Shkrimtari dhe publicisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, ka kritikuar Ministrinë e Kulturës në Shqipëri për përjashtimin e shkrimtarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë territorit shtetëror të Shqipërisë, në konkursin për çmimet kombëtare letrare 2012, “Pena e Argjendtë”.
Reagimi i tij vjen pasi juria e Ministrisë së Kulturës në Tiranë, ka publikuar listën e veprave të autorëve shqiptarë, të botuara në vitin 2012 vetëm brenda Shqipërisë, e që do konkurrojnë për ‘Penën e Argjendtë’. “Ja pra, Ministria që do duhet t’i integrojë vlerat tona kulturore në ato mbarë evropianet, e investon dhe e stimulon copëzimin e letërsisë shqiptare?! Siç duket, shteti amë aq i është përkushtuar ruajtjes së stabilitetit rajonal, sa i frikohet edhe integrimit tonë kulturor brenda vetvetes”, ka thënë Mehmeti në reagimin e tij të publikuar përmes rrjetit social "Facebook".
Ai ka sqaruar se ky reagim i tij nuk ka dimension personal, por ai shpreh habinë dhe indinjatën e tij me këtë trajtim të shtetit amë ndaj botuesve shqiptarë jashtë territorit gjeografik të Shqipërisë. “Dhe që të duket ky përkushtim i saj proevropian, Tirana zyrtare i sforcon kufijtë mes ‘principatave’ tona kulturore e të cilat, në numër janë aq sa edhe shtetet ku jeton populli ynë! Ka shtuar me cinizëm Mehmeti duke thënë se “Që të dihet se nuk ka dimension personal: le që nuk jam i çmimeve, por në vitin 2012 nuk kam botuar asnjë libër!”