Departamenti i Ekonomisë së këtij Universiteti, konkretisht Sektori i Zhvillimit dhe i Kualifikimit, kërkonte të kryente një studim për ndikimin ekonomik të festivalit.Opinionet e mbledhura kërkoheshin për këtë temë, por duke e parë ndikimin e një feste të kinematografisë në aspekte të ndryshme të jetës së qytetit. Duheshin pyetur të huajt, të pranishmit në edicionin e 50-të të Thessaloniki International Film Festival, si ia kishin çuar gjatë qëndrimit tek ky qytet bregdetar i qetë dhe thithës me mjegullën e imtë gjatë ditës e natës.
Edhe kur dielli ishte i plotë, mjegulla sillej ultaz, tek trupat e njerëzve, u avitej në shpatulla, u zbriste tek këmbët si qen shtëpie me sytë me lëng kur sheh të fytyra të njohura. Kjo ndihej sidomos aty rreth portit të vjetër ku prej vitesh organizohet festivali i filmit. Hangarët e hekurishteve dhe të arsenaleve të makinave të deteve janë kthyer në kinema, salla, hapësira ekspozimi, muze, bare.
Në një prej tyre Werner Herzog erdhi, u prit nga kryetari i bashkisë dhe i ra atyre dhomave, të cilat para ekspozitës "Shenja jete" mund t'i imagjinoje si kthinat dhe labirinthet e folesë së një prej personazheve të tij, vampiri Nosferatu.Në një faqe muri projektori transmetonte një intervistë të BBC me regjisorin me shpirt gjahtari ashtu siç e kinemaja e tij e tregon Herzog-un. Ishte plagosur në fundin e barkut dhe gazetari nguli këmbë të tregonte shenjën e gjakosur. "Unë nuk kam frikë. Kam luftuar...
Shpresoj se kam qenë ushtar i mirë i kinemasë." Herzogu i ekranit u projektua tek cepet e syve gjysmë të mbyllur Të Herzog-ut aty i gjallë, i cili vuri buzën në gaz dhe doli në korridor, i rrethuar nga dhjetëra njerëz, sikur të mos kishte bërë asgjë, e të mos ishte ai ushtari i mirë.Atë pasdite u shfaq në një nga kinematë e portit (TIFF i kushtoi hapësirë veprës retrospektivë të artistit gjerman) dokumentari i tij "Encounters at the End of the World" 2007 (Takime në fund të botës) i xhiruar në Antarktidë mbi dhe nën akull. Salla pesëqindvendëshe u mbush.
Në njëqind minuta njerëzit panë se ekziston një shoqëri e fshehur në fund të botës, ku mijëra burra dhe gra jetojnë bashkë në një hapësirë të ngushtë në Antarktidë dhe rrezikojnë jetën për të kryer kërkime shkencore. Ishte hera e parë që një i huaj, Werner Herzog, ishte lejuar në mjedisin e mbrojtur të një komuniteti idealistësh dhe filozofësh.
Me shfaqjen në ekran të një vepre që të hap mushkëritë, tani po vihej në rolin e outsider-it publiku duke marrë me vete shijen e rrezikut dhe të së pamundurës, shijen kur njeriu ndërgjegjësohet për kufijtë dhe forcat e tij.A mund të quhet ky edukim nëpërmjet kinemasë? Po. A nuk është e drejtë të quhen gjithashtu qytete, këto vende jo reale ku shkon individi nëpërmjet një forme arti, qytete të brendshme? Përderisa ndjehet, ndodh.Testi për studimin e Universitetit "Aristotelis" nuk e përmend gjëkundi fjalën edukim. Në fund të fundit kjo nënkuptohet, edhe pse qëllimi i studimit është i veshur me fjalë të rëndomta që shenjojnë jetën e përditshme të një njeriu në qytet.
Kështu pyetjet që kërkojnë përgjigje kanë të bëjnë me shpenzimet që të pranishmit kanë bërë gjatë vizitës së tyre në Selanik për transport, bileta të festivalit, ushqim, pije, argëtim, shpenzime turistike, pazare, shërbime personale. Të ardhurit pyeten cilat janë arsyet që i shtyjnë të ndjekin këtë ngjarje.
A e shohin ata festivalin si joshje turistike për qytetin?
