Kina rizgjimi i dragoit

Kina, rizgjimi i dragoit
Ndikimi i saj s‘ka si të mos ndihet edhe në balancën e pushteteve në planet. Këtë vit, sipas të gjitha gjasave, Kina do t‘ia kalojë Gjermanisë në aspektin ekonomik, duke u shndërruar në ekonominë e tretë më të madhe të botës pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë. Para pak vitesh, objektivi i Kinës ishte t‘ia kalonte Japonisë brenda një periudhe dhjetëvjeçare, ndërsa tani këtë objektiv ia ka vënë vetes për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndryshimi i Kinës po ridimensionon rendin botëror. Dhe të mendosh që mrekullia e Kinës ka ndodhur brenda një kohe relativisht të shkurtër. Reformat ekonomike të Deng Xiaopingut nisën në vitin 1978, duke futur në vend, në mënyrë shumë të ngadaltë, sistemin e tregut, i cili në shumë aspekte i ngjante sistemit të një ekonomie të kontrolluar. Sot, një gjeneratë më pas mund të konstatojmë se ajo që nisi me shumë ngadalësi, me tiparet e një revolucioni të qetë, është përhapur në dy të tretat e vendit, duke e shndërruar atë nga një shoqëri agrare në një shoqëri industriale. E, megjithatë, ekzistojnë dy Kina. Është ajo që shohin vizitorët me qytete, rrugë e godina të shndritshme dhe Kina rurale, e cila në pjesën më të madhe thuajse nuk është prekur apo ndikuar nga revolucioni që ka prekur qytetet e mëdha. Megjithatë, statistikat e bumit janë të jashtëzakonshme. Kina konsumon thuajse gjysmën e çimentos botërore dhe prodhon 40% të çorapeve të popullsisë së saj. Ndërton një stacion energjie çdo katër ditë dhe vitin e fundit ndërtoi aq shumë, sa energjia e prodhuar prej tyre ishte e barabartë me atë të prodhuar nga Franca brenda një viti. Ka planifikuar që të ndërtojë 97 aeroporte rajonale vetëm gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Po të vazhdonim me gjuhën e statistikave nuk do të mbaronim kurrë.

Për sa u përket të huajve, ata mbërrijnë në Kinë përmes aeroporteve madhështore dhe shkojnë në qendër të qyteteve në autostrada me gjashtë korsi. Brenda qyteteve ka godina marramendëse, kulla ndër më të lartat në botë, zona financiare dhe lagje shik. Rrugët janë gjithmonë të stërmbushura me makina dhe kudo ndërtohet, ndërtohet pa fund. E, megjithatë, po të dalësh jashtë këtyre oazeve të magjishme, që të huajt nuk kanë shumë mundësi ta bëjnë, do të ndeshesh me Kinën tjetër. Në periferi jetojnë ata që në të vërtetë i kanë dhënë shkëlqimin Kinës së parë: punëtorët, miliona krahët e forcës pa ndihmën e përditshme të të cilëve nuk do të ishte i mundur të ndodhte ndryshimi. Ata vijnë nga zonat e thella të vendit për të gjetur punë në qytet dhe në këtë mënyrë sigurojnë të ardhurat për familjet që jetojnë larg. Për sa i përket shkallës së lindjeve ajo ka pësuar ulje, falë politikës së qeverisë për lindjen e vetëm një fëmije. Edhe pse mendohet se tani kjo politikë nuk është në ekstremin e saj, lindjet janë pakësuar, megjithëse shumë shpejt parashikohet një periudhë e re bumi demografik. Punëtorët që rendin nëpër qytete preferojnë më shumë ndërtimin, apo fabrikat e stërmëdha të prodhimit të veshjeve dhe lodrave, të cilat shkojnë në Perëndim. Mes shumë të pasurve dhe shumë të varfërve ndodhet e ashtuquajtura shtresa e mesme, e cila numëron rreth 400 milionë vetë. Kjo shtresë është pronare e shtëpive ku banojnë, të cilat shpesh blihen me para në dorë dhe më pak me kredi. Ata kanë një makinë, ose në disa raste edhe dy. Mallrat e konsumit në Kinë janë relativisht të lira. Çdo gjëje që prodhohet në Perëndim i bëhet një kopje në Kinë dhe kjo u kushton kompanive perëndimore, veçanërisht atyre amerikane, humbje të konsiderueshme. Në dyqanet e mobilieve Ikea, shefat çuditeshin se përse ato ishin gjithnjë të mbushur plot me njerëz, por shitjet ishin jashtëzakonisht të pakta. Më pas e kuptuan se njerëzit vinin vetëm për të marrë katalogët, të cilët i çonin te marangozët vendas, që arrinin të jepnin thuajse të njëjtin produkt, por me çmim shumë herë më të lirë. Por, pavarësisht konsumimit të shfrenuar, kryesisht në qytetet e mëdha, kinezët shquhen për kursimtarë të mëdhenj. Njerëzit kursejnë për arsye të ndryshme, por kryesisht për pleqërinë e tyre, sepse të gjithë e dinë që kur të plaken do të duhet të kujdesen për veten dhe nëse nuk kanë ndonjë para mënjanë do ta kenë të vështirë. Ata nuk mund të mbështeten te shteti dhe ndoshta, duke qenë se nuk kanë edhe shumë fëmijë, nuk mund të mbështeten as tek pasardhësit e tyre. Për sa i përket një fakti interesant të këtij "revolucioni", ai ka të bëjë me gratë, të cilat janë zhvilluar dhe bëjnë një jetë të mirë e në mënyrë të pavarur. Ato shkollohen, gjejnë punë me paga të mira dhe sipas një statistike, 30% e makinave Ferrari që hyjnë në Kinë blihen nga femrat. Por çfarë do të ndodhë kur Kina të plaket? Nëse hedh vështrimin te piramida e popullsisë së Shangait dhe e Pekinit, ato në fakt nuk janë aspak piramida. Janë diamante: ka shumë pak njerëz të moshuar, një masë e madhe është e moshës së mesme dhe ka shumë pak fëmijë e akoma më pak bebe.

Rritja ekonomike e Kinës po bëhet nga shtresa e madhe e punëtorëve, e cila sa vjen e po bën gjithnjë e më pak fëmijë. Kina po përjeton tani shpërthimin ekonomik, që me kalimin e kohës do të qetësohet dhe nga ekonomi në rritje do të kthehet në ekonomi "normale". Për këtë do të duhen të paktën 20 vjet. Për të bërë kalimin nga gjendja aktuale e "big-bang"-ut drejt një shteti më të qetë, do të jetë e vështirë. Një nga problemet më të mëdha do të jetë plakja e popullsisë, megjithatë, për këtë ka ende kohë. Ndërkohë, dy probleme të tjera të së tashmes, por që do të rëndohen në të ardhmen janë: ambienti dhe presioni i rritjes. Më pas vijnë edhe problemet e pabarazisë sociale e rajonale. Ne vetëm sa mund të marrim me mend. Ajo çka mund të thuhet me saktësi është se Kina për shumë vjet do të jetë në kërkim të lëndëve të para në botë. Ky vend është si një adoleshent i uritur, që ha çfarë të gjejë përpara, pasi ka shumë për të bërë e si pasojë i duhen shumë energji. Një uri e tillë nuk do të ndryshojë, për sa kohë që do të vazhdojë rritja ekonomike. Në rast se Kinës më pas do t‘i duhet të zgjedhë midis dy prioriteteve: ambientit, apo mjedisit, rritja me siguri që do të vijë e para në listë. Por, do të ishte gabim po të thoshe se autoritetet kineze e neglizhojnë tërësisht çështjen e ndotjes së madhe të ambientit. Pavarësisht nga sa thuhet në median perëndimore, përpjekje bëhen. Por, pavarësisht kësaj, ambientit i është bërë një dëm i jashtëzakonshëm. Për sa u takon tensioneve sociale dhe pabarazive ekonomike, ato janë më të vështira për t‘u qetësuar. Situata në zonat rurale është e papërshkrueshme. Ka shtëpi ku kafshët trajtohen më mirë se njerëzit për të vetmen arsye se japin qumësht, lesh, apo mish. Dallimet mes të pasurve dhe të varfërve janë aq të mëdha, sa në disa artikuj perëndimorë për Kinën është shkruar se bëhet fjalë për dy kombe brenda një shteti: për kombin e të pasurve dhe atë të të varfërve. Një nga shkaqet e prapambetjes është mungesa e investimeve në rrugë. Por kjo shumë shpejt do të ndryshojë në një të ardhme jo fort të largët, pasi planet për shtrimin e rrugëve janë shumë të mëdha.

Njerëzit dhe rajonet e largëta do të jenë më pranë njëri-tjetrit dhe kësisoj gjërat do të nisin të ndryshojnë. Për momentin mendohet pak për të varfrit. Ata që kanë në duar paratë merren vetëm me harxhimin e tyre në mënyrë të shfrenuar dhe sigurisht me shumëfishimin. Ajo çka është interesante për Kinën është se pavarësisht krizave ekonomike në botë, ekonomia e saj nuk do t‘ia dijë, duke mos shënuar shenja rënieje në asnjë moment. Kjo ka të bëjë deri diku edhe me stabilitetin politik të vendit dhe mbajtjen e situatës nën kontroll nga një grusht i vetëm njerëzish. Megjithatë, ekziston gjithmonë rreziku i trazirave, si në rastin e Tajvanit, për shembull. Megjithatë, bëhet fjalë për ndikime që, gjithsesi, nuk do të kishin forcën e ndalimit të rritjes ekonomike. Rritja ekonomike ka nisur dhe nuk është ndalur që prej 30 vitesh. Kjo do të thotë se nuk ka shanse që të ndalojë papritur. Autoritetet kineze dhe klasa e re e mesme e vendit kanë investuar shumë në atë që sot konsiderohet si suksesi më i madh ekonomik i të gjitha kohërave. Ata nuk do ta lejonin kurrë që një mrekulli e tillë të shkërmoqej papritur. Ajo që po ndodh në Kinë është e jashtëzakonshme, madje as ne në Perëndim nuk mund ta rrokim dot tërësisht ndryshimin dhe vrullin e një ekonomie eksplozive. Intelektualisht dhe ekonomikisht mund ta konceptojmë, por emocionalisht është vështirë të konceptojmë faktin se ne po lëvizim drejt një bote të re, ku idetë Perëndimore që na kanë drejtuar të gjithëve nuk do të jenë më ato që do të mbizotërojnë.



Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama