Ndërtimi i Rrugës së Arbrit duket se do të marrë një drejtim përfundimtar. Qeveria Shqiptare është duke nënshkruar një marrëveshje me shtetin kinez, për financimin e saj. Kryeministri Edi Rama, tha për “CRI Shqip” se ai ka biseduar për këtë çështje me homologun e tij Li Keqiang.
Mesa duket vizita e Ramës në Kinë, po promovon një bashkëpunim të frytshëm për Shqipërinë. Kjo pasi qeveria kineze do të financojë 10 milionë juan për të arsimin shqiptar, një dhuratë e qeverisë kineze për transformimin e mësimdhënies përmes inovacionit.
Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se qeveria kineze ka paraqitur interes për projektin e hekurudhës shqiptare, autostradën e kaltër si dhe portin e Shën Gjinit. Gjithashtu janë diskutuar projekte për zhvillimin e bujqësisë dhe peshkimit, por deri tani nuk është bërë publike ndonjë marrëveshje konkrete midis dy qeverive.
Të gjitha këto diskutime janë bërë gjatë takimit mes kryeministrit të Kinës, Li Keqiang dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama të zhvilluar në Tianjin, qytet i cili këtë vit mirëpriti Forumin Ekonomik Botëror të Davos-it.