje ai konsiderohej si një nga personat që do të kishte më shumë shanse për të fituar garën presidenciale të vitit të ardhshëm të Francë. Ndërkaq, sot një sondazh i opinionit publiku bëri të ditur se, pavarësisht se akuzat kanë rënë ndaj Khan, reputacioni i tij është dëmtar shumë.
Me kthimin e pasaportës ai është i aftë që të shkojë në vendin e tij, por ende nuk dihet nëse do t’i rikthehet jetës publike, apo do të shkëputet përgjithmonë prej asaj. Ndërkohë që ndaj Khan kanë rënë akuzat e përdhunimit, ndaj tij vazhdon ende një akuzë me karakter civil. Nuk dihet ende se cili do të jetë reagimi i radhës së avokatëve mbrojtës të Khan. Gjithsesi, dihet se në fund të javës Khan do të bëjë një vizitë në zyrat qendrore të FMN-së në Uashington, qytet në të cilin ai ka punuar vitet e fundit dhe në të cilin ka një shtëpi. Ai ka qenë shef i FMN-së deri në momentin kur u detyrua që të jepte dorëheqje, për shkak të akuzave duke deklaruar se donte që të përqendrohej në punën për të pastruar emrin e tij. Ka shumë të ngjarë që në këtë vizitë në ish-vendin e tij të punës ai të kërkojë që të ndahet njerëzisht dhe miqësisht me ish-kolegët, me të cilët ka punuar për shumë vjet. Vendi i tij në FMN u zu nga një tjetër franceze, ish- ministrja e Financave, Lagarde.
Edhe pse tashmë është i lirë, reputacioni i Khan është dëmtuar rëndë dhe janë të paktë ata francezë që do t’i besonin votën e tyre nëse ai, siç parashikohej muaj më parë, do të dilte kandidat i socialistëve. Vetëm një pjesë e vogël mendon se ajo çka i ka ndodhur nuk do të ndikojë në personin e tij nëse ai do të zgjidhte një post publik. Pjesa më e madhe mendojnë se tashmë ai është një kartë e djegur. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u parë dhe për t’u vendosur me kthimin e tij në Francë.