Cili është ndikimi i festivalit tek imazhi i qytetit?
Cili është ndikimi i tij tek zhvillimi kulturor i qytetit?
Cili është ndikimi tek zhvillimi ekonomik i qytetit?
A do ta kishin vizituar këta të huaj qytetin nëse nuk do të ishte mbajtur ky festival?
Ka edhe pyetje më të drejtpërdrejta për aspekte të festivalit si këto:
A ju bëjnë përshtypje promocioni? Publiciteti? Shpërndarja e informacionit? Organizimi? Infrastruktura? Programi i festivalit? Aktivitete të tjera? Njerëzit? Atmosfera? Komuniteti vendas? Kultura dhe performanca e gjithë aktivitetit?
A ju duket TIFF një pikë referimi për të tërhequr vizitorë për turizmin kulturor?
Thessaloniki International Film Festival (TIFF) ka publikun në qendër të vëmendjes, forma të larmishme për ta njoftuar se ku ka kinema dhe sa interesante është ajo që do të ndjekë. Publiku i përgjigjej.
Porositja dy ditë para e biletave 7 euro, është bërë rregull për shkak të kërkesave të shumta. Edhe ata që janë të ftuar në festival apo gazetarë qofshin, nuk mund të hyjnë në sallat e projeksioneve pa kartën dhe biletën zero (pa pagesë).Kinemaja në rrugë është një slogan i përvitshëm aty. Këtë herë kishte në rrugë performanca alla Magritte, sipas pikturës së të dashuruarve që puthen dhe kokat i kanë të mbuluara me beze.
Një ekip të rinjsh, - dhe vullnetarët e festivalit janë jo pak - shfaqej papritur në vende të ndryshme dhe krijonte "Lovers" të Magritte-it. Në fasadën e teatrit "Olympion" ku shfaqeshin premierat dhe filma të të ftuarve të veçantë, kishte gjatë mbrëmjes projeksione që i bënin njerëzit të ndalnin hapin. Ndërtesa që lëkundej, somnambula që hynin e dilnin nga dritaret e larta të ndërtesës së tetëqindës, si në një film pa zë.
Nuk mungonin aktivitete satelite si koncerte të Jane Birkin, ekspozita e Miro-së, me foto të kineastit meksikan Guillermo del Toro. Edhe fushatat anti-duhan duke përdorur si imazhe të posterave të vegjël portrete të legjendave të kinemasë si Marlene Dietrich, Audrey Hepburn apo Brad Pitt.
Me TIFF-in ndesheshe edhe në ekranet e aeroportit të Selanikut.
Bashkia, Ministria e Kulturës dhe e Turizmit, Qendra Greke e Filmit janë mbështetësit financiarë që përfaqësojnë organizimin në nivel qeveritar, shtetëror, pavarësisht se sponsorët e mëdhenj janë ata që mbyllin punët e mëdha praktike të një festivali 50-vjeçar.
Strukturat janë të ndara, drejtues, programues, staf, bord i përbërë edhe me anëtarë parlamentarë, këshilltarë bashkiakë, përfaqësues të festivalit në botë, kineastë. Në këtë kuptim festivali nuk është aspak pronë e një grupi njerëzish që janë edhe burrë e grua, kunata e kunetër, por si një vlerë e cila nëse investohet seriozisht në shoqëri, i kthehet shoqërisë e pesëfishuar dhe organizatorëve vetë, të cilët fitojnë besimin e njerëzve për të vazhduar dhe për krijuar një traditë.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, sepse në kryeqytetin tonë deri dje në mbrëmje nuk kishte asnjë shenjë e lajm, hapet sonte Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë, edicioni i shtatë. TIFF-i ynë tek i cili kanë besuar jo pak, duhej të kishte qenë në fillime, por nuk është, një shërbim publik. Kjo ndodh ngaqë tek ne pretendimet e audiencës janë zero, sepse kjo audiencë duhet krijuar. Po ashtu edhe pretendimet e kritikës janë zero sepse që të ekzistojë kritika duhet të ekzistojnë zërat kritikë dhe të lirë që të ruajnë shërbimet për publikun. Një kohë TIFF-i duhej ndihmuar, tani ka ardhur koha që TIFF-i të ndihmojë veten. Si fillim t'i jepet qytetit.