Kursi i këmbimit euro-lek u mbyll këtë javë në një nivel mesatar të disfavorshëm për monedhën vendase, kur një euro kushtoi mbi 142 lek. megjithëse gjatë javës ka pasur edhe ndodhi të pazakonta, siç ishte rasti i një banke shqiptare, e cila të paktën gjatë një dite e blinte euron me 136 lekë dhe e shiste me 139. Në çdo rast, të dhënat falsin për një situatë të pastabilizuar të kursit të këmbimit. Lajm jo i mirë për të gjithë ata shqiptarë që kanë marrë hua në euro. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se janë dhënë nga bankat private rreth 174.8 miliardë lekë kredi në valutë. Në 2010-n më shumë se 52% e portofolit të kredisë ishte në euro, krahasuar me nivelin e një viti më parë prej 47%.
Ndërkaq, historia nuk përfundon këtu. Muaji maj shënon periudhën kur kompanitë e huaja nxjerrin jashtë vendit fitimet e tyre, duke u shpërndarë dividentët, aksionerëve jashtë vendit. Sikur të merren parasysh vetëm shifrat e kompanive të telefonisë së lëvizshme, shto edhe Albtelekomin, tashmë të privatizuar, pasojat mund të merren me mend. Të ardhurat bruto të këtyre të fundit për vitin 2009 llogariten në diç më pak se 60 miliardë lekë, ose rreth 433 milionë euro. Marrja e një pjese të konsiderueshme të fitimeve neto dhe dërgimi i tyre jashtë kufijve, siç ndodh rëndom, ka gjasa të sjellë luhatje të pakëndshme në “stabilitetin financiar të vendit”, nëse përdoren termat formalë të institucioneve përkatëse publike.
Në këtë pikë, mungon edhe kamerdarja standarde e shpëtimit në kohë të vështira: të ardhurat nga emigracioni. Me afrimin e stinës së verës, çka përkon me ardhjen për pushime të emigrantëve, mund të pritej një forcim i lekut, si pasojë e valutës së huaj - kryesisht euro - që hyn në vend. Por përvoja ve dy viteve të fundit, dëshmoi se përveç vapës, stina e verës nuk solli ndonjë përmirësim të kësaj natyre. Gjatë 2010-s, dërgesat e emigrantëve shënuan një rënie tepër të fortë, në pikën më të ulët të shtatë viteve të fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2010, dërgesat e emigrantëve u tkurrën në 696 milionë euro, ose 11 për qind më pak se sa një vit më parë. Kjo rënie është edhe më e madhe edhe se në vitin 2009, kohë e pikut të krizës ekonomike botërore. ndërsa nga viti 2007, kur transfertat e emigrantëve rezultuan 952 milionë euro, në 2010-n ato shënuan vetëm 256 milionë euro.
Lajmet e këqija nuk mbarojnë me kaq. Shterpësia e remitancave, pra eurove që hyjnë nga shqiptarët jshtë kufijve, kombinohet me daljen e eurove nga shqiptarët jetojnë brenda kufijve. Diçka e tillë është një efekt anësor i liberalizimit të vizave, e cila ka sjellë një kërkesë në rritje për euro nga shqiptarët që udhëtojnë në zonën Shengen. “Kur njerëzit udhëtojnë jashtë vendit, do të thotë që edhe paraja bën të njëjtën gjë; veçse, njerëzit kthehen, por jo paraja”, thotë Adriatik Kotorri, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Sipas Kotorrit, kjo përkthehet në një rrjedhje të konsiderueshme të valutës jashtë vendit, në një kohë kur situata ekonomike nuk paraqitet fort e mirë. “Kur diçka e tillë kombinohet me rënien e remitancave gjatë viteve të fundit, pasojat janë të kuptueshme”, vëren ai.
Nga ana tjetër, Kotorri vlerëson se prodhimi bujqësor vendas dhe hedhja në treg e produkteve të stinës, do të ulë importet ushqimore në një farë mase dhe si rrjedhojë edhe inflacionin e importuar, duke u kombinuar edhe me një rritje sezonale të eksporteve bujqësore. “Gjithçka ndodh kryesisht në euro, ndaj efektet do të ndihen, por se në ç’masë dhe për sa kohë, kjo është e vështirë të thuhet”, sqaron ai.
Ndërkaq, vetëm pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë e pa të arsyeshme të rriste normën bazë të interesit. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi ta rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas kësaj rritjeje krejt të papritur, norma bazë e interesit shkoi në nivelin 5.25 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë (BSH), kjo masë ishte e lidhur ngushtë me rritjen e çmimeve në vend dhe me faktin se zakonisht, qeveria rrit shpenzimet para zgjedhjeve. Ky vendim i BSH rezulton në shtrenjtim të kredive dhe në efekte të tjera të padëshiruara në ekonomi.
Eurozona në tym, por ende pa flakë
Por, pavarësisht dinamikave në tregun vendas, një lojë e tensionuar po luhet në Eurozonë. Informacionet janë të shumëllojshme dhe në disa raste kundërthënëse, por në thelb, priten shumë pak zhvillime pozitive, dhe mbi gjithë zhvillimet financiare në Europë rëndon një qiell i zymtë.
Nga diskutimi i një viti më parë për nxjerrjen nga vështirësia të vendeve me probleme të rënda borxhi, sot Europa ka lëvizur në territorin e “risktrukturimit”.
Nëse ky ritëm kronologjik vazhdon të ruhet, termi i ardhshëm do të ishte skenari i tmerrshëm i pamundësisë për të paguar, i njohur në terma banalë edhe si kapitullim. Kështu, sipas një sërë analistësh diku nga vera e këtij viti, nuk përjashtohet mundësia e kapitullimit të më shumë se një vendi (barrikada e fundit është ngritur në Madrid), çka me fjalë të tjera, nënkupton edhe mundësinë apokaliptike të fundosjes së Euros në një periudhë të papërcaktuar.
Në fakt, kjo është çka shumica as që duan ta çojnë nëpër mend. Kjo, sepse një gjëmë e tillë, përveçse do të kolapsonte ekonomitë europiane dhe ato të vendeve satelite, do të sillte edhe një goditje fatale në tregjet financiare dhe në bursat botërore në tërësi. Dhe në një ekonomi globale me tregje financiare të integruara, dollari amerikan dhe valuta të tjera relevante, do të kalonin nëpër etapa shumë të errëta.
Por, ndërsa ky është vetëm skenari më i errët spekulativ i një të ardhmeje, megjithatë jo të largët, çfarë po ndodh në territorin e faktit objektiv?
Zhvillimet më të çuditshme vijnë nga Greqia, dhe nuk është se flasin shumë për “objektivitet”. Siç thotë një analist, “lajmet nga tregjet e bonove në Greqi i ngjajnë një buletini për kulmet e Alpeve”. Interesat e bonove greke trevjeçare kërcyen me mbi 22% brenda javës së fundit. Këto norma sureale janë një lajm aspak i mirë, nëse merret parasysh ristrukturimi i parashikuar të ndodhë në gjysmën e dytë të 2011-s, pasi t’i jetë dhënë karar misionit të shpëtimit të Portugalisë. Ky i fundit ende nuk dihet si do shkojë.
Kjo do të thotë se ndërsa çështja ka ardhur te shpëtimi i qeverive, disa syresh nuk është se po ia lehtësojnë punën, zjarrfikësve europianë. Nivele të tilla interesash reflektojnë një sfidë të drejtpërdrejtë të tregjeve të bonove ndaj qeverisë greke, ndërsa kjo e fundit ka deklaruar se do u kthehet tregjeve ndërkombëtare vitin që vjen për financim sovran të borxhit. Në këtë pikë, gallata është se në këndvështrimin e tregtuesve të bonove dhe spekulatorëve, ky synim është ose fantashkencë ose vetëvrasje fiskale.
Ekspertët thonë se duke përjashtuar FMN-në, si përjashtim i vetëm në kakofoninën e zërave, të gjitha palët e tjera të përfshira në debatin e ristrukturimit - Komisioni Europian në Bruksel, Banka Qendrore Europiane në Frankfurt, ministrat e Financave të Eurozonës nëpër kontinent, Kancelarja gjermane Merkel në Frankfurt dhe përfaqësues të qeverisë në Athinë - po zhvillojnë politikëbërje ekonomike përmes megafonëve. Sipas analistit Jens Bastian, “kjo është një recetë për falimentim”.
Si pasojë, frika po shtohet ndër komunitetin e investitorëve europianë që sektori financiar i Eurozonës, herët apo vonë do të vuajë dëmet anësore të kësaj kakofonie. ë tjerë bien dakord se bisedime të tilla duheshin konsumuar pas dyerve të mbyllura, por deklaratat në tym, dhe britmat e panikosura e kanë bërë publikun europian, spektator të një tragjedie në përgatitje e sipër. Sipas Bastian, nëse një vit më parë flitej për shpëtim, sot diskutohet për ristrukturim. Por, nëse artikujt përkatës merren dhe përditësohen me fjalën ristrukturim, lajmet rezultojnë identike me të vitit të shkuar. “Kjo do të thotë se rendi i ri i ditës do të jetë kapitullimi”, deklaroi ai.
Në një situatë të ngjashme për stabilitetin ekonomik, humoristi i shquar politik amerikan Xhon Stuart, shtroi pyetjen: “Kur perandoritë e mëdha rrëzohen, a dhemb shumë?” Përgjigja teorike është “Po”, por në rastin e Eurozonës, gjithkush shpreson që të mos jetë kurrë nevoja ta dinë.
Inflacioni i importuar
Inflacioni u regjistrua në nivelin 4.3 për qind për qind për muajin mars (ndryshimi vjetor). Ekzistojnë tre dinamika kryesore në rritjen e inflacionit në vend. Rritja e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, kombinuar me uljen e stoqeve të drithit në hambarët e Rusisë dhe Australisë, janë faktorët madhorë të rritjes së çmimeve në botë. Ndërkohë, fermerët shqiptarë kanë reduktuar prodhimin e grurit, si dhe kanë ndryshuar strukturën e prodhimit të një sërë produktesh bujqësore. Rritja e çmimeve të karburanteve, sipas një sërë institucionesh ndërkombëtare ka rritur në mënyrë direkte edhe çmimet e ushqimeve. Situata ende luftarake në Lindjen e Mesme, parashikohet t’i mbajë çmimet e karburanteve të pastabilizuara për një periudhë të papërcaktuar. Problemi tjetër lidhet posaçërisht me prodhimin e drithit në botë. Mynxyrat natyrore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shtrenjtimin e drithit në tregjet ndërkombëtare.
Zjarri që pushtoi të mbjellat e grurit në Rusi dhe përmbytjet në Australi kanë ulur ndjeshëm rezervat botërore, duke goditur direkt çmimet në bursa. Importi në 2009-n ka mbuluar 45 për qind të ofertës në Shqipëri. Si rrjedhojë, çmimet e grurit dhe të miellit në vend janë të ndjeshme edhe ndaj zhvillimeve në prodhimin vendas. Sipas analizave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i grurit për vitin 2010 është ulur me 11% krahasuar me vitin 2009.