Kilica dhe nje art qe perrcjell pozitivizem

Kilica dhe një art që përrcjell pozitivizëm
Krijimtaria e artistëve tanë që jetuan dhe punuan në sistemin e diktaturës, nuk është studiuar nga kritika jonë. Nuk është bërë një seleksionim i kujdesshëm për të zbuluar cilësi të rëndësishme brenda krijimtarisë së secilit prej artistëve të kësaj periudhe, për të dalë pastaj në një vlerësim i cili do të orientonte më mirë kuptimin e vlerave të vërteta të artit tonë. Në kësi rastesh shpeshherë janë dhënë opinione të pasakta dhe vlerësime e mbivlerësime të paqena, të cilat në mënyrë fiktive e kanë vendosur dekoratën e lavdisë në gjokse të gabuara. Dua të evidentoj në pikturën e Vilson Kilicës disa momente, sipas meje, të rëndësishme.

Vilson Kilica është një nga krijuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare që fillon nga viti 1950 e deri në ditët tona sidomos për periudhën e gjatë të viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri. Mbas studimeve në Akademinë e Artit në Leningrad, Vilson Kilica kthehet në atdhe për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në kulturën dhe artin shqiptar. Me personin e tij lidhet krijimi i Akademisë së Arteve. Si drejtori i parë i kësaj Akademie, Vilson Kilica ka rolin kryesor si organizator dhe përpilues i strukturës pedagogjike.

Duke përballuar vështirësi të paimagjinueshme, Vilson Kilica duhet detyrimisht të ruante një ekuilibër midis dy kërkesave esenciale, por që binin ndesh me njëra-tjetrën: parimet e realizmit socialist, të egra, që dënonin me dhunë çdo shprehje të lirisë krijuese të artistit, dhe lirisë krijuese të artistit, patë cilën nuk mund të kuptohet ekzistenca e artit. Në këtë kontekst dua të tregoj për profesorin tim një moment të rëndësishëm që e vlerëson atë si njeri, pedagog dhe artist. Gjatë viteve të studimit në Akademi jam gjykuar disa herë si student, që mbart tendenca dhe përcjell përmes detyrave të shkollës shfaqje të një arti me shije perëndimore.

Por falë kurajës, vëmendjes karshi meje, tolerancës dhe vlerësimit të tij, vit pas viti kam dalë i paprekur nga këto vërejtje për të vazhduar përsëri vitin akademik pasardhës... (Dhe kjo nuk ishte pak. Kush ka jetuar atë kohë i di mirë pasojat e një qëndrimi të tillë. Vetëm një artist mund të sillej në këtë mënyrë. Sigurisht që piktura e prof.Vilsonit ka patur ndikimin e vet tek unë. Aq sa kanë qenë mundësitë, në pjesën më të rëndësishme të krijimtarisë së tij, piktura e tij përcillte një dimension tjetër estetik, i cili shpesh binte ndesh me standardet e pikturës së realizmit socialist). E tërë krijimtaria e Vilson Kilicës në vitet e para fill mbas shkollës është plot ngjyrë, ajër, dritë dhe energji.

Ajo buronte e sinqertë e frymëzuar nga motive të thjeshta jetësore. Tregon shumë për entuziazmin e tij krijues, ushqyer nga shembujt më të mirë të shkollës së impresionizmit botëror. Të kësaj krijimtarie janë peizazhe mbi “Neve” apo pamje të qytetit të Leningradit. Pavarësisht se ato janë krijuar në një vend tjetër, janë pjesë e çmueshme e krijimtarisë sonë, e një artisti shqiptar që pasuroi artin tonë me elemente të reja mbi një estetikë të re. Kjo duhet evidentuar në planin kritik dhe është një fakt i pamohueshëm cilësor dhe historik. Më tej, ky impresionizëm pasurohet natyrshëm me elemente të tjera që na ndihmojnë për të thënë se kemi një krijimtari në zhvillim, me referenca të kujdesshme për kah fovizmi.

Ky është një moment i rëndësishëm për pikturën e Vilson Kilicës sepse përgatit më vonë terrenin për një pikturë, edhe pse të angazhuar, me përmasa monumentale dhe me interes në aspektin formal. Duhet përmendur, pa u lënë mënjanë, tabloja “Projektuesit”. Kjo tablo prishi për herë të parë skemën që duhet të respektonin artistët në krijimet e tyre kompozicionale, ku qendra e tablosë përmblidhte kuptimin ideor dhe përqendronte çdo detaj të saj. Për herë të parë në këtë tablo personazhet kanë përqendrime të pavarura. Ndryshe nga herët e tjera, qendra nuk thith vështrimet e personazheve të saj.

Tabloja shtrihet përtej kornizës. Po të shikoni me vërejtje në planin e parë, një djalë kërkon për hesapin e tij në faqet e një libri dhe askush nuk mund të thotë se çfarë libri është ai. Të paktën këtë herë libri nuk është i kuq si librat e revolucionit socialist apo librat e Enverit. Po ashtu vajza në të djathtë nuk dihet se çfarë shikon. Ndofta të ardhmen? Por cilën të ardhme? Atë që mendon ajo, ashtu siç ja ka qejfi? Por nuk mundet, se papritmas, shumë afër fytyrës, vështrimin ia pengon një çengel i varur keqndjellës. Më tutje diskutimi i të rinjve mbi projektin e tyre, vendosur në qendër, nuk është në gjendje të tërheqë rreth vetes edhe personazhet e tjera. Pa dyshim, kjo tablo bën përjashtim në pikturën e angazhuar shqiptare, sepse e devijon mendimin për të cilin ajo është pikturuar.

Ajo i krijon hapësira vizitorit, që të lexojë përmes tablosë një tjetër mendim, diçka tjetër në përmbajtjen e saj. Ky interpretim më ndihmon për ta klasifikuar këtë si një tablo me një qëndrim realist të mirëfilltë. Unë mendoj se kjo tablo është konkretizimi i përpjekjeve formale të nisura që në fillim me impresionizmin, fovizmin dhe kubizmin për të modeluar pastaj një pikturë realiste të vërtetë dhe me një formë ekspresive. Pa dyshim që piktura e Kilicës është e ekuilibruar dhe e vërtetë në llojin e saj. Edhe në ato raste kur ruhen disa kritere të realizmit socialist, ajo pikturë kuptohet menjëherë që është bërë në Shqipëri. Nuke përzien dot me asnjë tjetër realizëm socialist, bie fjala, sovjetik, bullgar, rumun apo tjetër. Tabloja “Denoncimi i traktatit të Varshavës” është shembull tipik, tek e cila mishërohet kjo gjë.

Me gjithë dekorin e politizuar dhe elementet standarde, si p.sh. portretet e marksistëve vendosur mbi turmën e njerëzve, portreti i diktatorit, flamujt, duar të mbledhura grusht, naiviteti përshkrues i ngjarjes, të bën përshtypje diçka tjetër. Çuditërisht personazhet nuk janë të ngrefosur dhe artificiale, përkundrazi, vështrimet e tyre përjetojnë realisht momentin. Kjo e zhvendos tablonë nga e zakonshmja socialiste.

E bën tablonë përsëri bindëse, të vërtetë dhe, kuptohet, realiste. Më shumë se Enver Hoxha, në sfond bëhet prezent ndjesia e komunikimit të një lajmi, të cilin ne nuk e dimë se çfarë është. Atë lajm e dëgjon vetëm grupi në plan të parë, i veçuar nga pjesa tjetër e turmës në planin e dytë. Dekori i rëndë tipik socialist nuk mjafton për të identifikuar lajmin. Ai nuk arrin që të zbardhë të vërtetën e asaj që thotë altoparlanti. Mesazhi mbetet misterioz. Së bashku me reagimin e pastër dhe pa grimasa të njerëzve, rritet akoma më shumë fryma e misterit duke e bërë tablonë që t’i shmanget skemave të pikturës kompozicionale të realizmit socialist. Vetëm nga titulli ne mund të kuptojmë se përmbajtja e tablosë ka të bëjë me denoncimin e Traktatit të Varshavës.

Përndryshe, ashtu siç është, lexojmë tjetër mendim. Edhe këtë herë kjo shmangie nga skema e vendos autorin në një nivel tjetër, dhe tablonë e tij e bën një burim pa fund interpretimesh e subjektiviteti. Ky lloj realizmi, ashtu si në tablonë e komentuar më sipër, është vlerë e padiskutueshme dhe është rezultat i një logjike krijuese të mishëruar në karakterin e artistit që nuk del dot jashtë vetes. Nga krijimtaria e Vilson Kilicës e kësaj periudhe duhet të kuptojmë se cili kishte qenë dialogu i tij i brendshëm në lidhje me atë që ofronte liria, për të shprehur e thënë atë që nuk kishte patur mundësi ta thoshte gjatë viteve të diktaturës.

Në këtë kontekst unë nukmund të paragjykoj, përveçse të përcjell ndonjë konstatim që ma nxit vepra e tij. Pra, në pikturën e viteve ‘90 mendoj se kemi të bëjmë me një qëndrim, i cili zhvillon më tej atë që kemi ndjerë se ekziston diku thellë në nënshtresat e pikturës së tij të deriatëhershme. Me një prirje estetizante të llogaritur mirë, si nevojë e domosdoshme dhe si moment i rëndësishëm i mesazhit që kërkon të transmetojë, krijon shëmbëlltyrën e një realiteti diçka prej nesh.

Objektet e pikturuara janë nga më të rëndomtat që kemi parë në peizazhin e zakonshëm rural, mullari me bar, lopët që kullosin në fushë, qerrja, ara e pluguar etj.. Por vështrimi metafizik, të menduarit në këtë mënyrë, i japin pikturës dimensione të papritura. Përpara kemi një natyrë të manipuluar jo më prej një artisti, por nga faktorë të tjerë të panjohur, ndërhyrja e të cilëve luan një rol vendimtar në ndryshimin e identitetit të kësaj bote. Në rastin tonë kemi përpara një botë virtuale prodhuar në laborator, një manipulim i pashmangshëm, që i bën epoka jonë pak nga pak origjinës së vetë.

Tema dhe problemet që lidhen me ekologjinë janë të ditës. Ta evidentosh këtë si fenomen të kohës, sigurisht që është aktuale, por në rastin tonë kjo përcillet në mënyrë tepër origjinale dhe shumë direkte. Në tablotë që shikojmë, realiteti i krijuar është zhytur në qetësi të thellë, një qetësi kozmike, mendoj, si domethënia kryesore e veprës. Më duket më e arsyeshme që këtë pjesë të krijimtarisë së Vilson Kilicës ta shikojmë përmes një këndvështrimi, ku analiza nuk orientohet nga parametrat tradicionale të vlerësimit, porse ajo bëhet për të përcaktuar qartë raportin që ka sot njeriu me ndryshimet, që nuk i kontrollon dot, e që vijnë të imponuara.

Dhe më konkretisht, çekuilibret ekologjike shoqërohen me ndryshime jo vetëm në shëndetin e mënyrën e të jetuarit, por edhe në estetikën e kohës. Kërkimi i së bukurës tanimë bëhet mbi bazën e një orientimi tjetër, dhe ne nuk e dimë se si do të jetë ajo (e bukura)… Ndofta do të burojë nga një natyrë e transformuar si në peizazhet e fundit të Vilson Kilicës…? Megjithatë, autori nuk mban qëndrim kritik dhe, tablotë i karakterizon një frymë që përcjell pozitivizëm. Është pozitivizmi që karakterizon krejt pikturën e tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama