Milionat që vijnë nga Kina shtrijnë duart edhe mbi futbollin e kombëtareve. Kolosi financiar kinez "Wanda", ka njoftuar se që nga viti 2017, do të organizojë çdo vit në Kinë një turne me pjesëmarrjen e Kombëtareve më të mëdha në Europë e Amerikë, përveç asaj vendase.
Turneu do të quhet "China Cup" dhe sipas asaj që bëjnë të ditur drejtuesit e grupit i cili pas dominimit në tregun e pasurive të patundshme ka filluar të bëjë investime të rëndësishme në argëtim dhe sport, do të jetë i njohur edhe nga FIFA. Kjo do të thotë se përveç të ardhurave të ndjeshme financiare, do të garantojë pikë edhe për klasifikimin botëror.
Kjo iniciativë përfshihet mes investimeve të mëdha që po bën qeveria kineze për të rritur ndjeshmërinë ndaj futbollit e si rrjedhojë edhe të përmirësojë përfaqësuesen. Kombëtarja kineze, aktualisht gjendet në vendin e 81-të në botë dhe asnjëherë nuk ka qenë një superfuqi e futbollit.
Për kombëtaret europiane dhe amerikane, pjesëmarrja do të shërbejë për të siguruar të ardhura të ndjeshme dhe për të rritur marketingun në Azi, duke pasur parasysh se këto turne aziatikë kanë funksionuar shumë mirë në këtë pikëpamje për klubet europiane.