Por edhe për një arsye tjetër. "Në Tiranë nuk ka pasur institucione artistike. Kjo gjë është fshehur, duke qëndruar pas Institucioneve Kombëtare", pohon Londo. Prandaj "ka ardhur momenti, që banorët e kryeqytetit të kenë një hapësirë më shumë në pikëpamjen artistike, edhe kulturore".
Duke iu ruajtur "gjendjes moçalore" që shpesh i ngërthen institucionet kulturore, ai shpjegon se ky teatër për fëmijë do të ketë dy shfaqje në fundjavë. Në program: shfaqje me kukulla, me maska, me hije, por edhe me aktorë që luajnë drejtpërdrejtë me fëmijët.
Në mesjavë shfaqen falas për fëmijët e kopshteve dhe fëmijët në nevojë. Edhe në këtë teatër interpretojnë aktorë të rinj, të cilët merren në punë me kontratë për aq kohë sa zgjat projekti.
Këtë të shtunë, ora 10.30, në sallën "Çehov" shfaqjet "Druvari i mirë" i Vëllezërve Grim, me regji të Genti Deçkës, që e ka përshtatur këtë pjesë. Interpretojnë: Endri Çela (Druvari), Ledian Papagjoni (Vëllai), Arbër Islami (narratori). Skenografia dhe kostumet janë të Shpëtim Bacës.
Të dielën, ora 10.30 shfaqet "Në ballon e luleve", përshtatje e përrallës së Andersenit "Lulet e Idës së Vogël" bërë nga Milena Selimi, me regji të Adelina Muçës. Interpretojnë: Drilona Zalli (Ida e vogël), Genti Deçka (Studenti), Lorenc Kaja (Adolfi), Ina Limami (Jona), Lindita Alliu (Mamaja e Idës), grupi i Baletit për Fëmijë (Lulet). Koreograf: Llaqi Nako. Kostumet dhe Skenografia: Morena Vata dhe Olsida Murati. Çmimi i biletës për fëmijët: 100 lekë.
Z. Londo, si lindi nevoja e hapjes së këtij teatri?
Në mënyrë paradoksale, edhe gjatë kohës së regjimit të mëparshëm, edhe tani në këtë sistemin e ri, në Tiranë nuk ka pasur institucione artistike. Kjo gjë është fshehur, duke qëndruar pas Institucioneve Kombëtare, Teatri Kombëtar, Teatri i Operës dhe Baletit, Teatri Kombëtar për Fëmijë.
U pa e arsyeshme, duke bashkërenduar me Bashkinë e Tiranës, që të ndërtojmë Institucionet Artistike të qytetit të Tiranës. Kemi Teatrin e Metropolit, Cirkun e Metropolit, Ansamblin Folklorik dhe Orkestrën Frymore të Metropolit. Në këtë kontekst, kemi edhe Teatrin e Metropolit për Fëmijë.
Është bërë një provë në pjesën e parë të stinës teatrore 2009-2010, me shfaqjen "Mos i beso kurrë një ujku". Ka rezultuar e suksesshme dhe tashmë kemi filluar një projekt shumë serioz. Teatri i Metropolit për Fëmijë hapet më 16 dhe 17 janar me dy shfaqje.
Sa e përgatitur është Qendra "Tirana", për ta mbajtur aktiv këtë teatër?
Prova jonë ishte me një premierë, që shënoi fillimin e Teatrit të Metropolit për Fëmijë. Tani ne nuk fillojmë më me një shfaqje, por me dy.
Ç'ka tregon që jo vetëm jemi ambiciozë, por e dijmë mirë se çfarë duhet t'i ofrojmë kryeqytetit.
Janë përcaktuar projektet deri në muajin qershor, ka një kalendar dhe i kemi hapur rrugë projekteve për Stinën Teatrore 2010-2011.
Do të vazhdoni të përkrahni të rinjtë edhe këtu?
Në mënyrë të padiskutueshme. Edhe për teatrin e Metropolit për Fëmijë janë të rinj. Jemi të orientuar drejt të rinjve, sepse sjellin energji, por sjellin edhe vlera artistike.
Çfarë programi do të ketë për fëmijët?
Do të ketë shfaqje të formave të ndryshme. Me kukulla, me maska, me hije dhe me njerëz që do të luajnë konkretisht me fëmijët. Do të ketë një program të larmishëm.
Sa jeni mbështetur nga Bashkia e Tiranës?
Kënaqshëm.
Pra, ndiheni optimistë?
Ndihemi në punë. Optimizmi është një gjë që vjen nga rezultati. Puna më jep kënaqësi, optimizmin ma jep rezultati. Nëse shfaqjet e teatrit, do të ecin siç kanë ecur më përpara, padyshim që do të jemi optimistë.
Qendra tani po shtohet edhe me ambiente të reja?
Në fund të kësaj jave, mbaron salla "Bodrum" dhe pas dy muajsh, mbaron salla "Glob". Jemi institucion me tre salla. Jemi të vendosur për një organizim të ri. Nuk mund të merren para dhe këtu të ketë një gjendje moçalore, institucion i palyer, i palarë, që nuk di të presë. Ne dëshirojmë të bëjmë mirë atë që kemi marrë përsipër.
Nga : Gazeta Shekulli