KQZ ka gjobitur dje me 8 milionë lekë të rinj Partinë Popullore Kristiandemokrate me kryetar Pal Shkambin, pasi në listat e kandidatëve janë diskriminuar meshkujt. Kryetari i PPKD, Pal Shkambi, ka përfshirë në lista 126 kandidate femra, ndërsa vetëm 41 meshkuj dhe nga anëtarët e KQZsë u cilësua si diskriminim ndaj burrave në qarqet: Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Dibër, Berat dhe Fier.
“Kjo parti ka tejkaluar kriterin e gjinisë për fermat dhe ka diskriminuar meshkujt”, tha drejtoresha juridike e KQZsë, Dëshira Pasko. Listat e PPKD-së janë shoqëruar dhe me batutat e të pranishmëve në mbledhje, pasi si rrallëherë në këtë listë shumemërore në minorancë ishin burrat. Juristi Idajet Beqiri tha dje se kjo forcë politike duhet t’i japë disa kandidate femra borxh PD, PS dhe LSI, që këta të fundit t’u shmangen gjobave.
“Ata duhet t’ju japin juve ca, që t’ju hiqet gjoba, ca PS-së e ca PD-së, e ca LSI-së”, tha Beqiri. Ndërsa juristi i PD-së, Kosovrasti, tha se: “ PS-ja ka nevojë më tepër, ke të drejtë ti. Brenda koalicionit lejohet”.