Kin Dushi

Kin Dushi

I burgosur në dy regjime, Kin Dushi është një nga prozatorët e parë shqiptarë, i mbuluar me harresë nga regjimi komunist. Ky vit është 20-vjetori i ndarjes së tij nga jeta. Autor i një sërë romanesh dhe shkrimesh gazetareske, shkrimtari që studioi Letërsi në Bashkimin Sovjetik sjell në librat e lënë pas një përshkrim të kohës ku jetoi...

 

“Ai u duk përsëri rrugëve të qytetit. Sytë e kureshtarëve e ndiqnin si me habi, atë fytyrë disi të njohur, por që tani u dukej pak më e hequr, e pak më e zbehtë; ata sy të zinj e të bukur, por tani të futur disi thellë në zgavra e që kishin nisur ndoshta të humbitnin bukurinë e gjallërinë e tyre të dikurshme. Vetëm trupi i kish mbetur gati ashtu, si edhe më parë, i gjatë dhe i drejtë…”. Ky është përshkrimi që Kin Dushi, i bën personazhit të tij kryesor në romanin “Një emër në mes yjeve”, një rikthim që i ngjason shkrimtarit rrugëve të Shkodrës, pas burgut. Duket sikur shkrimtari ka parandier të ardhmen e tij. Romani u botua në vitin 1964 dhe u kritikua për “deheroizëm” dhe spontanitet e konceptim anarkik të luftës nacionalçlirimtare, në plenumin e 15-të të KQPPSH.

 

Kim Dushi do të arrestohej 3 vjet më vonë, më 3 tetor 1967, dhe do të dënohet me 8 vjet burg politik, si “armik i popullit”. Të gjitha shkrimet e tij deri në atë kohë u hoqën nga qarkullimi. Ribotimi i këtij romani, duket sikur e shpie Kin Dushin në vendin e duhur. Pikërisht në atë komunikim aq të dëshiruar me lexuesin, të cilin ai e nisi që pas viteve 1940-të. I lindur në Shkodër më 27 maj 1922, pas mbarimit të shkollës së mesme Normale të Elbasanit, ai përfshihet në Luftën e Dytë Botërore në krahun antifashist.

 

Në vitin 1942-1943 arrestohet nga pushtuesit e dërgohet në kampin e Prishtinës. Pasioni për të shkruar kishte lindur herët te djaloshi, që kërkonte të shihte përtej luftës. Ditët në kampin famëkeq të Prishtinës, ai i shkroi në një ditar të cilin e botoi në vitin 1951. Është interesante rrëfimi që Dushi ka bërë në këtë ditar, i cili u botua në formën e një romani, i cili konsiderohet si romani i parë i pasluftës, por që historiografia komuniste nuk e cilësoi asnjëherë në studimet për letërsinë.

 

Ai roman nuk është vetëm një rrëfim ndryshe në prozën shqipe, por mbart dhe një vlerë historike, për vetë ngjarjet që tregohen aty. Në vitin 1949-1952, Kin Dushi niset për studime në Bashkimin Sovjetik për Letërsi. Këto ishin vite të arta për djaloshin që mbante syze dhe flokët me onde. Njohja me klasikët rusë, por dhe me veprat e tjera të letërsisë botërore, do ta çonin në një tjetër dimension stilin e tij të të shkruarit. E vetmja gjë që ëndërronte pas kthimit në Shqipëri ishte të shkruante libra. Por kthimi në atdhe do të ishte fatal për Dushin, ashtu si për një pjesë të mirë të shkrimtarëve apo artistëve të asaj periudhe.  Ai nis të punojë si gazetar te “Zëri i Popullit” për zonën e Myzeqesë, ku u frymëzua për të shkruar romane të tjera. Në vitin 1955 shkruan “Udha e Velanit” dhe në vitin 1961 “Kronikë e vendit tim”. Vitet e para pas kthimit duken plot shpresë për të ardhmen për shkrimtarin e ri. Në vitet 1955-1956 ai bëhet laureat i çmimit të Republikës dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

 

Në vitin 1960 shkroi skenarin e dokumentarit të kinostudios “Shqipëria e Re”, “Vallëzimi i Shqipeve” me regji të Endri Kekos. Dushi provoi të shkruante dhe dramaturgji. Në vitin 1962 shkroi komedinë “Banorët e shkallës nr. 6”, që u vu në skenën e Teatrit Popullor të asaj kohe një vit më vonë nën regjinë e Mihal Luarasit. Kjo vepër është rivendosur sërish në skenë në vitin 2009 nën regjinë e Sonila Ulqinakut. Kjo komedi shihet nga kritika si një pasqyrë e hollësishme e shoqërisë shqiptare të tyreve viteve. Kin Dushi i vendos personazhet në një mjedis të përbashkët, në një shkallë pallati me nr. 5. U përkasin shtresave të ndryshme: një punëtor jeton në një kat me një drejtor, një i ri me një plak etj. Në shkallën e këtij pallati banon një drejtor i Ministrisë së Arsimit, i cili është i martuar me një vajzë të re, që punon mësuese në një shkollë të mesme.

 

Aty është edhe një çift tjetër, Vali me Kriston, një punëtor që ka përqafuar idetë revolucionare të partisë, ka pranuar emancipimin e gruas (por që gruan e vet e ka shtëpiake). Kemi edhe një vajzë, specialiste në Drejtorinë Arsimore, Fatbardha, e cila e ka frikë martesën, nuk do që të martohet, por ambienti imponon idenë që një vajzë duhet të martohet kur i vjen mosha për t’u martuar, pavarësisht se çfarë mendon ajo. Është edhe një djalë, Agroni, një robot i sistemit. Në këtë shkallë imagjinare të Dushit, gjen gjithë elementet e një sistemi. Ishte viti 1962 kur Kin Dushi e shkroi këtë komedi, e cila me një koncept të ri regjisorial mund të vendoset në çdo teatër edhe sot. Jeta e Kin Dushit do të ndryshojë përgjithmonë pas botimit të romanit “Një emër mes yjeve”. Kritikat për këtë roman do të bënin që ai të arrestohej më 3 tetor 1967. Të gjitha shkrimet e bëra prej tij dhe librat hiqen nga qarkullimi. Në vitin 1975 ai del nga Burgu i Burrelit. Vitet në burg e kishin bërë shëndetin e tij më të dobët. Shikimi iu vështirësua dhe nuk mundi të përfundonte asnjëherë romanin e mbetur në dorëshkrim “Njeriu me proteza”. Më 6 prill të vitit 1994, Kin Dushi u nda nga jeta. Këtë vit është 20-vjetori i ikjes së tij. Një përvjetor i cili na bën të kthejmë sytë larg tek e shkuara, tek ata që kontribuuan në rritjen e prozës shqipe, por që sistemi i mbuloi me mjegullën e harresës për vite të tëra.

 

Është e trishtë një letër e shkruar prej tij në vitin 1989, e gjetur nga i biri mes dorëshkrimesh. Tashmë në një moshë të vonë, ai nuk ka më as fuqi t’i kundërvihet atyre që i dhanë një tjetër drejtim jetës së tij. “Oh, sa do doja të flisja në këtë letër! Të shfryja gjithë atë mllef që kam në zemër, të grumbulluar prej më shumë se 25 viteve, por jo nuk mundem. Jo se nuk mund të shkruhen mllefet, por nuk e di a mund të lexohen. Sa i qetë do mbetesha sikur të m’i lexonte dikush këto fjalë.Idealist: Po kështu kam qenë gjithmonë, idealist, kuptimi i thjeshtë i fjalës. Më ka pëlqyer e mira dhe e hijshmja dhe jo vetëm më kanë pëlqyer, por edhe kam luftuar për to. Kam urryer kundërshtarët deri në neveri dhe kjo më ka kushtuar shumë, sepse kundërshtarët, mjerisht nuk kanë qenë të pakët, as të pafuqishëm, as edhe të paaftë. Keq, keq për mua, por edhe për çdo njeri që mendon mirë. 25 vjet të shkuara u gjeta përballë një akuze që paralajmëroi shkatërrimin tim total. U mallkova dhe dola jashtë partie. Dola jashtë partie dhe hyra në burg. Mandej pas burgu u gjeta edhe më i burgosur, sepse shpresat m’u prenë.

 

Shoqëria më shkelmoi, familja m’u shkatërrua. Mbeta i braktisur, i vetmua dhe i fyer…Megjithatë duke i trokitur vazhdimisht si kujtesës aq edhe arsyes, nuk mbaj mend të kem ngrënë ndonjë “mollë të ndaluar”… Një gjë duhet të dish o shok, unë nuk kam frikë nga vrasësit, hajdutët dhe të gjithë keqbërësit e tjerë, kam frikë vetëm nga ata që nuk kanë turp”, shkruante Kin Dushi, në këtë letër intime, gjetur vite më vonë mes dorëshkrimeve të pafund në apartamentin e tij. Botimi i librave dhe dorëshkrimeve të lëna pas nga Kin Dushi, është jeta e vërtetë që ia kemi borxh Kin Dushit…

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama