Kisha ortodokse e Nartes lulezoi ne periudhen Bizantine

Kisha ortodokse e Nartës lulëzoi në periudhën Bizantine
Kisha e Nartës daton shumë më herët se data që ka të gdhendur në fasadën e saj. Ndërsa ky fakt ka qenë i pranuar, disa herë edhe objekt studimi, këtë herë specialistët flasin me data më konkrete.


Kohët e fundit një zbulim rastësor i ka orientuar specialistët drejt periudhës bizantine. Në një pjesë të themelit të kishës janë gjetur një kolonë e tipit bizantin, si dhe një kapitel, kjo e fundit objekt zbukurimi për pjesët e sipërme të kolonave.
Djegia e kishës së Nartës një vit më parë, ka krijuar domosdoshmërinë e rikonstruksionit, i cili tashmë ka nisur.


Është parashikuar në këtë proces rindërtimi i dy faqeve jugore dhe perëndimore të kishës, për shkak të dëmtimit dhe rrezikut të shembjes, gjatë thellimit të themeleve të këtyre dy pjesëve, janë identifikuar dy objekte si dhe disa mbetje skeletesh.


Punëtorët shpjegojnë se pasi u hoqën gurët e themeleve, janë dukur edhe faza të tjera të restaurimit të mëparshëm të kishës si dhe dy objektet. Pas kësaj është njoftuar Instituti i Ruajtjes së Monumenteve të Kulturës, dega Vlorë, ku specialistët kanë bërë vlerësimet në vend.


Sipas specialistit Novruz Bajrami, gjetja e objekteve është bërë në këndin jugperëndimor të themeleve të kishës dhe bëhet fjalë për objekte monumentale që i takojnë periudhës së paleokristiane (kristianizmi i vjetër). Bëhet fjalë për një kolonë të tipit bizantin, të zbukuruar në kanelyra, me një diametër rreth 40 cm. Ende nuk janë formuluar të dhënat për gjatësinë, pasi një pjesë e mirë e saj, gjendet ende nën tokë.


Në afërsi të kolonës është gjetur një kapitel, që është element arkitekturor, i zbukuruar me motive floreale, e cila vendoset në pjesën e sipërme të kollonatës". Specialistët janë të mendimit se këto objekte i takojnë ndërtimeve fillestare të kishës.


Dihet që kisha e Shën e Dielës në Nartë, për shkak formacioneve të buta gjeologjike dhe lëvizjeve të tokës, është restauruar disa herë. Pas restaurimit të fundit, mbi derën kryesore të kishës është vendosur viti 1828, por zbulimet nënkuptojnë se Kisha e Nartës, është shumë më e vjetër se kaq. Bajrami tha se gjatë restaurimit, do të ruhen gjithë objektet origjinale të kishës, siç janë tavanet e zbukuruar dhe punuar me dërrasë.


Interesi i zbulimit është i konsiderueshëm. Nuk është hera e parë që në territorin ku ndodhet fshati i Nartës, të zbulohen vlera arkeologjike. Studiues të huaj dhe të vendit përmendin objekte të tjera si kapitele, fragmente kolonash, mbetje të anijeve të punuara me dru. Të gjitha këto hedhin dritë mbi faktin se në këtë zonë kemi të bëjmë me një vendbanim të hershëm dhe që ka lulëzuar në periudhën bizantine.


Është e kuptueshme, sipas specialistëve që duke qenë pranë Triportit, Aulonës Antike dhe qytetit mesjetar të Spunaricës, ky i fundit ende i paindentifikuar, ka patur dhe qendra të tjera të banuara, siç është Narta, Zvërneci, Kanina, etj.

Anila Peci : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama