Kishat e Kolonjes janë duke u shndërruar çdo ditë e më tepër në rrënoja si pasojë e braktisjes nga instancat përkatëse. Tre prej kishave më të hershme në këtë rreth të cilat datojnë nga shek i 17 tashmë e kanë humbur identitetin e tyre dhe janë thjesht pirgje gurësh dhe dherash.
Kisha e Shën Mehillit në fshatin Shales, ajo e Fjetjes së Julincës në Barmash dhe ajo e Shën Mërisë në fshatin Cerckë, ndonëse janë klasifikuar si monumente kulture të kategorisë së parë është e vështirë të gjenden se ku ndodhen. At Kristaq Tase ka treguar se këto objekte kulti janë braktisur nga shteti ndërsa kerkon që t’i rikthehen kishës në mënyrë që ajo t’u japë formën dhe identitetin e tyre. Banorët e zonës tregojnë se këto monumente kanë qenë mjaft të veçanta dhe pavarësisht gjendjes së tyre, ato kanë vlera. Në qarkun e Korçës me dhjetëra kisha janë kthyer në gërmadha si pasojë e mungesës së financimeve nga shteti për restaurimin e tyre.