Sipas asaj që rapor ton e përditshmja italiane "Il Corriere dello Sport", Milani është shumë pranë një ndryshimi epokal, teksa Silvio Berluskoni duket se po "shtron terrenin" për shitjen e klubit kuqezi. Presidenti është në tratativa të avancuara me një manjat aziatik, i cili kërkon të blejë 70% të aksioneve të klubit, më pas, brenda një viti, edhe 30% e kuotave do t'u kalojë kinezëve për shifrën e 400 milionë eurove.
Oferta e aziatikëve është në "tavolinën" e familjes Berluskoni dhe sipas burimeve pranë ishkryeministrit italian, marrëveshja është shumë pranë konkretizimit dhe gjithçka mund të mbyllet që në javët e ardhshme. Mirëpo, kush do të jenë pronarët e rinj të Milanit? Burimi konfidencial i "Il Corriere dello Sport" ka zbuluar se pas kësaj tratative fshihet njeriu i gjashtë më i pasur i Republikës Popullore Kineze, i cili ka një pasuri prej 10 bilionë dollarësh. Manjati quhet Robin Li, i cili është lider në biznesin e motorëve dhe atë të elektronikës në Pekin. Mirëpo, nuk është vetëm Li në garë për t'u vënë në krye të 7 herë kampionëve të Europës.
Për maxhorancën e aksioneve të Milanit është interesuar së fundmi edhe He Xingjian. Njeriu në fjalë është "bosi" i telekomunikacionit në Kinë, si dhe ka një "perandori" në biznesin e kondicionerëve. Pasuria e He Xingjian është 9.3 bilionë dollarë.
Administratori dhe stadiumi
Me arritjen e mundshme të marrëveshjes me kinezët pritet që të ndryshojnë shumë gjëra brenda klubit. Figura kryesore do të jetë administratori i ri, i cili pritet të emërohet nga kinezët dhe nuk do të jetë më Adriano Galiani. Ndërsa mund të qëndrojë Barbara. Sakaq, objektivi kryesor i pronar- ëve të rinj është ndërtimi i stadiumit në pronësi, i cili pritet të ketë një projekt prej 300 milionë eurosh.
Përgatiti: LEAR MAÇI